Rajon
Nga arratisjet me helikopter te 16 lejet për të dalë nga burgu/ Kush është i njohur Alket Rizai?
Alket Rizai, shqiptari i dënuar në Greqi për disa vepra të rënda penale dhe i njohur për dy arratisje spektakolare nga burgu, është rikthyer në vëmendjen e mediave greke pas një incidenti të fundit jashtë ambienteve të burgut.
Fokusi kryesor është te mënyra se si Rizai ka përfituar në mënyrë të përsëritur nga lejet për të dalë nga burgu, pavarësisht historikut të tij kriminal dhe arratisjeve të mëparshme. Sipas raportimeve të mediave greke, që nga viti 2021 ai ka marrë gjithsej 16 leje.
Sipas legjislacionit grek, një i dënuar mund të kërkojë leje pasi të ketë plotësuar periudhën e përcaktuar të qëndrimit në burg. Kërkesa shqyrtohet nga këshilli i burgut, ndërsa vendimi përfundimtar merret nga prokurori, duke u bazuar edhe në sjelljen e të dënuarit gjatë vuajtjes së dënimit dhe mënyrën se si ka respektuar lejet e mëparshme.
Megjithatë, rasti i Rizait ka rikthyer pikëpyetjet mbi kriteret e përdorura për dhënien e lejeve. Në lejen e fundit, sipas raportimeve, ai u përfshi në një incident të armatosur pranë një bari plazhi në Saronida.
Emri i Rizait ishte përmendur edhe në një ngjarje të rëndë brenda burgut të Domokosit. Më 18 shkurt 2026, i dënuari grek Antonis Papadatos u vra brenda ambienteve të burgut. Sipas raportimeve, autor i dyshuar ishte një i burgosur bullgar, ndërsa pranë tyre ndodheshin edhe një roje burgu dhe Alket Rizai. Roli i këtij të fundit në ngjarje nuk është bërë i qartë.
Rizai u bë i njohur në Greqi në vitin 2006, kur u arratis me helikopter nga burgu i Koridhalosit së bashku me Vasilis Paleokostas, një prej personave më të kërkuar nga autoritetet greke. Tre vjet më vonë, në shkurt 2009, ai u arratis sërish nga i njëjti burg, përsëri me helikopter dhe në bashkëpunim me Paleokostas.
Pas arratisjes së dytë, Rizai u arrestua disa muaj më vonë në Grammatiko, së bashku me bashkëpunëtorin e tij. Historia e tij e arratisjeve dhe lejeve të përsëritura ka rikthyer në Greqi debatin mbi sigurinë e sistemit penitenciar dhe kontrollin e të dënuarve që përfitojnë dalje të përkohshme.