Politike
Protesta përballë pushtetit/ Bushati: Largimi i Ramës nuk varet më nga sheshi
Analisti Andi Bushati ka komentuar vazhdimësinë e protestave qytetare kundër qeverisë së Edi Ramës, duke vlerësuar se lëvizja e ka arritur tashmë objektivin kryesor.
Sipas Bushatit, masiviteti i protestave ka qenë i mjaftueshëm për të treguar nivelin e pakënaqësisë qytetare ndaj qeverisë dhe klasës politike.
“Do mjaftonte qoftë edhe një javë protestë dhe ai masivitet që ne e kemi parë, për të kuptuar që në këtë vend ka një pakënaqësi ekstreme”, deklaroi Bushati.
Ai argumenton se edhe nëse protestat do të ndërpriteshin, mesazhi i tyre tashmë është dhënë. Sipas tij, qytetarët kanë shprehur qartë lodhjen dhe pakënaqësinë ndaj mënyrës së qeverisjes.
Bushati thekson se vazhdimi i protestës në shtator, pavarësisht numrit të pjesëmarrësve, nuk do të ndryshonte domosdoshmërisht mesazhin që është përcjellë deri tani.
Por, sa i përket mundësisë së largimit të Edi Ramës nga pushteti, analisti shprehet se kjo nuk varet më nga kohëzgjatja apo masiviteti i protestës.
Sipas tij, në një sistem demokratik, pakënaqësia e qytetarëve ndaj qeverisë reflektohet përmes zgjedhjeve dhe rezultatit në votime.
“Edhe sikur 2 milionë shqiptarë të dalin në shesh, qeveria s’ka pse të japë dorëheqjen”, deklaroi Bushati.
Ai pretendon se në Shqipëri mekanizmat politikë që do të duhej të garantonin largimin e një qeverie përmes vullnetit qytetar nuk po funksionojnë sipas tij në mënyrën e duhur.
Në këtë kuadër, Bushati argumenton se suksesi i protestës nuk duhet të matet vetëm me reagimin e qeverisë apo me largimin e saj nga pushteti.
Sipas tij, rezultati më i rëndësishëm i protestave është fakti se ato kanë bërë të dukshme pakënaqësinë e një pjese të madhe të shoqërisë dhe kanë sjellë në vëmendje kërkesën për ndryshim politik.