Connect with us

Politike

Trafik armësh nga Shqipëria? SPAK nis lëvizjen, Ahmetaj: Të bien në duart e prokurorëve të ndershëm

Ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj është shfaqur sërish publikisht nga arratia, duke komentuar vendimin e SPAK për të nisur verifikimet pas deklaratave të tij lidhur me pretendimet për trafik armësh nga Shqipëria.

Në një lidhje direkte televizive, Ahmetaj tha se shpreson që materialet e bëra publike të shqyrtohen nga prokurorë të SPAK, të cilët ai i cilësoi si të pavarur dhe të ndershëm.

Në qendër të deklaratave të tij janë disa përgjime dhe pretendime lidhur me prodhimin dhe qarkullimin e armëve, ndërsa Ahmetaj kërkoi që organi i akuzës të analizojë edhe deklaratat e bëra në Kuvend nga ministri i Mbrojtjes.

Sipas Ahmetajt, një prej deklaratave të bëra në Parlament, ku pretendohet se “ne prodhojmë armë”, duhet të verifikohet nga pikëpamja penale. Ai ngriti pikëpyetje se ku prodhohen armët, kush i prodhon dhe ku dërgohen ato, duke hedhur dyshime edhe mbi destinacionin e tyre.

“Shpresoj që të bjerë në duar prokurorësh që janë jashtë kontrollit të kreut të organizatës”, deklaroi Ahmetaj, duke shtuar se nuk e di se çfarë përfundimesh do të nxjerrë hetimi.

Ndërkohë, SPAK ka nisur verifikimet lidhur me deklaratat e ish-zëvendëskryeministrit dhe ka kërkuar nga televizioni “Syri TV” materialet e plota të emisionit ku janë transmetuar përgjimet, përfshirë edhe materialet bruto.

Në fokus të denoncimeve të Ahmetajt janë përmendur biznesmeni izraelit Ron Yefet, kompania “Timak Defense” dhe ajo që ai e quan “koncepti KAYO”.

Ish-zëvendëskryeministri ka ngritur pretendime edhe për aktivitetin e industrisë ushtarake, duke iu referuar materialeve të bëra publike. Sipas tij, armë mund të prodhohen dhe paketohen në Shqipëri dhe më pas të dërgohen drejt zonave të ndryshme të konfliktit.

Tashmë pritet që verifikimet e SPAK të përcaktojnë nëse materialet dhe deklaratat e bëra publike përmbajnë elementë që kërkojnë ndjekje të mëtejshme penale.

Advertisement