✦
Thinking ...
Connect with us

Aktualitet

AGASI, RRJETI IZRAELIT DHE DOSJA SHQIPTARE, KUSH ËSHTË KËSHILLTARI I NETANYAHUT?

Një emër i njohur në qarqet politike të Izraelit dhe Serbisë del në dosjen hetimore të SPAK ndaj biznesmenit Ergys Agasi dhe ish-drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni. Bëhet fjalë për Srulik Einhorn, i njohur gjithashtu si Yisrael Einhorn, një strateg komunikimi politik që ka punuar si këshilltar i kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu dhe i ish-presidentit serb Aleksandër Vuçiç.

Sipas të dhënave të përfshira në dosje, Einhorn është një prej dy shtetasve izraelitë me të cilët Ergys Agasi ka pasur komunikime. SPAK i referohet atij me emrin Srulik Einhorn Koces dhe evidenton interesin e shfaqur në bisedat që lidhen me ish-kreun e SHISH, Vlora Hyseni.

Nuk janë bërë të ditura rrethanat se si Einhorn është njohur me Agasin, por komunikimet mes tyre janë përfshirë në hetimet e Prokurorisë së Posaçme. Në argumentimin për masën e sigurisë ndaj Hysenit, SPAK ngre dyshime për ekzistencën e një rrjeti ndërkombëtar që mund të vihej në shërbim të interesave të grupit kriminal. Sipas prokurorisë, ky rrjet përbënte një rrezik të shtuar për mundësinë e largimit apo fshehjes së personave dhe provave jashtë kontrollit të autoriteteve shqiptare.

Profili i Einhorn e bën edhe më të ndjeshëm këtë element të dosjes. Ai ka qenë këshilltar i Benjamin Netanyahut në pesë fushata zgjedhore, nga viti 2019 deri në vitin 2022, ndërsa më pas ka punuar edhe me Aleksandër Vuçiçin në Serbi.

Emri i tij është përmendur gjithashtu në disa çështje të bujshme në Izrael. Einhorn është lidhur me hetimet për rrjedhjen e dokumenteve sekrete në vitin 2024 dhe me çështjen e dyshimeve për lidhje me Katarin. Sipas raportimeve të mediave izraelite, ai dyshohet se ka marrë informacione të klasifikuara përmes personave të tjerë të afërt me kryeministrin Netanyahu, pa pasur autorizimin për t’i administruar ato.

Në shkurt të vitit 2025, Einhorn dhe dy këshilltarë të tjerë të lartë të Netanyahut u përballën me akuza për manipulim të dëshmitarëve, në një çështje që lidhet me gjyqin e kryeministrit izraelit për korrupsion, të njohur si çështja 4000.

Ndërkohë, autoritetet izraelite kanë zhvilluar përpjekje për ta marrë atë në pyetje lidhur me këto hetime. Në korrik 2025, Einhorn u mor në pyetje në Serbi, në praninë edhe të përfaqësuesve të policisë izraelite. Sipas raportimeve, negociatat për kthimin e tij në Izrael dhe mundësinë e arrestimit nuk kanë prodhuar një marrëveshje përfundimtare.

Të dhënat e publikuara në vitin 2026 e identifikojnë Einhorn si person të kërkuar nga autoritetet izraelite, me një urdhër arresti në fuqi.

Tashmë, emri i strategut politik izraelit shfaqet edhe në dosjen shqiptare të SPAK. Pyetjet që ngrihen lidhen me natyrën e kontakteve të tij me Ergys Agasin, interesin për Vlora Hysenin dhe rolin që mund të ketë pasur ky komunikim në çështjen që po hetohet nga Prokuroria e Posaçme.

Advertisement