✦
Thinking ...
Connect with us

Bota

Alarm në Greqi, kërcënim me bombë ndaj anijes me 1,500 persona

Një kërcënim për bombë ndaj një anijeje turistike me destinacion Izraelin ka vënë në alarm autoritetet greke, duke shkaktuar një operacion të posaçëm sigurie në portin e ishullit të Sirosit.

Anija “Crown Iris”, me flamur panamez, kishte në bord 940 pasagjerë dhe 597 anëtarë të ekuipazhit dhe pritej të vijonte udhëtimin drejt qytetit izraelit të Haifës, kur autoritetet morën njoftimin për kërcënimin.

Menjëherë pas sinjalizimit, në bord u kryen kontrolle nga personeli i Rojës Bregdetare, i mbështetur nga një qen i specializuar për zbulimin e eksplozivëve dhe një zhytës. Në operacion u përfshi edhe një njësi speciale e Rojës Bregdetare.

Kontrollet paraprake nuk zbuluan praninë e ndonjë bombe. Megjithatë, specialistët do të kryejnë inspektime të mëtejshme përpara se anija të marrë lejen për të rifilluar lundrimin drejt Izraelit.

Ndërkohë, sipas raportimeve, gjatë së njëjtës ditë në Evropë janë regjistruar edhe shtatë kërcënime për bombë ndaj fluturimeve, duke shkaktuar ndërprerje dhe vonesa në aeroporte. Në asnjë prej rasteve nuk është zbuluar lëndë shpërthyese.

Advertisement