✦
Thinking ...
Connect with us

Politike

Zgjedhjet lokale/ Celibashi: Probleme ligjore nëse Kodi Zgjedhor nuk ndryshon brenda vitit

Data 9 maj është dekretuar për zhvillimin e zgjedhjeve vendore, por përgatitjet për procesin elektoral përballen ende me paqartësi ligjore. Me ndarjen e re territoriale në 46 bashki, Kodi Zgjedhor duhet të përshtatet me realitetin e ri, ndaj Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, u ka kërkuar partive politike të nisin sa më shpejt diskutimet për ndryshimet e nevojshme.

Sipas Celibashit, duhet të rishikohen rregullat për zgjedhjen e anëtarëve të këshillave bashkiakë, numrin e tyre dhe përfaqësimin e njësive të ndryshme territoriale brenda bashkive. Ai kritikoi vonesat e partive politike dhe paralajmëroi se, nëse ndryshimet nuk miratohen deri në fund të vitit, KQZ-ja mund të përballet me vështirësi praktike, por edhe me probleme ligjore në organizimin e zgjedhjeve.

Një tjetër çështje e diskutuar është votimi dhe numërimi elektronik. Celibashi kërkon që ky sistem të shtrihet të paktën në katër bashki, por Partia Demokratike ka kundërshtuar përdorimin e tij, duke ngritur shqetësime për sigurinë. Kreu i KQZ-së vlerëson se pretendimet e opozitës nuk qëndrojnë dhe kërkon dialog mes mazhorancës dhe partive të tjera për të arritur konsensus.

Në zgjedhjet e ardhshme do të testohet sërish edhe inteligjenca artificiale në procesin e numërimit të votave. Sipas Celibashit, pilotimi do të zhvillohet në dy KZAZ, një në Tiranë dhe një në një bashki më të vogël.

Ndërkohë, demokratët kanë paralajmëruar se do ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese ndarjen e re territoriale me 46 bashki. Celibashi deklaron se një proces i tillë gjyqësor nuk ndikon në përgatitjet e KQZ-së për zgjedhjet, por mbetet për t’u parë nëse partitë do të arrijnë në kohë marrëveshjen për ndryshimet në Kodin Zgjedhor.

Advertisement