Shkrime
‘TRE GJELA PA PUPLA’ NE LUFTE PER FRONIN E SALI BERISHES, OPOZITARET E RINJ QE PO KAFSHOJNE NJERI-TJETRIN
Nga Mero Baze
Debati mbi bashkimin e opozitës së re me Berishën dhe, akoma më shumë, thirrjet për ta dëbuar atë nga protesta apo opozita e zvogëlojnë opozitën e re. Përpjekjet për ta dëbuar Sali Berishën nga PD-ja janë 36-vjeçare, por kanë dështuar. Nuk kanë dështuar se kanë qenë të gabuara, por se kanë qenë të pamundura.
Partia Demokratike, vit pas viti, ka marrë formën e tij dhe është bërë kështjella e tij, kështu që nuk ka as kuptim t’ia marrësh, as ta dëbosh. E vetmja gjë që ka kuptim është ta mundësh.
Dhe këtu, në betejën e opozitës së re dhe opozitarëve të rinj me Berishën, ka disa rregulla që nuk kanë logjikën e shifrave, por logjikën e shpresës.
Opozitarët e rinj mund ta mundin Berishën vetëm duke mos i ngjarë Berishës. Shifrat dhe përqindjet kanë rëndësi vetëm për Berishën. Për opozitën e re, ato mund të ndryshojnë brenda natës, nëse ata i japin një sinjal shoqërisë se nuk i ngjajnë atij.
Për këtë, së pari, ata nuk kanë pse e kthejnë opozitën e re në një front dhune kundër Berishës dhe Partisë Demokratike, pasi ata nuk dëbohen nga shtëpia e tyre me dhunë, por me votë. Nëse opozitarët e rinj ose një lider i përbashkët i tyre shkëlqen dhe frymëzon popullin opozitar, Sali Berisha le t’i mbajë çelësat e SHQUP-it, se shtëpi pensionistësh ka qenë, por nuk i hyn në punë njeriu. Duke u përpjekur ta përdhunojnë Partinë Demokratike, madje dhe ta poshtërojnë, duke e dëbuar nga protesta apo duke i diktuar se kë duhet të kenë në krye, ata vetëm sa armiqësohen me një elektorat masiv opozitar, të cilëve Berisha u ka mbetur në derë dhe nuk e kanë problem të votojnë një opozitë tjetër. Por, nëse i fyen dhe përleshesh me ta, i çimenton edhe më shumë te Berisha.
Së dyti, liderët e rinj opozitarë fatkeqësisht nuk kanë cilësi më të mira se Berisha në të gjitha aspektet, përveç faktit që nuk janë provuar nëse të vrasin apo të vjedhin në pushtet. Por në opozitë po i reflektojnë të gjitha këto.
Fjala vjen, Agron Shehaj është një lider linçues. Gjithë filozofinë e tij politike e mbështet te përndjekja dhe gjuha linçuese ndaj biznesit apo kundërshtarëve të tij. Ky është tipari më popullor i Sali Berishës. Ai nuk ka lënë biznesmen pa i thënë mafioz, politikan pa i thënë kriminel, gazetar pa i thënë mercenar, grua pa i thënë kurvë dhe kundërshtar brenda partisë pa i thënë besëprerë apo karrigethyer. Por e ka mbajtur stekën lart dhe këto ua ka thënë më të mirëve. Ky ua thotë edhe atyre që ka inat, pse kanë makinë më të mirë se Agroni.
Arlind Qorri po ashtu është një politikan që e ka mbështetur filozofinë e tij politike te lëvizja guerile, atentatet ndaj njerëzve, përndjekja ndaj tyre, duke përdorur njerëz të sëmurë mendërisht apo me probleme psikike. Kështu bën dy herë dëm. E para, se të kujton Berishën, dhe e dyta, që na bën heronj njerëz që kanë nevojë për përkujdesje të shëndetit mendor, të cilët nesër mund të na shiten për heronj. Në traditën e së majtës ekstreme shqiptare prej viteve ’20, këta janë quajtur atentatorë dhe mjerisht janë imponuar si vlera të kombit. Në fakt janë plehra ose njerëz në hall që duhen ndihmuar, por jo nderuar.
Për Lapajn s’po them gjë, se ai më ngjan me këta që përdor Shehaj dhe Qorri.
Unë jam gati të pranoj çdo njeri që sfidon Berishën në opozitë, por jo kopjet e këqija të Berishës, se për atë punë kam më mirë origjinalin.
Opozitën e re e ngjall vetëm shpresa dhe serioziteti, dhe jo përndjekja, linçimi dhe agresiviteti. Ato i mbajnë njerëzit larg tyre.
Partia Demokratike në vitin 1991 lindi si shpresë e shqiptarëve, me mitingje që mbushnin sheshet nga jugu në veri të Shqipërisë, por në zgjedhjet e para humbi me dy të tretat, për shkak të agresivitetit, që në fakt, ishte shumë herë më i ulët se sa shihet sot te opozitarët e rinj. Njerëzit ishin të pasigurt se kujt t’ia dorëzonin Shqipërinë.
Një vit më pas, nën këshillat e atyre që e kuptojnë traumën shqiptare nga liderët e dhunshëm, Sali Berisha modifikoi gjuhën. Përmes sloganit “bashkëvuajtës dhe bashkëfajtorë” u hoqi frikën njerëzve nga ndryshimi dhe mori dy të tretat e votave të shqiptarëve. Sapo e tradhtoi atë premtim, shqiptarët e goditën qysh në korrik të vitit 1992 dhe kurrë nuk doli më parti e parë në Shqipëri deri më sot.
Ndaj debati nëse duhet të bashkohen me Berishën apo ta dëbojnë Berishën është debat pa bukë. Opozita e re nuk ka nevojë as të bashkohet me Berishën, as ta linçojë Berishën, por të ngjallë shpresë në opozitë si një opozitë që nuk i ngjan Berishës. Për ta kuptuar këtë, ktheni kokën pas në qershor të këtij viti, 10 ditët e para të protestës qytetare, kur opozita e Berishës nuk mbështeti protestat për Zvërnecin. Tërheqja e Sali Berishës entuziazmoi mijëra shqiptarë që iu bashkuan protestës në emër të një opozite pa Berishën. Pastaj, sapo filloi kacafytja se e kujt qe opozita, qytetarët u kthyen në shtëpi dhe tani kemi pesë muaj që shikojmë si kacafyten tre-katër gjela pa pupla për t’i hipur njëri-tjetrit në shpinë dhe çdo shqiptari që nuk është dakord me ta. Këta nuk e mundin dot Berishën duke u bërë si nxënës të këqij të tij. Po të jetë për këta, më mirë durojmë një Berishë që po plaket dhe ka një afat skadence se sa disa Berisha të vegjël që mendojnë se ai i vjetri është model suksesi që duhet imituar.
Berisha mundet duke mos qenë si ai, në asgjë. Bashkimi me të i shkrin opozitarët e rinj, ndërsa lufta me të i mban në opozitë si grindavecë dhe linçues të vegjël që mendojnë se kanë të drejtë të shesin linçime opozitarësh. Vetëm një opozitë që nuk i ngjan atij dhe që zhvillohet pavarësisht atij e çon atë në shtëpi. Me votë nga qytetarët, jo nga kryetarët.
Një pjesë të rëndësishme të analizës, Mero Baze ia kushton edhe mënyrës se si po ndërtojnë profilin e tyre politik disa prej drejtuesve të opozitës së re. Ai ndalet veçanërisht te Agron Shehaj dhe Arlind Qorri, duke i kritikuar për gjuhën agresive dhe metodat që, sipas tij, i afrojnë me modelin politik të Berishës.
Për Shehajn, Baze përdor një vlerësim të ashpër, duke e cilësuar si lider që mbështetet te gjuha linçuese dhe sulmet ndaj kundërshtarëve. Sipas analistit, kjo mënyrë komunikimi është një prej tipareve më të njohura të politikës së Berishës, i cili ndër vite ka përdorur akuza të rënda ndaj biznesmenëve, politikanëve, gazetarëve dhe kundërshtarëve brenda partisë.
Edhe për Arlind Qorrin, Baze shpreh kritika të forta, duke kundërshtuar atë që ai e përshkruan si përdorim të metodave guerile, përndjekjes dhe akteve të intimidimit në aksionin politik. Në këtë pikë, analisti ngre shqetësimin se opozita e re rrezikon të legjitimojë sjellje që nuk përputhen me një alternativë demokratike dhe qytetare.
Për Adriatik Lapajn, Baze është më i shkurtër, por e vendos atë në të njëjtin kontekst kritik, duke e lidhur me mënyrën e veprimit të dy drejtuesve të tjerë.
Mesazhi i tij është se opozita e re nuk mund të pretendojë se përfaqëson ndryshimin nëse përdor të njëjtën gjuhë dhe të njëjtat metoda që kritikon te Berisha. Sipas tij, qytetarët nuk kanë arsye të zgjedhin kopje të reja të një modeli të vjetër politik.
Mësimi i vitit 1991: Agresiviteti largon votuesit
Për të mbështetur argumentin e tij, Baze kthehet te historia e Partisë Demokratike dhe zgjedhjet e para pluraliste. Ai kujton se PD-ja lindi në vitin 1991 si një shpresë e madhe për shqiptarët, me mitingje masive në të gjithë vendin, por humbi zgjedhjet e para me një diferencë të thellë.
Sipas analizës së tij, një nga arsyet ishte agresiviteti politik, i cili krijoi pasiguri te qytetarët për atë se kujt duhej t’ia besonin drejtimin e vendit.
Baze kujton se një vit më pas, Berisha ndryshoi gjuhën politike përmes sloganit “bashkëvuajtës dhe bashkëfajtorë”, duke u përpjekur të largonte frikën e shoqërisë nga ndryshimi. Kjo qasje, sipas tij, ndihmoi PD-në të fitonte dy të tretat e votave në zgjedhjet e vitit 1992.
Por analisti thekson se, pasi Berisha braktisi atë frymë, qytetarët nisën ta ndëshkonin politikisht dhe PD-ja nuk arriti më të dilte forcë e parë në zgjedhjet kombëtare deri në periudhën për të cilën shkruan ai.
Për Bazën, ky është një mësim që opozitarët e rinj duhet ta marrin seriozisht: shpresa dhe siguria për ndryshim janë më të rëndësishme se agresiviteti dhe spektakli i përplasjes.
Protestat e qershorit, momenti që opozita e re humbi
Në fund të analizës, Baze rikthehet te protestat e qershorit për çështjen e Zvërnecit, duke i konsideruar ditët e para si një moment kur u krijua mundësia për një opozitë qytetare, të pavarur nga Berisha.
Sipas tij, tërheqja e Berishës nga mbështetja e protestave krijoi hapësirë për mijëra qytetarë që iu bashkuan lëvizjes pa pasur nevojë të identifikoheshin me Partinë Demokratike. Por kjo hapësirë u ngushtua sapo nisi konflikti mes grupeve politike për kontrollin dhe drejtimin e protestës.
Baze argumenton se, në vend që të ndërtonin një alternativë të re, drejtuesit e opozitës u përfshinë në një përplasje për protagonizmin, duke larguar një pjesë të qytetarëve që fillimisht kishin dalë përtej strukturave partiake.
Përfundimi i analistit është i prerë: bashkimi me Berishën do t’i shkrinte opozitarët e rinj në strukturën e tij, ndërsa përplasja e vazhdueshme me të, duke përdorur të njëjtat metoda, do t’i kthente në versione të vogla të modelit që pretendojnë të rrëzojnë.
Sipas Mero Bazes, rruga e vetme për të ndërtuar një opozitë të re është krijimi i një alternative që funksionon pavarësisht Berishës, pa e imituar dhe pa e kthyer atë në qendrën e çdo beteje politike.
“Berisha mundet duke mos qenë si ai, në asgjë”, është mesazhi përmbyllës i analizës së Mero Bazes. Dhe për analistin, ndryshimi i vërtetë nuk vjen nga përplasjet mes kryetarëve, por nga vota e qytetarëve.