Connect with us

Aktualitet

Vapa po ‘vjedh’ gjumin e Evropës, ekspertët paralajmërojnë pasoja serioze për shëndetin

Valët e të nxehtit që kanë përfshirë Evropën këtë verë po sjellin pasoja që shkojnë përtej temperaturave rekord. Një prej efekteve më shqetësuese është përkeqësimi i cilësisë së gjumit, me miliona njerëz që po kalojnë net pa pushim për shkak të vapës.

Sipas një ankete të realizuar në Mbretërinë e Bashkuar, rreth 65 për qind e të rriturve kanë deklaruar se gjatë netëve më të nxehta kanë qëndruar zgjuar deri në tre orë ose më shumë, duke humbur një pjesë të konsiderueshme të gjumit.

Shkencëtarët e lidhin këtë fenomen me ndryshimet klimatike, të cilat po zgjasin sezonin e verës dhe po rrisin temperaturat gjatë natës. Evropa konsiderohet kontinenti që po ngrohet më shpejt në botë, ndërsa netët tropikale po bëhen gjithnjë e më të shpeshta.

Një nga rastet më ekstreme u regjistrua në landin gjerman të Saksonisë, ku temperatura minimale gjatë natës arriti në 29.4 gradë Celsius. Sipas ekspertëve, temperatura të tilla gjatë natës janë tashmë shumë më të zakonshme sesa disa dekada më parë.

Një studim ndërkombëtar, i bazuar në analizën e më shumë se 165 milionë netëve të gjumit të mbi 318 mijë personave, tregon se kur temperaturat e natës rriten nga rreth 12 në 27 gradë Celsius, rritet me 40 për qind mundësia që një person të flejë më pak se gjashtë orë.

Ekspertët paralajmërojnë se mungesa e gjumit nuk shkakton vetëm lodhje. Ajo ndikon drejtpërdrejt në përqendrim, kujtesë dhe gjendjen emocionale, ndërsa në planin afatgjatë lidhet me rritjen e rrezikut për sëmundje të zemrës, diabet, obezitet dhe depresion. Gjumi cilësor mbetet një faktor kyç për funksionimin normal të sistemit imunitar dhe mirëqenien fizike e mendore.

Studiuesit e konsiderojnë pagjumësinë e shkaktuar nga temperaturat e larta si një nga pasojat më pak të dukshme të ndryshimeve klimatike. Edhe pse nuk prodhon pasoja të menjëhershme, efekti grumbullohet natë pas nate dhe mund të ketë ndikim të rëndësishëm në shëndetin publik dhe produktivitetin ekonomik.

Më të rrezikuarit mbeten fëmijët, të moshuarit, personat me sëmundje kronike dhe familjet me të ardhura të ulëta, të cilat shpesh nuk kanë mundësi të përdorin sisteme ftohjeje. Sipas studiuesve, edhe nëse emetimet e gazrave serrë reduktohen ndjeshëm, përshtatja me netët gjithnjë e më të nxehta do të mbetet një sfidë për shumë vite, ndaj kërkohen politika që mbrojnë shëndetin e qytetarëve gjatë valëve të të nxehtit.

Advertisement