Bota
REPUBLIKANET E TRUMP HUMBASIN SHUMICEN NE KONGRESIN AMERIKAN
Demokratët pritet të marrin kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve në Kongresin amerikan, duke i dhënë fund shumicës republikane në këtë dhomë.
Sipas projeksioneve të Decision Desk HQ, rezultatet e deritanishme të zgjedhjeve të mesmandatit tregojnë se demokratët do të sigurojnë shumicën e nevojshme për të kontrolluar Dhomën e Përfaqësuesve.
Nëse ky projeksion konfirmohet, presidenti Donald Trump do të përballet me një Kongres të ndarë politikisht, nëse republikanët ruajnë Senatin, ose me kontroll demokrat të të dyja dhomave, nëse demokratët fitojnë edhe shumicën në Senat.
Marrja e Dhomës së Përfaqësuesve do t’u jepte demokratëve mundësinë të bllokonin një pjesë të agjendës legjislative të Trump dhe të ushtronin kontroll më të madh parlamentar ndaj administratës së tij.
Zgjedhjet në SHBA/ Demokratët u marrin republikanëve një mandat në Senat! Roy Cooper fiton në Karolinën e Veriut, duhen edhe 3 për shumicën

Demokratët kanë shënuar një fitore të rëndësishme në zgjedhjet e mesmandatit në SHBA, duke u marrë republikanëve një mandat në Senat.
Sipas projeksioneve të CNN dhe NBC, demokrati Roy Cooper ka fituar garën në Karolinën e Veriut, duke përmbysur kontrollin republikan mbi këtë mandat.
Kjo fitore ka rëndësi të veçantë për betejën për kontrollin e Senatit. Demokratëve u duhen katër mandate shtesë për të siguruar shumicën dhe, pas fitores së Cooper, u mbeten edhe tri për të arritur këtë objektiv.
Gara për kontrollin e Senatit mbetet e hapur, ndërsa numërimi i votave vazhdon në shtetet e tjera.
Zgjedhjet në SHBA/ New York Times: Demokratët kanë 93% shanse të marrin Dhomën e Përfaqësuesve dhe 78% Senatin

Rezultatet e para të zgjedhjeve të mesmandatit në SHBA kanë rritur pritshmëritë për një fitore të demokratëve në Kongres.
Sipas parashikimeve të publikuara nga New York Times, bazuar në rezultatet e deritanishme, demokratët kanë 93% mundësi të marrin kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve dhe 78% të Senatit.
Demokratët surprizojnë edhe në Teksas, Talarico kryeson me 21 pikë në bastionin e Trump
Demokratët kanë shënuar një rezultat të rëndësishëm edhe në Teksas, një nga shtetet tradicionalisht republikane. Kandidati demokrat për Senatin amerikan, James Talarico, ka siguruar një avantazh prej 21 pikësh përqindjeje në votimin e parakohshëm në qarkun Tarrant, ku ndodhet qyteti Fort Worth.
Rezultati tërheq vëmendjen pasi në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024, Donald Trump fitoi në këtë qark me një diferencë prej 5 pikësh përqindjeje ndaj rivales demokrate.
Tarrant konsiderohej dikur një nga bastionet më të mëdha republikane në Teksas. Kalimi nga një avantazh republikan prej 5 pikësh në një epërsi demokrate prej 21 pikësh në votimin e parakohshëm përbën një ndryshim prej 26 pikësh, megjithëse krahasimi është mes dy garave të ndryshme.
Zgjedhjet në SHBA/ Demokratët fitojnë në 6 shtete, CNN konfirmon një seri fitoresh në garat për Senatin dhe guvernatorët
Demokratët kanë siguruar një seri fitoresh në zgjedhjet e mesmandatit në SHBA. Sipas projeksioneve të CNN, kandidatët e tyre kanë fituar garat për guvernatorë dhe senatorë në Illinois, Maryland, Pensilvani, Delaware dhe Massachusetts.
Në Illinois, guvernatori demokrat JB Pritzker është rizgjedhur për një mandat të tretë, duke u bërë demokrati i parë në historinë e këtij shteti që arrin këtë rezultat. Ndërkohë, Juliana Stratton ka fituar vendin në Senat të lënë nga demokrati Dick Durbin, duke mundur republikanin Don Tracy.
Në Maryland, guvernatori Wes Moore ka siguruar mandatin e dytë, ashtu si edhe Josh Shapiro në Pensilvani, i cili ka mundur kandidaten republikane Stacy Garrity.
Fitore kanë shënuar edhe demokratët në Massachusetts, ku guvernatorja Maura Healey është rizgjedhur për një mandat të dytë, ndërsa senatori Ed Markey ka siguruar mandatin e tretë, duke mundur republikanin John Deaton.
Në Delaware, senatori demokrat Chris Coons është rizgjedhur për një mandat të katërt, pasi ka mundur republikanin Michael Katz.
Megjithëse këto rezultate forcojnë pozitat e demokratëve në garat e përfunduara, shumica e tyre përfaqësojnë mandate që partia i zotëronte më parë. Gara për kontrollin e Kongresit vazhdon.
Zgjedhjet në SHBA/ Demokratët ruajnë një tjetër mandat në Florida, Lois Frankel rizgjidhet në Kongres me mbi 71% të votave

Demokratët kanë ruajtur një tjetër mandat në Dhomën e Përfaqësuesve në SHBA. Sipas projeksionit të Associated Press (AP), kongresmenja demokrate Lois Frankel është rizgjedhur në distriktin e 23-të të Floridës, duke mundur kandidaten republikane Deborah Adeyemi.
Me rreth 65% të votave të numëruara, Frankel kryesonte me 71.2%, kundrejt 28.8% të rivales së saj. AP e shpalli fituese në orën 19:34 me orën lokale të bregut lindor amerikan.
Fitorja e Frankel konfirmon mbajtjen e këtij mandati nga demokratët, por nuk u shton atyre një vend të ri në Kongres. Gara për kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve vijon, ndërsa numërimi i votave vazhdon në shtetet e tjera.
Zgjedhjet në SHBA/ Trump shpërthen sërish ndaj Fox News: Po i kushtoni shumë kohë demokratëve

Presidenti amerikan Donald Trump ka vijuar sulmet ndaj televizionit Fox News, duke e akuzuar se po i kushton shumë hapësirë demokratëve dhe se për këtë arsye po humbet audiencën.
“Audienca e Fox News ka rënë ndjeshëm, me 27%, sepse po shpenzojnë shumë kohë duke mbuluar demokratët e fiksuar pas Trump! Problemi janë ata, jo unë. Shifrat e mia janë më të mira se kurrë”, shkroi presidenti në Truth Social.
Megjithatë, sipas një sondazhi të New York Times/Siena College të publikuar në tetor, mbështetja për Trump kishte rënë në 36%, niveli më i ulët i regjistruar nga ky sondazh. Pakënaqësitë e të anketuarve lidheshin kryesisht me menaxhimin e ekonomisë, koston e jetesës dhe luftën me Iranin.
Trump ka sulmuar sërish edhe komentatoren e Fox News, Jessica Tarlov, të cilën më herët e kishte quajtur “budallaqe si guri”. Gjatë transmetimit, moderatori Greg Gutfeld lexoi një mesazh që dukej se i ishte dërguar nga presidenti: “Thuaji Tarlov, që është më e keqja, se çmimet e karburantit janë më të ulëta se në kohën e Bidenit dhe Obamës dhe se ata e lejuan Iranin të kishte bombën bërthamore”.
Zgjedhjet në SHBA/ Demokrati Jon Ossoff rizgjidhet senator në Xhorxhia, ruan mandatin në shtetin që votoi për Donald Trump-in

Senatori demokrat Jon Ossoff është rizgjedhur në Xhorxhia, duke siguruar një tjetër mandat në Senatin amerikan, sipas projeksionit të CNN.
Ossoff ishte i vetmi senator demokrat në detyrë që në këto zgjedhje mbronte mandatin në një shtet ku Donald Trump kishte fituar zgjedhjet presidenciale të vitit 2024.
Fitorja i mundëson demokratëve të ruajnë një vend të rëndësishëm në Senat. Ossoff konsiderohet gjithashtu një nga emrat e mundshëm të Partisë Demokratike për garën presidenciale të vitit 2028.
Zgjedhjet në SHBA, demokratët ruajnë mandatin në Florida! Debbie Wasserman Schultz rizgjidhet për herë të 12-të në Kongres

Demokratët kanë ruajtur një tjetër vend në Dhomën e Përfaqësuesve të Kongresit amerikan. Sipas projeksionit të CNN, Debbie Wasserman Schultz është rizgjedhur për herë të 12-të si përfaqësuese e Floridës, duke mposhtur republikanin Brent Andersen.
Fitorja i siguron Schultz një tjetër mandat dyvjeçar në Kongres, por nuk përbën një vend shtesë për demokratët, pasi ajo mbante të njëjtin mandat edhe përpara zgjedhjeve.
Zgjedhjet në SHBA/ CNN: Demokratët fitojnë në Virxhinia, Mark Warner fiton mandatin e katërt në Senat! Kundërshtoi luftën e Trump kundër Iranit

Senatori demokrat Mark Warner ka siguruar një mandat të katërt në Senatin amerikan, duke mposhtur republikanin Bert Mizusawa në Virxhinia, sipas projeksionit të CNN.
Warner, i cili mban postin e nënkryetarit të Komisionit të Inteligjencës në Senat, ishte një nga tetë ligjvënësit amerikanë të informuar për nisjen e luftës kundër Iranit, të cilën e ka kritikuar duke e cilësuar si një “luftë të zgjedhur” nga presidenti Donald Trump.
Përpara se të zgjidhej senator në vitin 2008, Warner kishte shërbyer si guvernatori i 69-të i Virxhinias.
Zgjedhjet në SHBA/ Trump paralajmëron demokratët: Jam gati të përdor kompetenca të frikshme nëse merrni kontrollin e Kongresit!
Presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar se është gati të përdorë kompetencat e tij presidenciale nëse demokratët fitojnë kontrollin e Kongresit në zgjedhjet e mesmandatit.
“Jam gati të përdor kompetenca të frikshme nëse demokratët marrin kontrollin”, është shprehur Trump.
Edhe gjatë ditëve të fundit, presidenti kishte paralajmëruar se, në rast të fitores së demokratëve, do të shndërrohej në “Mister Veto”, duke përdorur të drejtën e vetos presidenciale për të bllokuar nismat e tyre ligjore në Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senat.
Zgjedhjet në SHBA/ Mbyllen qendrat e votimit në disa shtete, vëmendja te garat e ngushta në Xhorxhia dhe Virxhinia
Qendrat e votimit janë mbyllur në Xhorxhia, Indiana, Kentaki, Karolinën e Jugut dhe Virxhinia, ndërsa ka përfunduar votimi edhe në disa zona të Floridës dhe Nju Hempshajërit. Numërimi i votave ka nisur, me vëmendjen të përqendruar te disa gara që mund të ndikojnë në kontrollin e Kongresit amerikan.
Në Xhorxhia, senatori demokrat Jon Ossoff përballet me republikanin Mike Collins. Sipas mesatares së sondazheve të cituara nga Corriere della Sera, Ossoff kryeson me 8.6 pikë përqindjeje. Shumë më e ngushtë paraqitet gara për guvernator, ku demokratja Keisha Lance Bottoms ka një epërsi prej vetëm 0.3 pikësh ndaj republikanit Rick Jackson.
Në Karolinën e Jugut, republikania Darlene Graham përballet me demokraten Annie Andrews, me një diferencë prej 2.6 pikësh në sondazhe. Ndërkohë, në Virxhinia, vëmendja është përqendruar te tri zona zgjedhore për Dhomën e Përfaqësuesve, VA-01, VA-02 dhe VA-05, ku demokratët po sfidojnë republikanët që mbajnë aktualisht mandatet.
Rezultatet e para pritet të publikohen gjatë natës, ndërsa në garat më të ngushta numërimi mund të zgjasë deri në orët e mëngjesit, sipas orës shqiptare.