✦
Thinking ...
Connect with us

Aktualitet

12 eurodeputetë kërkojnë hetime të pavarura për veprimet e policisë në protesta

Dymbëdhjetë eurodeputetë i janë drejtuar me pyetje me shkrim Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, duke kërkuar hetime të pavarura për përdorimin e forcës nga policia gjatë protestave në Shqipëri.

Në dokument ngrihen shqetësime për plagosjen e protestuesve dhe gazetarëve me plumba gome, pengimin e punës së medias dhe respektimin e të drejtave të personave të ndaluar, veçanërisht të miturve.

Eurodeputetët kërkojnë që Shërbimi Evropian i Veprimit të Jashtëm t’i adresojë drejtpërdrejt këto pretendime me autoritetet shqiptare dhe të kërkojë hetime të pavarura, të paanshme dhe efektive. Sipas tyre, hetimet duhet të përfshijnë edhe përgjegjësinë e drejtuesve të operacioneve policore, ndërsa rezultatet duhet të bëhen publike dhe të ndiqen me masa gjyqësore ose disiplinore kur konstatohen shkelje.

Një tjetër kërkesë lidhet me garantimin e të drejtave ligjore të të ndaluarve. Firmëtarët kërkojnë bashkëpunim me Avokatin e Popullit dhe monitorim të pavarur, në mënyrë që të miturit dhe personat e tjerë të ndaluar të trajtohen sipas legjislacionit shqiptar dhe standardeve ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.

Në dokument theksohet se llogaridhënia e policisë dhe respektimi i të drejtave themelore duhet të ndiqen edhe në kuadër të Grupkapitullit 1, “Themeloret”, të negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Evropian. Eurodeputetët kërkojnë përcaktimin e angazhimeve të matshme për parandalimin e shkeljeve të tjera.

Nisma është ndërmarrë nga eurodeputeti austriak Reinhold Lopatka. Mes 12 firmëtarëve është edhe Fredi Beleri, ndërsa shumica u përkasin Partisë Popullore Evropiane.

Dokumenti përbën kërkesë të një grupi eurodeputetësh dhe jo qëndrim zyrtar të Parlamentit Evropian. Deri në momentin e publikimit nuk ishte bërë publike një përgjigje e Kaja Kallas ose e Shërbimit Evropian të Veprimit të Jashtëm.

Advertisement