Aktualitet
Dalin bisedat e Ergys Agasit me 2 izraelitët: E kam shoqe të ngushtë shefen e shërbimit sekret
Detaje të reja nga dosja hetimore e SPAK hedhin dritë mbi komunikimet mes ish-drejtoreshës së Shërbimit Informativ Shtetëror, Vlora Hyseni, dhe biznesmenit Ergys Agasi, i arrestuar për aferën e AKSHI-t. Në qendër të hetimeve janë edhe kontaktet e Agasit me dy shtetas izraelitë, komunikimet me të cilët janë sekuestruar nga hetuesit.
Sipas dosjes, në një prej mesazheve të gjetura në telefonin e Agasit, në momentin e arrestimit, ai i shkruan shtetasit izraelit Shalev I.: “E kam shoqe të ngushtë shefen e shërbimit sekret”.
Në një tjetër komunikim, drejtuar shtetasit Srulik E.K., Agasi pretendon se drejtuesja e shërbimit sekret do të takohej me të dhe do t’i paraqiste prova për një çështje që, sipas tij, prokurori po e ndiqte për interesa të tjera.
Në dosjen hetimore, SPAK ngre dyshime për ekzistencën e një rrjeti ndërkombëtar, i cili, sipas prokurorisë, mund të ketë shërbyer në funksion të interesave të grupit kriminal. Ky element përmendet edhe në argumentimin e rrezikut të largimit apo fshehjes së provave, në rast se Hyseni do të qëndronte në gjendje të lirë.
Ish-drejtoresha e SHISH akuzohet për “nxjerrje të sekretit shtetëror” dhe “përkrahje të autorit të krimit”. Katër ditë përpara komunikimit të masës së sigurisë “arrest në shtëpi”, ajo ishte marrë në pyetje në SPAK si person në dijeni për kontaktet me Ergys Agasin. Hyseni kishte pranuar komunikimet me biznesmenin, duke argumentuar se ato lidheshin me funksionin e saj zyrtar.
Megjithatë, hetuesit kanë administruar një numër të madh komunikimesh mes tyre. Gjatë kontrolleve të zhvilluara më 22 korrik në ambientet e “Equos Resort”, SPAK gjeti nëntë faqe dokumentesh që dyshohet se përmbanin informacion sekret shtetëror, si dhe qindra komunikime mes Hysenit dhe Agasit.
Nga ana tjetër, gjatë një seance, Agasi ka pretenduar se dokumentet i kishte lënë në automjet me qëllim që ato të gjendeshin nga SPAK. Ndërkohë, komunikimet e zbuluara në telefonat e të dyve, që sipas dosjes shtrihen nga fundi i qershorit deri më 26 gusht, datë kur Agasi u arrestua në Durrës, janë pjesë e provave që po shqyrtohen nga hetimi.