✦
Thinking ...
Connect with us

Politike

Reforma zgjedhore në provë, BE ballafaqon PD-PS: Duhen rezultate konkrete

Ambasadorja e Bashkimit Evropian në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa, ka zhvilluar takimin e parë me bashkëkryetarët e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore, Damian Gjiknuri dhe Oerd Bylykbashi.

Në fokus të takimit ishte ecuria e reformës, afati i kufizuar kohor për punën e komisionit, si dhe çështjet që lidhen me fushëveprimin, prioritetet dhe përfshirjen e të gjitha palëve në proces.

Pas takimit, ambasadorja theksoi se cilësia e reformës zgjedhore është po aq e rëndësishme sa edhe koha e realizimit të saj. Sipas saj, procesi nuk duhet të mbetet vetëm në nivel diskutimesh, por duhet të përkthehet në rezultate konkrete.

De Sousa nënvizoi se reforma zgjedhore është thelbësore për rikthimin e besimit të publikut, garantimin e një gare të ndershme politike dhe mbrojtjen e integritetit të zgjedhjeve. Ajo e cilësoi gjithashtu këtë proces si një pjesë të rëndësishme të rrugëtimit të Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian.

Diplomatja rikujtoi se rekomandimet e OSBE/ODIHR-it janë prej kohësh të qarta dhe se puna e përbashkët e zhvilluar deri më tani duhet të prodhojë hapa konkretë. Sipas saj, arritja e objektivave kërkon vullnet politik dhe dialog të sinqertë mes të gjitha palëve.

Mesazhi i ambasadores vjen në një moment kur Komisioni i Posaçëm duhet të përballojë një afat të ngushtë pune, ndërsa pritshmëritë për ndryshime që garantojnë zgjedhje më të besueshme mbeten të larta.

 

Advertisement