Bota
Uashingtoni ndal pagesat për Izraelin, çfarë u dakordësua me Netanyahun?
Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se ka arritur një marrëveshje me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu për t’i dhënë fund ndihmës financiare ushtarake amerikane për Izraelin pas përfundimit të këtij viti.
Në një intervistë për Fox News, Trump tha se Izraeli nuk ka më nevojë për këtë mbështetje financiare, duke kujtuar se Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë vendit rreth 4 miliardë dollarë në vit. Sipas tij, vendimi për ndërprerjen e pagesave ishte diskutuar me Netanyahun disa muaj më parë.
“Duke filluar nga fundi i këtij viti, nuk do t’i bëjmë më pagesa Izraelit. Sigurisht, do ta ndihmojmë Izraelin nëse lind nevoja”, deklaroi Trump.
Presidenti amerikan kritikoi gjithashtu disa demokratë dhe politikanë të krahut të majtë, të cilët, sipas tij, po përdorin financimin amerikan për Izraelin në debatet politike kundër republikanëve.
Megjithatë, Trump la të hapur mundësinë e mbështetjes amerikane në rast nevoje, duke mos përjashtuar ndihmën për Izraelin edhe pas përfundimit të financimit të përmendur.