Politike
SELIA BLU PA EMER KANDIDATI PER TIRANEN, NGA LETARGJIA NE SHTEPI MUND TE PERFITOJE ‘KOMSHIU MAVI’
Kanë mbetur vetëm 180 ditë deri më 9 maj 2027, kur qytetarët e Tiranës do të zgjedhin kryetarin e ri të bashkisë. Por ndërsa kalendari zgjedhor ka nisur numërimin mbrapsht, opozita ende nuk ka një kandidat zyrtar për kryeqytetin. Madje, nuk është e qartë as mënyra se si Partia Demokratike synon ta zgjedhë atë.
Dy deklarata të bëra dje, me vetëm pak orë diferencë, e nxorën edhe një herë në pah këtë paqartësi.
Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, shprehu publikisht mbështetjen e tij për Ilir Alimehmetin, të cilin e cilësoi një kandidaturë të shkëlqyer për Tiranën. Megjithatë, Bardhi sqaroi se vendimi përfundimtar duhet të kalojë përmes dialogut politik dhe strukturave vendimmarrëse të Partisë Demokratike.
Vetëm disa orë më vonë, aktori Florjan Binaj rikonfirmoi ambicien për të kandiduar si i pavarur për Bashkinë e Tiranës, duke u shtrirë dorën e bashkëpunimit të gjitha forcave opozitare.
Në fakt, kandidatura e Binajt nuk është një zhvillim i ri. Një vit më parë, kur shkarkimi i Erion Veliajt krijoi kushtet për zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme në kryeqytet, ai u shfaq si një alternativë që mund të bashkonte opozitën. Kandidatura e tij gjeti mbështetje te partitë e vogla opozitare, por edhe te PD-ja, e cila në atë kohë nuk nxori një emër të vetin.
Ajo garë nuk u zhvillua kurrë. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese, që la në detyrë Erion Veliajn, i dha fund procesit të zgjedhjeve të parakohshme dhe bashkë me të edhe diskutimeve për kandidatin opozitar.
Por një vit më vonë, opozita duket se është kthyer përsëri në pikën e nisjes.
Pyetja që shtrohet sot nuk është vetëm kush do të jetë kandidati për Tiranën, por mbi të gjitha se çfarë strategjie do të ndjekë Partia Demokratike. A do të zgjedhë ajo një kandidat nga radhët e saj, duke kërkuar më pas mbështetjen e partive të tjera, apo do të pranojë një kandidaturë të pavarur si formulë për bashkimin e opozitës?
Deklarata e Bardhit për Alimehmetin dhe këmbëngulja e Binajt për të hyrë në garë tregojnë se kjo dilemë mbetet ende pa përgjigje.
Ndërkohë, Tirana nuk është një bashki që mund të fitohet vetëm me emrin e kandidatit. Një garë e tillë kërkon kohë për organizimin e strukturave, ndërtimin e një programi, krijimin e një koalicioni politik dhe bindjen e një elektorati që shkon përtej votuesve tradicionalë të opozitës.
Çdo ditë e humbur në diskutime të brendshme është një ditë më pak për fushatën dhe përballjen me mazhorancën.
Partia Demokratike mund të ketë ende kohë për të zgjedhur kandidatin, por nuk ka luksin të sillet sikur zgjedhjet janë një çështje e largët.
Më 9 maj 2027, qytetarët do të votojnë për kryetarin e Bashkisë së Tiranës. Sot, 180 ditë përpara kësaj date, opozita nuk ka vendosur ende as kë do të propozojë, as si do ta zgjedhë. Dhe kjo letargji politike rrezikon të kthehet në avantazhin më të madh të kundërshtarit, pa nisur ende fushata.