Bota
Turqia lëshoi urdhër-arrest ndërkombëtar/ Netanyahu: Erdogani diktator antisemit…
Menjëherë pas njoftimit të Turqisë për nisjen e procedurave për një njoftim të kuq ndërkombëtar ndaj kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, ka ardhur edhe reagimi i këtij të fundit.
Netanyahu ka sulmuar ashpër presidentin turk Recep Tayyip Erdoğan, duke e cilësuar atë një “diktator antisemit” dhe duke hedhur një sërë akuzash ndaj tij.
“Erdogani është një diktator antisemit që masakroi kurdët, u dha strehim terroristëve të Hamasit, pushtoi gjysmën e Qipros dhe burgosi një numër rekord gazetarësh dhe kundërshtarësh politikë. Tani ai po përpiqet ta zgjerojë agresionin e tij kundër Izraelit në Siri”, deklaroi Netanyahu.
Kryeministri izraelit shtoi se vendi i tij nuk do të tolerojë atë që e cilësoi si përpjekje të Erdoganit për të frikësuar drejtuesit dhe ushtarët izraelitë.
“Përpjekja patetike e Erdoganit për të frikësuar udhëheqësit dhe ushtarët e Izraelit, e vetmja demokraci e vërtetë në Lindjen e Mesme, nuk do të ketë sukses”, u shpreh Netanyahu.
Nga ana tjetër, ministri turk i Drejtësisë, Akin Gürlek, konfirmoi se Ankaraja ka nisur procedurat për kërkimin e një “njoftimi të kuq” nga Interpoli për Netanyahun dhe shtetasin izraelit Afek Moskovitch.
Sipas Gürlek, urdhër-arrestet janë lëshuar më 14 korrik 2026, në kuadër të një çështjeje që lidhet me akuzat për gjenocid në Gaza dhe incidentin me aktivistët e Global Sumud Flotilla në ujërat ndërkombëtare.
“Ministria e Drejtësisë i ka kërkuar Ministrisë së Brendshme të lëshojë një ‘njoftim të kuq’ për arrestimin e tyre ndërkombëtar”, deklaroi ministri turk.
Çështja lidhet me një incident të disa muajve më parë, kur rreth 430 anëtarë ekuipazhi nga 50 anije u ndaluan nga ushtria izraelite në Mesdhe, në perëndim të Qipros. Aktivistët u dërguan në Izrael dhe më pas u mbajtën në burgun Ktziot, përpara se të deportoheshin.
Ngjarja shkaktoi reagime ndërkombëtare, veçanërisht pas publikimit të një videoje nga ministri izraelit i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, ku shfaqeshin aktivistë të ndaluar me duart e lidhura dhe të detyruar të gjunjëzoheshin.
Sipas ministrit Gürlek, Netanyahu dhe Moskovitch akuzohen për një sërë veprash të rënda, përfshirë krime kundër njerëzimit, gjenocid, privim të rëndë të lirisë, dëmtime të qëllimshme trupore, keqtrajtim, dëmtim prone, grabitje dhe sekuestrim të mjeteve të transportit.
Turqia këmbëngul se përgjegjësit për veprimet në Gaza nuk duhet të mbeten të pandëshkuar.
“Ne nuk do të lejojmë që krimet e kryera në Gaza të mbulohen, dhe as ata që janë përgjegjës nuk do të mbrohen nga mburoja e pandëshkueshmërisë. Ne do të përdorim me vendosmëri të gjitha mjetet e disponueshme sipas ligjit kombëtar dhe ndërkombëtar”, deklaroi Gürlek.
Përplasja publike mes Ankarasë dhe Tel Avivit pritet të thellohet pas kësaj lëvizjeje të Turqisë, ndërsa çështja e urdhër-arrestit ndërkombëtar ndaj Netanyahut merr një tjetër dimension në arenën ndërkombëtare.