Thinking ...
Connect with us

Kronike

80 doza kokainë në makinë/ Dy të rinj arrestohen në Laç

Dy persona janë arrestuar në Laç, pasi dyshohen se merreshin me shpërndarjen e lëndëve narkotike në qytet.

Operacioni policor i koduar “Destinacioni” u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin, në kuadër të hetimeve për goditjen e aktivitetit të paligjshëm në fushën e narkotikëve.

Në pranga kanë rënë G. M., 28 vjeç, banues në Lushnjë, dhe S. K., 19 vjeç, banues në Tiranë.

Sipas Policisë, dy të rinjtë u lokalizuan dhe u ndaluan në lagjen nr. 6 të Laçit. Gjatë kontrollit të automjetit me të cilin udhëtonin, efektivët gjetën dhe sekuestruan një sasi kokaine të ndarë në 80 doza, të dyshuara se ishin përgatitur për shitje.

Nga veprimet hetimore dyshohet se të arrestuarit siguronin lëndën narkotike dhe më pas e ndanin në doza për ta shpërndarë në qytetin e Laçit.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar lënda narkotike, automjeti me të cilin udhëtonin dhe katër aparate celulare.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë për veprime të mëtejshme.

Advertisement