Connect with us

Politike

Nga Spiropali te ish-ministri, kush nuk iu bind “Pranisë Besnike” të Ramës?

Pas urdhrit të kryeministrit Edi Rama, deputetët e Partisë Socialiste kanë nisur zbritjen në terren në kuadër të nismës së re të quajtur “Prania Besnike”. Sipas kryeministrit, kjo nismë synon krijimin e një kontakti të drejtpërdrejtë me qytetarët, për të dëgjuar ankesat, shqetësimet dhe kërkesat e tyre.

Një pjesë e deputetëve socialistë kanë nisur takimet që këtë të premte, ndërsa në aktivitetet e para janë përfshirë edhe drejtues të institucioneve shtetërore dhe militantë të Partisë Socialiste.

Por në nisje të kësaj nisme duket se nuk ka pasur një zbatim të njëjtë nga të gjithë deputetët. Disa prej tyre nuk kanë zhvilluar ende takime publike, ndërsa nuk kanë publikuar as informacion mbi angazhimin e tyre në terren.

Mes emrave që nuk kanë bërë ende të ditur aktivitetet në kuadër të “Pranisë Besnike” është ish-kryetarja e Kuvendit dhe ish-ministrja e Punëve të Jashtme, Elisa Spiropali. Edhe ish-ministri Fatmir Xhafaj nuk ka publikuar deri tani informacion se ku do ta zhvillojë këtë nismë. Ndërkohë, raportohet se deputeti Erion Braçe pritet t’i nisë takimet nga java e ardhshme në njësinë administrative nr. 5 në Tiranë.

“Prania Besnike” është prezantuar si nisma e re politike e Partisë Socialiste, përmes së cilës qytetarët do të kenë mundësi t’ua përcjellin drejtpërdrejt përfaqësuesve të PS-së problemet, shqetësimet dhe kërkesat e tyre. Ajo është konceptuar si një mekanizëm plotësues i dokumentit strategjik të Partisë Socialiste, “Besa”.

Kryeministri Edi Rama ka njoftuar se takimet do të zhvillohen çdo të premte, në të njëjtën orë dhe në të njëjtin vend, në të gjithë vendin. Nisma synon që deputetët dhe strukturat socialiste të kenë një prani të vazhdueshme pranë qytetarëve dhe të mbledhin problematikat që kërkojnë ndërhyrje nga institucionet

Advertisement