✦
Thinking ...
Connect with us

Politike

BERISHA: MERITONI PLUMBA GOME DHE THYERJE KOCKASH E KAFKASH

Seanca e sotme parlamentare ka nisur me tensione të ashpra mes mazhorancës dhe opozitës. Kjo e fundit bllokoi foltoren, ndërsa kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi prezantonte rendin e ditës.

Me të marrë fjalën, kryedemokrati Sali Berisha bëri thirrje për dhunë ndaj deputetëve socialistë, për të cilët tha se meritojnë plumba gome, gaz lotsjellës e ‘çarje kafkash’.

“Në rrugët e Tiranës u thyen kocka të rinjsh. U çanë kafka. U përshtatën mjetet më të egra dhe u përdorën kundër të rinjve. Këta që shihni këtu janë më kriminelë se ata që thyejnë kocka e çajnë kafka. Këta meritojnë gazin lotsjellës dhe plumbat e gomës”, tha Berisha.

Menjëherë kryeparlamentari Niko Peleshi kritikoi kreun e PD-së dhe i hoqi atij të drejtën e fjalës për gjithë ditën, me argumentin se Berisha bëri thirrje të hapur për dhunë nga foltorja e Kuvendit.

“Zoti Berisha ky nuk është procedurë, por është përdhunim… T’i hiqet fjala, sipas rregullores ju hiqet e drejta e fjalës për ditën e sotme. Keni bërë thirrje për dhunë nga foltorja e Kuvendit. Uluni te vendi juaj, s’keni të drejtë fjale për gjithë ditën e sotme”, tha Peleshi.

Fill pas këtij episodi, seanca plenare u ndërpre për disa minuta, për të rinisur në një moment të dytë.

Sipas rendit të ditës, seanca parashikon shqyrtimin e 12 projektligjeve, një akti normativ dhe tri projektvendimeve, krahas një interpelance me ministrin e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, të kërkuar nga deputetja demokrate Ina Zhupa.

Mes nismave kryesore është projektligji i ri “Për Bankën e Shqipërisë”, për miratimin e të cilit kërkohet shumicë e cilësuar votash. Në rendin e ditës është përfshirë edhe projektligji për krijimin e Këshillit Fiskal të Republikës së Shqipërisë, si dhe ndryshimet në legjislacionin për akcizat.

Gjatë seancës së kaluar pati tensione dhe përplasje. Sekretariati i Etikës përjashtoi me 60 ditë 6 deputetë të Partisë Demokratike: Flamur Noka, Belind Këlliçi, Edi Paloka, Fidel Kreka, Luçiano Boçi dhe Besart Xhaferri.

Grupi i PD bllokoi që në nisje të seancës foltoren dhe debatoi ashpër me kryeparlamentarin Niko Peleshi. Pas tensioneve të fillimit, Peleshi vendosi kalimin e seancës direkt në votim të projekt ligjeve.

Peleshi i ndërpreu fjalën, Berisha paralajmëron socialistët në Kuvend: Do keni fatin e Belinda Ballukut, të gjithë do shkoni pas saj në burg

1793266363_saliberishakuvend.jpg

Kryedemokrati Sali Berisha, edhe pasi Niko Peleshi i ndërpreu fjalën pas thirrjeve për dhunë, e vijoi deklaratën e tij përmes video-lives në rrjetet sociale.

Teksa tha se kryeministri Edi Rama do të ketë fatin e ish-diktatorit rumun Nikola Çaushesku, Berisha paralajmëroi deputetët dhe ministrat socialistë se do të shkojnë pas ish-zv.kryeministres Belinda Balluku, në burg.

Më tej Berisha tha se dy kongresmenë amerikanë i kanë kërkuar sekretarit Marco Rubio sanksionimin e kryeministrit Rama dhe Ballukut.

Pjesë nga fjala e Berishës përmes video-lives në rrjetet sociale:

Të dashur qytetarë dhe qytetare, ky grup i strukturuar kriminal i Partisë Socialiste, injoron të gjitha zhvillimet në rrugë, revoltën studentore dhe bën sikur nuk ka ndodhur asgjë. Këta mbrojnë krimet e tyre. Këta mbrojnë pasuritë e vjedhura. Këta mbrojnë vrasjet që kanë porositur. Këta janë më kriminelët në Shqipëri. Këta janë më kriminelë se ata që ndodhen në qeli. Ikni, ikni edhe ju. Ikni se do ikni. E keni parë ju se çfarë u bëjnë në debate? Se si ia nxijnë fytyrën si legeni? Se si ua nxjerrin fytyrën?

Si ka mundësi mor që ngriheni kundër studentëve, ngriheni kundër fëmijëve të shqiptarëve? Pasi u keni vrarë shpresën, doni t’i vrisni fizikisht. A e kuptoni ju pse luftojnë studentët? A e kuptoni betejën e tyre? Është betejë për çdo shqiptar, është betejë për këtë vend, për të ardhmen e tij, të cilën ia rrëmbyet, të cilën e shndërruat në pasuri përrallore, e shndërruat në konto bankare të pafundme, në vila e pallate. Në Evropë dhe në botë nuk ka një grup më kriminal se ju. Kaq është i Koresë së Veriut, por ai është për arsye ideologjike, jo për vjedhjen e qytetarëve.

Të dashur qytetarë dhe qytetare, një mbështetje e madhe vjen Kongresi i SHBA. Dy kongresmenë ndër më të shquarit të atij vendi i dërgojnë një letër sekretarit Rubio. Kongresmeni Joe Ëilson, kryetar i Komisionit të Helsinkit në Kongresin amerikan dhe kongresmeni Keith Self. Në këtë letër ata kërkojnë sanksionimin e Edi Ramës. Ata kërkojnë sanksionimin e Lubi Ballukut. E di si do shkoni ju pas Lubisë, njëri pas tjetrit. E keni parasysh legjendën që kur i prekte zana, shndërroheshin në gurë. Ju do shndërroheni në të burgosur. Ju u ka peng Lubia. Pra, ju u ka prekur Lubia, të gjithë do jeni në burg si Lubia. Mos e mbroni Padrinon, mos e mbroni një kriminel, një shpirt xhelat.

Advertisement