Politike
Rama zbulon tentativën e studentëve: Erdhën që të takoheshin me mua, por u kthyen…
Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar hapjen e një dritareje të re dialogu online, përmes së cilës qytetarët do të kenë mundësi të komunikojnë drejtpërdrejt me të dhe të diskutojnë çështje që i konsiderojnë të rëndësishme.
Gjatë deklaratës së tij këtë të enjte, Rama u ndal edhe te përplasjet lidhur me takimet me studentët, duke pretenduar se tre grupe studentësh që kishin kërkuar të zhvillonin takime me të janë penguar nga persona që ai i cilësoi si “pseudostudentë”.
Sipas kryeministrit, studentët janë përballur me presione, kërcënime dhe bullizim, si në rrjetet sociale, ashtu edhe fizikisht. Ai pretendoi se emrat e tyre janë bërë publikë dhe se janë sulmuar për shkak të dëshirës për të zhvilluar dialog me të, pa kamera dhe pa praninë e mediave.
Rama deklaroi se nuk do të tërhiqet përballë këtyre presioneve dhe paralajmëroi masa ligjore, penale dhe administrative ndaj personave që, sipas tij, shkelin ligjin, bllokojnë rrugët apo ushtrojnë dhunë ndaj policisë
“Nesër do të ndezim një tjetër dritare të dialogut. Dritare të dialogut që u ofrohet atyre që duan të ndërveprojnë me mua për çdo çështje që ata e shohin me rëndësi. Për studentët që kërcënohen nga pseudostudentë që shfaqen në dyert e auditorëve dhe që u çojnë mesazhe të dhunshme kujtdo që mendon ndryshe apo që guxon të hedhë hapin e dialogut.
Tri grupe studentësh janë kthyer pas me dhunë online dhe offline nga këto lloj pseudosh, në përpjekjen e tyre për të ardhur në takim me mua, pa kamera, pa foto, pa njoftim shtypi, thjesht për të biseduar. Tri grupe studentësh me emra dhe mbiemra. Të dekonspiruar, dreqi e merr vesh se si, dhe pastaj të bullizuar në ekstrem.
Një gjë dua të jetë e qartë për të gjithë. Nuk jam më as student, as pedagog, por vij nga një rrugë ku kam qenë student dhe pedagog dhe bashkë me studentët kam dalë kundër një regjimi real, vetëm për një arsye: për të qenë i lirë të them atë që dua, ku të dua.
Kush mendon se me frikën, me trembjen, me kërcënimin, me dhunën do të ketë impaktin më të vogël mbi mua dhe rrugëtimin tonë, i ka bërë të gjitha llogaritë gabim. Ndryshe, do ta marrë përgjigjen hap pas hapi, ligjërisht, edhe penalisht, edhe administrativisht. Edhe ata që bllokojnë rrugët, edhe ata që ngrenë dorën kundër policëve dhe ndërkohë s’duan të dinë për mijëra të tjerë që kanë lirinë e tyre të bëjnë atë që duan, të thonë atë që duan dhe të shkojnë aty ku duan”, tha Rama.