Thinking ...
Connect with us

Kronike

“E godita në zemër”/ Dëshmia e 68-vjeçarit për vrasjen e gruas: Kishim konflikte…

Hysni Patushi, 68-vjeçari i dyshuar për vrasjen me thikë të bashkëshortes së tij, Lumturie Patushi, është marrë në pyetje nga grupi hetimor lidhur me ngjarjen e ndodhur në banesën e çiftit në zonën e Zogut të Zi në Tiranë.

Sipas dëshmisë së tij, mes çiftit kishte pasur konflikte të herëpashershme, të lidhura, sipas tij, me faktin që bashkëshortja qëndronte në shtëpinë e vajzës dhe jo në banesën e tyre. Patushi ka deklaruar se i kishte kërkuar asaj të kthehej në banesë, por ajo nuk kishte pranuar.

Ai ka treguar se paraditen e ngjarjes e kishte telefonuar bashkëshorten dhe ajo i kishte thënë se ndodhej pranë TEG-ut. Sipas dëshmisë së tij, ai shkoi në banesën e vajzës, ku e gjeti gruan, dhe gjatë debatit e goditi me thikë.

“Gjatë debatit e kam goditur me thikë në zemër”, citohet të ketë deklaruar 68-vjeçari para autoriteteve.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 10:20 në një banesë në rrugën “Panorama”, në zonën pas shkollës “Harry Fultz”. Lumturie Patushi u transportua me urgjencë në spital, por nuk mundi t’u mbijetonte plagëve të marra.

Në momentin e ngjarjes, në banesë ndodheshin edhe nipi 14-vjeçar dhe dhëndri i çiftit, i cili është shoqëruar në polici për t’u marrë në pyetje.

Pas ngjarjes, Patushi është larguar nga vendi dhe, pas disa orësh, është arrestuar nga policia. Grupi hetimor vijon punën për dokumentimin e plotë të rrethanave dhe motivit të ngjarjes.

Advertisement