✦
Thinking ...
Connect with us

Shkrime

ISHTE LUFTA O BUDALLA/ SI SKIFTERET E FUNDOSEN PARTINE REPUBLIKANE

Republikanët e paguan me humbjen krahun luftënxitës. Lufta me Iranin, e nisur në kundërshtim me premtimet elektorale të Donald Trumpit, rëndoi krizën e kostos së jetesës dhe u shndërrua në një nga faktorët kryesorë të disfatës së tyre në zgjedhjet e mesmandatit.

Gabimi i zakonshëm në analizën politike, është përpjekja për t’i shpjeguar problemet komplekse përmes shkaqeve tepër të thjeshta. Por ekziston edhe gabimi i kundërt: krijimi i ndërlikimeve të panevojshme, kur shpjegimi është fare i qartë.

Pas fitores së thellë të demokratëve në zgjedhjet e së martës për Kongresin amerikan, ku Karolina e Jugut, Kansasi dhe Teksasi kaluan në kampin demokrat, duhet të kemi kujdes nga ata që përpiqen ta mjegullojnë të vërtetën.

Donald Trumpi dhe Partia Republikane e shkelën premtimin për paqen, nisën një luftë të keqllogaritur me Iranin dhe përkeqësuan pikërisht krizën e kostos së jetesës, zgjidhjen e së cilës u kishin premtuar amerikanëve.

Sigurisht, dy vitet e para të administratës Trump u shoqëruan edhe me dështime të tjera: politika kaotike e tarifave, korrupsioni i shfaqur hapur, brutaliteti i operacioneve të agjencisë së emigracionit ICE dhe shndërrimi i presidencës në një spektakël të vazhdueshëm të përqendruar te tekat dhe projektet personale të Trumpit.

Megjithatë, lufta me Iranin zë vendin kryesor, për shkak të pasojave të saj ekonomike dhe tradhtisë së një prej premtimeve themelore të presidentit. Ata që përpiqen ta shmangin këtë përfundim kanë arsye të forta.

Sepse pranimi i tij do të vinte në pikëpyetje të gjithë projektin e tyre politik. Një politikë të jashtme luftënxitëse, sipas së cilës interesat e Shteteve të Bashkuara dhe të Izraelit janë të njëjta ose pothuajse të pandashme.

Për vite me radhë, përfaqësuesit e këtij qëndrimi kanë mbështetur maksimalisht Izraelin, duke i shkaktuar kosto prestigjit ndërkombëtar të Amerikës dhe mirëqenies së qytetarëve të saj. Pas disfatës elektorale që solli lufta me Iranin, kjo qasje e ka gjithnjë e më të vështirë të pretendojë se ëpërfaqëson rrymën kryesore të politikës amerikane.

Sondazhet e kryera me votuesit në dalje të qendrave të votimit, japin rrallëherë rezultate kaq të qarta. Nëntë në dhjetë amerikanë e renditën koston e jetesës ndër shqetësimet kryesore. Vetëm një e katërta e tyre e cilësuan gjendjen e ekonomisë amerikane si “të shkëlqyer” ose “të mirë”, ndërsa tri të katërtat e konsideruan “jo edhe aq të mirë” ose “të dobët”.

Ndërkohë, 87 për qind u shprehën shumë ose disi të shqetësuar për çmimet e benzinës dhe naftës.

Por treguesi më domethënës ishte qëndrimi ndaj luftës: rreth 60 për qind e votuesve i thanë Associated Press se ndërhyrja ushtarake në Iran kishte qenë një gabim.

Është e vërtetë se më shumë njerëz e identifikuan koston e jetesës si faktor vendimtar sesa vetë luftën. Por këto dy çështje nuk mund të ndahen, sepse lufta u shndërrua drejtpërdrejt në një problem të përditshëm ekonomik.

Inflacioni aktual ka edhe shkaqe strukturore, përfshirë prirjen drejt shkëputjes nga globalizimi. Megjithatë, çmimet e energjisë ndikojnë në të gjithë ekonominë. Mbyllja e Ngushticës së Hormuzit nga Irani, si kundërpërgjigje ndaj sulmit amerikano-izraelit, e përkeqësoi në mënyrë të pashmangshme krizën.

Një zyrtar i lartë i administratës Trump, më kishte thënë se Shtëpia e Bardhë nuk duhej t’i shtonte goditjes afatgjatë të inflacionit edhe një tronditje të menjëhershme të tregut energjetik, të shkaktuar nga lufta.

Edhe guvernatori në largim i Floridës, Ron DeSantis, e pranoi hapur këtë realitet. Sipas tij, çmimi i karburanteve ishte rritur për shkak të konfliktit me Iranin dhe kjo po godiste veçanërisht shtresat punëtore. “Nëse nuk mund t’ua pranosh këtë votuesve, po i mashtron dhe ata nuk do të të dëgjojnë as për çështjet e tjera”, deklaroi ai.

Madje, edhe komentues të Fox News, zakonisht mbështetës të Trumpit, shprehën shqetësimin për pasojat e luftës mbi fushatën republikane. Kjo është veçanërisht domethënëse, sepse që nga momenti kur Izraeli kërkoi përfshirjen e Uashingtonit në luftën 12-ditore, në krahun republikan u shfaq një grup i fuqishëm zërash luftënxitës dhe neokonservatorë që këmbëngulnin se ndërhyrja ushtarake kundër Iranit do të ishte popullore ose, të paktën, nuk do të shkaktonte pakënaqësi të madhe.

Në janar, ish-këshilltari i George ë. Bushit, Marc Thiessen, argumentonte se goditja e regjimit iranian nuk do t’i sillte asnjë kosto Shteteve të Bashkuara. Disa javë pas fillimit të luftës, ai e paraqiti atë si dëshminë se “doktrina Trump” do t’u jepte fund përgjithmonë luftërave të pafundme.

Ndërkohë, konflikti me Iranin kishte hyrë tashmë në muajin e nëntë. Të njëjtët zëra minimizuan edhe pasojat ekonomike. John Podhoretz, nga revista Commentary, pretendonte se amerikanët nuk shqetësoheshin shumë për konfliktin dhe se lufta nuk do t’u kushtonte asgjë, përveçse në rastin ekstrem kur çmimi i naftës të arrinte 250 dollarë për fuçi dhe benzina në pompë të kushtonte 9 dollarë për gallon.

Batya Ungar-Sargon, drejtuese në NewsNation, shkonte edhe më tej, duke pretenduar se tregjet financiare nuk ndikoheshin nga lufta dhe se kishin një lloj “sindromi kundër Trumpit”. Por bursat dhe treguesit financiarë, nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht gjendjen ekonomike të qytetarëve të zakonshëm.

Çmimet e aksioneve mund të qëndrojnë të larta, ndërkohë që familjet përballen me fatura gjithnjë e më të rënda. Nafta e Gjirit vazhdonte të transportohej me vështirësi dhe me kosto shumë më të larta, ndërsa bllokada nuk ishte hequr.

Edhe më problematike ishte mënyra se si këta zëra iu kundërvunë çdo përpjekjeje diplomatike. Gjatë verës, kur ekzistonte mundësia e një marrëveshjeje që mund ta nxirrte administratën republikane nga ngërçi në Gjirin Persik, grupet luftënxitëse ushtruan presion kundër negociatave. Revista The Free Press, publikoi thirrjen drejtuar presidentit për të hequr dorë nga një marrëveshje bërthamore me Iranin, ndërsa komentues të tjerë e paraqitën diplomacinë si rrezik dhe çdo përpjekje për kompromis si dobësi.

Marc Thiessen argumentonte se strategjia e Trumpit ndaj Iranit po funksiononte, ndërsa zëvendëspresidenti J.D.Vance po e pengonte atë. Vance ishte vënë në shënjestër pikërisht sepse kishte marrë përsipër drejtimin e negociatave me Republikën Islamike.

Ben Domenech e quajti atë “Obama i kodrave”, duke iu referuar përpjekjeve të tij për të arritur një marrëveshje. Edhe pjesë të së djathtës fetare amerikane u mobilizuan për të justifikuar ndërhyrjen parandaluese ushtarake, duke e paraqitur atë si një luftë të drejtë dhe diplomacinë si alternativë të papranueshme.

Por këto zëra nuk ishin periferikë dhe as të parëndësishëm për vendimmarrjen presidenciale. Shumë prej tyre kishin qenë dikur kundërshtarë të Trumpit, por më pas u rreshtuan si mbështetës të vendosur të lëvizjes MAGA.

Për më tepër, ata morën përsipër të përcaktonin kufijtë e pranueshëm të së djathtës amerikane, duke i cilësuar kundërshtarët e luftës si përfaqësues të parëndësishëm ose, në rastet më ekstreme, si tradhtarë. Dhe Trumpi i dëgjoi.

Sipas burimeve të ndryshme brenda administratës, përfshirë edhe përfaqësues të krahut luftënxitës dhe të atij që kundërshtonte ndërhyrjen, presidenti gjatë mandatit të dytë anashkaloi proceset e zakonshme të konsultimit brenda ekzekutivit.

I bindur se gjatë mandatit të parë “shteti i thellë” (Deep State) e kishte penguar, ai tani parapëlqente të dëgjonte vetëm njerëz besnikë. Ndiqte vazhdimisht Fox Neës dhe kishte kontakte të drejtpërdrejta me donatorë të fuqishëm pro-izraelitë, si Miriam Adelson.

Një nga pasojat ishte mungesa e parashikimit dhe planifikimit serioz të operacionit ushtarak, veçanërisht nënvlerësimi i kërcënimit që përbënte Ngushtica e Hormuzit. Kështu, kandidati i vitit 2024 që kishte premtuar paqe përfundoi duke realizuar një nga objektivat e vjetra të qarqeve më luftënxitëse të politikës amerikane, të cilat dikur i kishte denoncuar.

Pasojat politike janë shumë të rënda. Trump është tashmë i kufizuar nga zhvillimet e brendshme, ndërsa aftësia e tij për të vazhduar luftën me Iranin, do të varet gjithnjë e më shumë nga fuqia e demokratëve në Kongres për të kontrolluar financimin e operacioneve ushtarake.
Por humbja më e thellë, është shpërbërja e koalicionit të jashtëzakonshëm që ai kishte ndërtuar deri në vitin 2024: një bashkim politik që përfshinte shtresat punëtore të racave të ndryshme, gjysmën e burrave hispanikë dhe një të pestën e burrave afrikano-amerikanë.

Siç kisha paralajmëruar në shtator, lufta me Iranin po e përmbyste sërish këtë rreshtim politik në favor të demokratëve. Goditja është edhe më e madhe për vetë kampin luftënxitës. Për vite me radhë, një pjesë e tij i ka trajtuar interesat amerikane dhe ato izraelite si të pandashme, duke e marrë politikën maksimaliste të së djathtës izraelite si udhërrëfyes të pakundërshtueshëm për Uashingtonin.

Por kjo qasje duket se ka shkuar shumë larg. Vitin e kaluar, zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit, Tammy Bruce, e cilësoi SHBA-në si “vendin më të madh në botë”, përpara se të korrigjohej dhe të shtonte: “pas Izraelit”.

Ku do të shkojnë tani këta zëra? Qarqet që mbështesin një politikë të ashpër në Lindjen e Mesme vazhdojnë të kenë ndikim të konsiderueshëm institucional. Por pikëpamjet e tyre nuk mund të konsiderohen më si përfaqësuese të opinionit mbizotërues amerikan.

Republikanët, ashtu si demokratët, duhet të marrin parasysh sondazhet dhe faktin se politika e jashtme kërkon një shkallë të caktuar mbështetjeje nga qytetarët. Edhe para disfatës së shkaktuar nga lufta me Iranin, sondazhet tregonin se Izraeli, të paktën në versionin e tij aktual maksimalist, ishte gjithnjë e më jopopullor mes demokratëve, votuesve të pavarur dhe brezave të rinj të republikanëve.

Ka shumë gjasa që krahët luftënxitës të mbeten pjesë e koalicionit të gjerë konservator amerikan. Por është e vështirë të përfytyrohet që ata të vazhdojnë të jenë në qendër të vendimmarrjes republikane. Gjithsesi, zbritja e tyre nga pozitat e privilegjuara të pushtetit nuk do të jetë aspak e lehtë./ “Unherd”

Advertisement