Bota
“Nuk duam luftë me Italinë”/ Huthët pas goditjes së avionit italian
Tensionet mes Arabisë Saudite dhe rebelëve Houthi janë përshkallëzuar, ndërsa grupi jemenas ka deklaruar se nuk e konsideron Italinë palë në konflikt, por ka kritikuar praninë e avionëve italianë në territorin saudit.
Në një deklaratë për ANSA-n, Muhammad Mansur, zyrtar i ministrisë së informacionit të qeverisë Houthi në Sana’a, tha se grupi e konsideron veprimtarinë e tij si “rezistencë të armatosur” ndaj Arabisë Saudite. Ai theksoi se Houthit nuk synojnë përfshirjen e Italisë në konflikt, por ngriti pikëpyetje mbi praninë e avionëve italianë në Arabinë Saudite.
Deklarata vjen një ditë pasi një avion ushtarak italian Eurofighter F-2000 u godit gjatë një sulmi në bazën ajrore të Ta’ifit. Sipas ministrit italian të Mbrojtjes, Guido Crosetto, avioni ndodhej brenda bazës në një zonë të veçuar dhe nuk pati të plagosur mes personelit ushtarak italian. Ai tha gjithashtu se nuk u raportuan dëme të tjera ndaj mjeteve apo infrastrukturës së përdorur nga kontingjenti italian.
Ndërkohë, situata mbetet e tensionuar edhe në kryeqytetin saudit. Flakë dhe një shtëllungë e madhe tymi të zi u raportuan pranë Aeroportit Ndërkombëtar “King Khalid” në Riad. Sipas Reuters, autoritetet saudite kishin dhënë më herët paralajmërime për rrezik nga sulme ajrore, ndërsa mëngjesin e së shtunës alarmet u hoqën. Shkaku i saktë i zjarrit dhe shpërthimeve të raportuara pranë aeroportit nuk është përcaktuar menjëherë.
Raportime për probleme në funksionimin e aeroportit përfshinë anulime dhe vonesa fluturimesh. Zhvillimet e fundit vijnë në kuadër të përshkallëzimit të përplasjeve mes Arabisë Saudite dhe Houthive, të cilët kontrollojnë pjesë të Jemenit dhe kanë intensifikuar sulmet ndaj objektivave saudite.
Italia, ndërkohë, po shqyrton masa për sigurinë e personelit të saj ushtarak në rajon. Ministria italiane e Mbrojtjes ka kërkuar një vlerësim të mëtejshëm mbi situatën dhe opsionet operative për garantimin e sigurisë së kontingjenteve italiane.