✦
Thinking ...
Connect with us

Kronike

Dy makina përplasen kokë më kokë me njëra-tjetrën, raportohet për të plagosur

Një tjetër aksident rrugor është regjistruar paraditen e kësaj të mërkure në fshatin Fshat, në Bashkinë Klos, në aksin që lidh Matin me Rrugën e Arbrit. Dy automjete, një “Benz” dhe një “Sharan”, janë përplasur kokë më kokë, vetëm pak metra larg rrethrrotullimit të Rrugës së Arbrit.

Përplasja ka qenë e fortë, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale. Disa persona kanë mbetur të lënduar, por sipas informacioneve paraprake, ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Në vendngjarje ka mbërritur policia, e cila po punon për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e aksidentit. Dyshimet paraprake janë se lagështia në rrugë mund të ketë ndikuar në humbjen e kontrollit të automjeteve.

Ky segment rrugor po shfaqet gjithnjë e më problematik për drejtuesit e mjeteve. Vetëm gjatë një jave raportohen të paktën gjashtë aksidente, fatmirësisht pa viktima.

Shqetësimet për sigurinë në këtë aks janë ngritur edhe më herët nga ekspertët, të cilët kanë evidentuar rrëshqitjen e asfaltit, veçanërisht gjatë reshjeve të shiut. Një problematikë që rrit rrezikun e humbjes së kontrollit dhe kërkon vëmendje për sigurinë rrugore.

Advertisement