Aktualitet
Përplasja për pagat e magjistratëve/ Karanxha: KLGJ duhej të reagonte para skadimit të afatit
Përplasja institucionale për pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve vijon të jetë në qendër të debatit mbi marrëdhëniet mes pushtetit ekzekutiv dhe sistemit të drejtësisë.
Ish-prokurori Ervin Karanxha, në një intervistë tha se konflikti duhet të zgjidhet përmes dialogut institucional dhe transparencës. Sipas tij, në këtë proces ka munguar bashkëveprimi mes institucioneve, veçanërisht përpara përfundimit të afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese.
Karanxha argumentoi se Këshilli i Lartë Gjyqësor duhej të kishte reaguar përpara datës 31 korrik, afat i lidhur me procesin e hartimit të kuadrit të ri ligjor për pagat. Sipas tij, KLGJ duhej të kishte thirrur një tryezë me institucionet përkatëse përpara përfundimit të këtij afati, në mënyrë që të shmangej përshkallëzimi i konfliktit.
“Duhet të ishte thirrur një tryezë. Pra, duhet të ishte thirrur nga KLGJ-ja. Të ishte dhënë një alarm: po skadon afati, nuk kemi informacione”, deklaroi Karanxha.
Ish-prokurori kritikoi gjithashtu mënyrën e marrjes së një vendimi nga KLGJ-ja, duke pretenduar se ai është marrë pa transparencën e nevojshme dhe duke e lidhur këtë me raste të mëparshme që, sipas tij, kanë ngritur pikëpyetje për respektimin e procedurave dhe aksesin e publikut.
Në deklaratat e tij, Karanxha vuri theksin te nevoja për bashkëveprim ndërinstitucional, duke argumentuar se përpara se një mosmarrëveshje të përfundojë në një proces gjyqësor, institucionet duhet të shfrytëzojnë mundësitë për dialog dhe konsultim.
Debati është intensifikuar pas zhvillimeve të fundit mbi formulën e pagave të magjistratëve. Gjykata e Lartë ka deklaruar se vendimi i Gjykatës Kushtetuese nr. 15/2026 është përfundimtar dhe i detyrueshëm, ndërsa ka kërkuar zbatimin e vendimit të KLGJ-së nr. 435, datë 26 gusht 2026, si dhe zhbllokimin e pagave dhe shlyerjen e detyrimeve të prapambetura.
Nga ana tjetër, qeveria ka mbrojtur ndryshimet e propozuara për pagat dhe ka argumentuar për nevojën e një formule të re ligjore. Përplasja tashmë lidhet jo vetëm me nivelin e pagave, por edhe me mënyrën e zbatimit të vendimeve kushtetuese dhe ndarjen e kompetencave ndërmjet institucioneve.
Karanxha vlerësoi se zgjidhja përfundimtare duhet të vijë përmes Gjykatës Kushtetuese dhe kërkoi që konflikti të trajtohet sa më shpejt, në mënyrë që të shmanget një përplasje e zgjatur ndërmjet pushteteve.
“Do ishte mirë që Gjykata Kushtetuese ta zgjidhte shpejt këtë konflikt midis dy pushteteve”, deklaroi ai.