Kronike
Vrau fqinjin shqiptar me armë zjarri, prokuroria kërkon 24 vite burg për autorin
Prokuroria italiane ka kërkuar 24 vite burg për 45-vjeçarin Moreno Violetto, i akuzuar për vrasjen e shqiptarit Fatos Cenaj, 58 vjeç, ngjarje e ndodhur në qershor të vitit 2025 në zonën e Fontanivës, në Itali.
Sipas mediave italiane, Violetto akuzohet për vrasje me dashje, të kryer me paramendim dhe për motive të dobëta. Në kërkesën për dënim, prokuroria ka marrë parasysh edhe disa rrethana lehtësuese, mes tyre pranimin e pjesshëm të autorësisë nga i pandehuri.
Sipas dosjes hetimore, më 8 qershor 2025, Fatos Cenaj po lëvizte me biçikletë në një rrugë të zonës, kur u qëllua me armë zjarri në kokë nga një distancë e afërt. Ai ndërroi jetë disa ditë më vonë në spital.
Violetto, i cili ishte fqinj me viktimën, dyshohet se kishte pasur konflikte të vazhdueshme me të për çështje të fqinjësisë. Prokuroria argumenton se vrasja nuk ishte vetëm pasojë e një konflikti personal, por lidhej edhe me armiqësinë që 45-vjeçari kishte shfaqur ndaj fqinjëve të tij.
Pas krimit, i pandehuri dyshohet se tentoi të krijonte një alibi të rreme, duke ndërhyrë në oraret e regjistruara nga kamerat e sigurisë në banesën e tij. Megjithatë, pamjet e kamerave të tjera të zonës e kanë filmuar atë duke lëvizur me biçikletë në të njëjtën rrugë ku kishte kaluar edhe Cenaj.
Në seancën e parë gjyqësore, më 30 shtator 2026, Moreno Violetto pranoi autorësinë e vrasjes dhe kërkoi falje për krimin. Ai dorëzoi gjithashtu një çek prej 5 mijë eurosh për familjarët e viktimës.