Aktualitet
Dëshmia e Noizyt në GJKKO, nga dinamiti te 600 eurot për djegien e makinës
Këngëtari Rigels Rajku, i njohur si Noizy, ka dëshmuar në Gjykatën e Posaçme në procesin gjyqësor ndaj Laert Haxhiut, duke rrëfyer detaje nga shpërthimi me tritol në lokalin e tij në Durrës, në qershor të vitit 2022.
Gjatë dëshmisë, Noizy tregoi se në momentin e shpërthimit ishte në gjumë dhe për ngjarjen ishte njoftuar nga babai i tij. Ai tha se fillimisht nuk kishte dashur të dilte nga banesa, pasi kishte frikë se do të shihej nga njerëzit.
“Isha në gjumë, shpërthimi më zgjoi. Më merr babi, më thotë ngjarjen. Unë i kam thënë nuk dua të dal se më shohin njerëzit”, deklaroi këngëtari.
I pyetur për aktivitetin që zhvillohej në objektin e goditur, ai sqaroi se bëhej fjalë për një biznes të shitjes së veshjeve.
Një pjesë e rëndësishme e dëshmisë lidhej me konfliktin fizik që, sipas Noizyt, kishte ndodhur një natë përpara shpërthimit. Këngëtari pretendoi se Kleviol Ahmeti ishte paraqitur në lokal së bashku me rreth 20 persona, ku pas fyerjeve ndaj tij dhe stafit kishte nisur një përleshje.
“Një ditë më parë patëm një përleshje me Kleviol Ahmetin. Më erdhi në lokal me 20 veta për t’u sqaruar. Ofendon stafin dhe mua. Nisi përleshja fizike, atë natë shpërthen dinamiti”, dëshmoi ai.
Sa i përket autorësisë së shpërthimit, Noizy pretendoi se kishte mësuar nga vetë Kleviol Ahmeti se eksplozivi ishte vendosur me porosi të Laert Haxhiut. Sipas këngëtarit, Ahmeti e kishte bërë këtë pretendim publikisht në rrjetet sociale. Ai theksoi se nuk e njihte personalisht Haxhiun përpara ngjarjes.
Gjatë dëshmisë, këngëtari foli edhe për një tjetër episod, rreth dy muaj pas shpërthimit, kur sipas tij ishte vendosur eksploziv në një kuti picash, por fitili nuk ishte ndezur dhe rasti ishte konstatuar nga policia.
Ai përmendi gjithashtu djegien e automjetit të tij, duke pretenduar se personi që kishte kryer veprimin kishte pranuar se ishte paguar 600 euro.
Noizy deklaroi se konfliktet me Kleviol Ahmetin kishin nisur prej vitesh dhe i lidhi ato me fyerjet e vazhdueshme dhe përpjekjet për të tërhequr vëmendje përmes emrit të tij.
Në përfundim të seancës, gjatë pyetjeve të avokatit, këngëtari ngriti edhe çështjen e paraqitjeve të mëtejshme në gjykatë, duke pyetur: “A është nevoja të vij më të dëshmoj?”