Rajon
RA VUÇIÇI, TELEVIZIONI SERB THYEN HESHTJEN: PER VITE I MBYLLEM SYTE, NUK JU TREGUAM TE VERTETEN
Pas humbjes historike të Aleksandar Vuçiçit, një televizion publik në Serbi ka bërë një pranim të pazakontë: për vite me radhë ka heshtur për probleme të rëndësishme, ka raportuar në mënyrë të njëanshme dhe nuk ka bërë pyetjet që duhej t’u drejtonte pushtetarëve.
Një zhvillim i fortë ka tronditur skenën mediatike serbe, vetëm një ditë pas zgjedhjeve parlamentare të 25 tetorit, që i dhanë fund dominimit politik 14-vjeçar të Aleksandar Vuçiçit.
Në edicionin e lajmeve të orës 17:00, më 26 tetor, Radio-Televizioni publik i Vojvodinës (RTV) nisi transmetimin jo me një lajm të zakonshëm, por me një kërkimfalje për publikun.
Pas pamjeve të qytetarëve që festonin fitoren e lëvizjes studentore në Novi Sad, prezantuesi Goran Eror lexoi një deklaratë në të cilën pranohej se transmetuesi publik kishte dështuar për vite të tëra në përmbushjen e misionit të tij.
Mesazhi ishte i rëndë: ishin heshtur probleme, ishin mbyllur sytë përballë fakteve dhe qytetarëve nuk u ishte ofruar raportim i paanshëm.
Deklarata vinte nga një pjesë e punonjësve të RTV-së, të cilët pohuan se kishin luftuar brenda institucionit për gazetari të lirë dhe respektimin e etikës profesionale, por nuk kishin arritur të ndryshonin situatën në kohë.
Kërkimfalja u shoqërua edhe me ndryshime në drejtimin editorial. Nenad Çaçiç, kryeredaktori në detyrë i programit të parë televiziv, dha dorëheqjen, ndërsa në vend të tij u emërua Blažo Popoviç.
Por ajo që e bën këtë ngjarje veçanërisht domethënëse është koha kur ndodhi.
Për vite me radhë, organizata gazetarësh dhe vëzhgues ndërkombëtarë kishin ngritur shqetësime për ndikimin politik dhe mungesën e pavarësisë editoriale në mediat serbe.
Tani, pas humbjes së aleancës së Vuçiçit përballë kandidatëve të mbështetur nga studentët, pranimi publik i dështimit editorial ngre pyetje që shkojnë përtej një televizioni.
Pse ky pranim erdhi vetëm pas ndryshimit të ekuilibrave politikë? Kush mban përgjegjësi për informacionet që nuk iu përcollën qytetarëve? Dhe a mjafton një kërkimfalje për të rikthyer besimin e humbur?
Në Serbi, beteja për pushtetin politik ka hyrë në një kapitull të ri. Por kërkimfalja e RTV-së ka hapur një tjetër debat: atë për përgjegjësinë e mediave publike përpara qytetarëve që i financojnë.
Sepse çështja nuk është vetëm çfarë u transmetua gjatë këtyre viteve, por edhe çfarë publikut iu la pa treguar.