✦
Thinking ...
Connect with us

Politike

ERION VELIAJ MBETET NE QELI, SHOKET E DOSJES JASHTE BURGUT, SPAK SHPALL VENDIMIN

Gjykata e Posaçme ka mbyllur shqyrtimin e kundërshtimeve të të pandehurve dhe mbrojtësve të tyre në procesin e veçuar nga dosja “Veliaj”, duke caktuar 25 nëntorin si datën kur do të shpallet vendimi.

Në pretencën e saj, SPAK ka kërkuar 7 vite burg për biznesmenin Elman Abule. Për shkak se çështja po shqyrtohet me gjykim të shkurtuar, nëse gjykata pranon kërkesën e prokurorisë, dënimi i tij do të ulet në 4 vite e 8 muaj burg. Abule është i vetmi i pandehur për të cilin SPAK ka kërkuar dënim me heqje lirie.

Për ish-deputeten socialiste Klotilda Bushka, prokuroria ka kërkuar një gjobë prej 600 mijë lekësh. Ndërsa për Ina Goxhajn dhe Fatjon Baçin është propozuar masa e shërbimit të provës.

Në rastin e biznesmenit Fatmir Bektashi, SPAK ka kërkuar kryerjen e punës në interes publik. Për Frosina Bollon është propozuar shërbim prove, ndërsa për Flutura Xhanin gjobë prej 40 mijë lekësh.

Një trajtim të veçantë ka kërkuar prokuroria për Adela Kondakçiun, e cila ka fituar statusin e bashkëpunëtores së drejtësisë. Për të, SPAK ka kërkuar përjashtimin nga dënimi.

Pretenca përfshin edhe tri subjekte juridike. Për kompaninë Rametal sh.p.k. është kërkuar gjobë prej 18 milionë lekësh, për Kontakt sh.p.k. 800 mijë lekë, ndërsa për organizatën jofitimprurëse Frobolus 500 mijë lekë.

Me përfundimin e shqyrtimit të kundërshtimeve të mbrojtjes, çështja ka hyrë në fazën përfundimtare. Më 25 nëntor, GJKKO do të vendosë nëse do të pranojë kërkesat e SPAK apo do të caktojë masa të tjera.

Ky proces përfshin vetëm një grup të të pandehurve të dosjes “Veliaj”. Erion Veliaj, Ajola Xoxa dhe të pandehurit e tjerë vijojnë të gjykohen në një proces të veçantë, me procedurë të zakonshme.

Advertisement