Politike
Pas “Besës”/ Rama i jep deputetëve një dokument të dytë
Kryeministri Edi Rama prezantoi para drejtuesve të Partisë Socialiste dokumentin “Prania besnike”, si aneks të platformës “BESA”, duke kërkuar një transformim të mënyrës së qeverisjes dhe të marrëdhënies së socialistëve me qytetarët. Ai theksoi se partia duhet të jetë më pranë njerëzve dhe ta kthejë dëgjimin e tyre në një detyrim të përditshëm.
Rama përjashtoi mundësinë e dorëheqjes, duke deklaruar se misioni i tij do të vazhdojë deri në përfundimin e mandatit dhe realizimin e objektivit për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Ai tha se protestuesit nuk përfaqësojnë të gjithë popullin dhe nënvizoi se askush nuk ka të drejtë të flasë në emër të tij.
“Nëse largohesh sot, duke lënë në rrugë misionin historik, do ishte shpërfillje e pafajshme e atyre që më kanë votuar. Misioni im do vazhdojë deri kur të mbarojë vendosja e flamurit në BE. Deri ditën e fundit të këtij mandati do bëj të pamundur që partia jonë të nxjerrë gjithçka nga vetja për Shqipërinë. Që të jemi të qartë me ligj e zakon, as ata nuk janë populli, as ne këtu nuk jemi. Të gjithë jemi vetëm pjesë e tij. As unë që e kam me vulë e firmë mandatin, s’e kam tagrin të them në emër të popullit atë që mund ta thotë vetëm populli…” u shpreh Rama.
Foli për rrotacion, por kërkon mandat qeverisës edhe pas vitit 2029. Në një takim me drejtuesit politikë të Partisë Socialiste dhe kryetarët e komisioneve parlamentare, kryeministri sqaroi arsyet, pse sipas tij, duhet të vazhdojë në pushtet.
“Pse kjo parti duhet ta synojë besimin edhe më tutje? Pse duam të qëndrojmë? Jo sepse dimë më shumë se tjerët, jo sepse vetëm ne mundemi ta udhëheqim vendin, as sepse kundërshtarët tanë janë pa kokë, por as sepse jemi të vetëlidhur pas karrigeve të pushtetit. Ka të bëjë me orën ku ndodhet Shqipëria. Kjo nuk do të thotë se nuk duhet të ketë rrotacion…”, tha ai.
Ai solli para socialistëve shembujt e disa pushtetarëve në botë, që sipas tij, nuk e humbën pushtetin nga dëgjimi, por humbën dëgjimin nga pushteti.