Politike
Shpërthimi i bombolës që la në qiell të hapur 15 familje/ Demo: Ofrojmë një vit bonus qiraje
15 familjet e mbetura pa banesa pas shpërthimit tragjik të bombolës së gazit në një pallat pesëkatësh në Elbasan do të përfitojnë bonus qiraje për një vit, me mundësi zgjatjeje deri në rikthimin e tyre në banesa. Vendimi u miratua këtë të martë nga Këshilli Bashkiak, pas përfundimit të ekspertimit nga Instituti i Ndërtimit.
Familjet kanë nënshkruar kontratat për përfitimin e bonusit, ndërsa Bashkia e Elbasanit ka verifikuar çmimet e tregut për të përcaktuar vlerën e mbështetjes financiare. Shpenzimet do të mbulohen në bazë të ligjit për emergjencat civile, deri në gjetjen e një zgjidhjeje përfundimtare për banorët.
Ndërkohë, familjet kanë nisur të kërkojnë vetë banesa me qira, pasi konvikti i vënë në dispozicion nga Bashkia nuk është shfrytëzuar. Ministri i Brendshëm, Ervin Demo, deklaroi se institucionet do të bashkëpunojnë për të përcaktuar alternativat e strehimit afatgjatë.
Sot kemi një takim pune në terren për të diskutuar cilat do të jenë alternativat që do të ndjekim. Do të kenë një mbështetje absolute. Të gjitha institucionet duhet të ndërveprojnë për zgjidhjen e problemit. Ajo ishte një tragjedi që mund të ishte më e rëndë. Dy jetë njerëzish është fatkeqësi, por duhet të shohim përpara për adresimin e të gjitha shqetësimeve të banorëve të atij pallati”, tha Demo.
Ai theksoi se çdo vendim për të ardhmen e ndërtesës duhet të merret në mirëkuptim me banorët.
“Inxhinierët do të vlerësojnë strukturën e godinës, ndërhyrjet e mundshme dhe në bazë të këtij informacioni do të shohim alternativat që kemi. Ne jemi sot për të treguar vullnetin që kjo do të marrë një zgjidhje”, u shpreh ministri.
Sipas tij, inxhinierët do të kryejnë vlerësimin e strukturës së pallatit dhe do të përcaktojnë nëse godina mund të rikonstruktohet apo nëse nevojiten ndërhyrje të tjera. Demo theksoi se çdo vendim për të ardhmen e ndërtesës do të merret në mirëkuptim me banorët.