Kronike
E VRAU DHE E HODHI NE PUS, RREFEHET AUTORI ITALIAN: UNE E BERA SEPSE…
Një 29-vjeçar italian ka pranuar autorësinë e vrasjes së Denaldo Maxhallakut, 31-vjeçarit shqiptar, trupi i të cilit u gjet të mërkurën në një pus në zonën e Longianos, në Itali. Sipas hetimeve paraprake, krimi dyshohet se ndodhi pas një konflikti për borxhe të lidhura me drogën.
Denaldo Maxhallaku ishte larguar nga banesa mbrëmjen e 8 tetorit, duke i thënë bashkëshortes se do të shkonte në një lokal dhe se do të takoheshin sërish në mbrëmje. Por ai nuk u kthye më në shtëpi, duke lënë pas bashkëshorten dhe vajzën e tyre vetëm një vjeçe.
Sipas hetimeve, 29-vjeçari, i cili përdorte lëndë narkotike, kishte grumbulluar borxhe të konsiderueshme për drogën. Gjatë konfliktit, ai dyshohet se ka nxjerrë një armë dhe ka qëlluar shqiptarin, duke i shkaktuar vdekjen.
“Kam pasur frikë për veten dhe familjen time, jam ndier i kërcënuar”, mësohet të ketë deklaruar i dyshuari, duke u përpjekur të shpjegojë veprimet e tij.
Ai ka rrëfyer gjithashtu se pas vrasjes kishte humbur kontrollin dhe kishte transportuar trupin e 31-vjeçarit, duke e hedhur në një pus pranë fushave, me qëllim fshehjen e krimit. Për të zhdukur gjurmët, i dyshuari dyshohet se i ka vënë flakën edhe automjetit të shqiptarit.
29-vjeçari ndodhet aktualisht në ambientet e karabinierëve në Savignano. Në orët në vijim pritet të transferohet në burgun e Forlit, ku do të qëndrojë në pritje të seancës për vleftësimin e ndalimit.
Ndërkohë, për të përcaktuar me saktësi shkaqet dhe rrethanat e vdekjes së 31-vjeçarit, pritet të caktohet ekspertiza mjekoligjore dhe të kryhet autopsia. Hetimet vijojnë për të dokumentuar plotësisht dinamikën e krimit dhe për të sqaruar çdo detaj të ngjarjes.