Connect with us

Kosova

1 qershori, ‘grackë’ për destabilizim në veri të Kosovës

“Askush nuk po i sulmon serbët në veri të Kosovës” – kështu ka reaguar Qeveria e Kosovës ndaj kërkesës së Listës Serbe që kryeministri Albin Kurti ta ndalë “represionin”.

Edhe pse kjo parti – më e madhja e serbëve në Kosovë – nuk ka ofruar ndonjë provë për represionin e përmendur, ajo ka paralajmëruar se nëse ai nuk ndalet, serbët, nisur nga 1 qershori, “do ta mbrojnë veten me të gjitha mjetet”.

Këto paralajmërime janë bërë më 19 maj, në ditën kur Erden Atiç, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, ka marrë mandatin e kryetarit të Mitrovicës së Veriut – komunë e banuar me shumicë serbe.

Lista Serbe nuk ka saktësuar se çfarë do të thotë “mbrojtje me të gjitha mjetet”, por Verolub Petroniç, nga Qendra Humane në Mitrovicë, beson se ka shumë gjasa që të bëhet fjalë për protesta qytetare.

 

 

Aleksandar Popov, drejtues i Qendrës për Rajonalizëm në Novi Sad, thotë se autoritetet e Kosovës duhet të jenë të kujdesshme dhe “të mos krijojnë shkak” për trazira në veri të Kosovës.

Disa ligjvënës kosovarë, në anën tjetër, e cilësojnë paralajmërimin e Listës Serbe si kërcënim në adresë të autoriteteve të Kosovës.

Çfarë ka paralajmëruar saktësisht Lista Serbe?

Kryesia e Listës Serbe ka njoftuar se nga 1 qershori pjesëtarët e komunitetit serb do të mbrohen “me të gjitha mjetet kundër represionit të Qeverisë së Kosovës”, duke thënë se “pushtimi i veriut” ka filluar me marrjen e postit të kryetarit të Mitrovicës së Veriut.

Si “represion”, Lista Serbe e sheh procesin e “shpronësimit në veri nga Qeveria e Kosovës, mbajtjen e zgjedhjeve lokale në atë rajon dhe ndjekjen penale apo arrestimin e serbëve nga autoritetet kosovare”.
Atiç është një nga katër kryetarët shqiptarë të komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës: Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq.

Ata i kanë fituar zgjedhjet e jashtëzakonshme muajin e kaluar, pasi komuniteti serb i ka bojkotuar ato.

“Edhe ky pushtim, si çdo tjetër, ka fillimin dhe fundin e tij. Do të përfundojë kur ta duan serbët”, ka thënë nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiç, në një konferencë për gazetarë më 19 maj.

Ai nuk u është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve se me çfarë mjetesh planifikojnë të mbrohen, por ka thënë se serbët kanë kohë që po përballen me “dhunë institucionale”.

Përgjigjja e Qeverisë së Kosovës

Qeveria e Kosovës thotë se “serbët e Kosovës, në veçanti ata në veri të vendit, janë më së shumti të rrezikuar nga vetë Lista Serbe dhe grupet kriminale që veprojnë nën diktatin e Beogradit zyrtar”.

“Respektimi i ligjit dhe kushtetutshmëria nuk paraqesin rrezik për qytetarin tonë që është i interesuar për rend dhe shërbime komunale. Të dyja këto i kanë munguar, për shkak të veprimeve dhe interesave të Listës Serbe… Ne duam sundim të ligjit dhe respektim të demokracisë që garanton paqe dhe siguri”, thuhet në një deklaratë dërguar REL-it nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës.

Kërcënim apo kurth?

Disa deputetë të Kuvendit të Kosovës, të cilët janë pjesë e Komisionit parlamentar për çështje të sigurisë dhe mbrojtjes, thonë se ultimatumi i Listës Serbe është kërcënim ndaj institucioneve të Kosovës. Megjithatë, ata thonë se lidhur me këtë çështje, deri më tash, nuk kanë ftuar asnjë nga drejtuesit e dikastereve dhe institucioneve të sigurisë, për t’i informuar më hollësisht.

Kryetari i këtij komisioni, Bekë Berisha, i cili vjen nga radhët e partisë opozitare Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e sheh ultimatumin e Listës Serbe si tentim për t’i futur në grackë institucionet e vendit.

“Po si nuk është kërcënim? Të reagosh pastaj ndaj kërcënimit dhe të përshkallëzohet situata? Këtë duhet ta menaxhojnë këta që janë në pushtet”, thotë Berisha.

Nënkryetari i Komisionit parlamentar për siguri dhe mbrojtje, Enver Dugolli, nga Lëvizja Vetëvendosje në pushtet, thotë se ky komision do të ftojë drejtues dikasteresh përgjegjëse, në rast se konsideron se nevojitet raportim.

“Tani për tani nuk shohim arsye, për shkak se Qeveria dhe institucionet dhe ministritë e linjave po i kryejnë punët duke u bazuar në ligj”, thotë Dugolli.

Megjithatë, Rashit Qalaj, anëtar i Komisionit nga Partia Demokratike e Kosovës, thotë se ultimatumi i Listës Serbe duhet trajtuar me seriozitet nga Qeveria.

“Unë mendoj që ky kërcënim i Listës Serbe nuk është sa ‘për sy e faqe’. Unë mendoj që ajo është duke planifikuar diçka. Mirëpo, situata do të varet nga bisedimet në Bruksel [për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi] dhe nga qëndrimi i Beogradit në raport me serbët lokalë [në veri të Kosovës”, thotë Qalaj.

Popov: Kosova të mos i japë alibi Vuçiçit

Aleksandar Popov, drejtues i Qendrës për Rajonalizëm në Novi Sad, vlerëson se autoritetet e Kosovës duhet të jenë të vëmendshme ndaj mesazheve që ka dërguar Lista Serbe, e cila gëzon mbështetje nga autoritetet në Beograd.

“Mendoj se Prishtina duhet të kujdeset për sundimin e ligjit, por ajo të mos nxisë ose të mos japë alibi për rritjen e tensioneve në veri të Kosovës – qoftë me shpronësimin që ka nxitur revoltën e serbëve të atjeshëm dhe as me ndonjë veprim tjetër. Palët duhet të përmbahen dhe të mos bëjnë veprime të njëanshme, sidomos të tilla që mund ta radikalizojnë situatën edhe më tej, sepse gjërat pastaj mund të shkojnë tepër larg”, thotë Popov.

Sipas tij, ekziston përshtypja se Kosova dhe Serbia duan t’i shmangen zbatimit të një marrëveshjeje të re për normalizimin e marrëdhënieve, e cila është arritur në muajin mars në Ohër, duke krijuar pretekste të ndryshme.
Në këtë kontekst, një tensionim i situatës në veri të Kosovës, thotë Popov, i konvenon presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, pushteti i të cilit, javëve të fundit, po përballet me protesta, për shkak të dy vrasjeve masive që kanë ndodhur në Serbi.

“Pas një kohe mjaft të gjatë, Vuçiçi është tronditur mjaft në terrenin vendor me këto protestat që po ndodhin tash. Ai ka paralajmëruar edhe kundërtubim. Atij, madje, i konvenon që vëmendja të kthehet kah çështja e Kosovës, duke thënë ‘ja, ju tash po e dobësoni Serbinë dhe regjimin, ndërkaq në veri të Kosovës po rrezikohen të drejtat e serbëve’”, thotë Popov.

Çfarë pritet më 1 qershor?

Verolub Petroniç, nga Qendra Humane në Mitrovicë, e cila merret me çështjet e sigurisë, vlerëson se njoftimet e Listës Serbe u referohen protestave sociale. Ai thotë se ato mund të rrezikojnë sigurinë e njerëzve dhe të institucioneve të Kosovës.

“Nëse ka protesta sociale në një shkallë më të gjerë, gjithmonë ekziston mundësia që dikush nga turma të bëjë diçka kundër institucioneve”, thotë Petroniç.

Ai nuk e përjashton mundësinë e destabilizimit në terren, duke shtuar se situata varet edhe nga Bashkimi Evropian, se sa presion do të ushtrojë mbi Prishtinën dhe Beogradin.
Radio Evropa e Lirë i është drejtuar BE-së me pyetjen se si e komenton paralajmërimin e Listës Serbe se do të “mbrohet me të gjitha mjetet nga 1 qershori”, por deri në publikimin e këtij teksti nuk ka marrë përgjigje.

Më herët, shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, i cili ndërmjetëson dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, ka shprehur frikë për përshkallëzimin e mundshëm të situatës në veri të Kosovës.

Borrell u ka bërë thirrje palëve që të gjejnë një zgjidhje, e cila do të mundësonte kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës në veri.

Ata i kanë braktisur institucionet qysh në fillim të nëntorit, për shkak të një plani të Qeverisë së Kosovës për t’i riregjistruar makinat me targa ilegale serbe në targa të Kosovës.
Çështja e targave, vitin e kaluar, ka shkaktuar tensione të njëpasnjëshme në veri, që kanë kulmuar edhe me ngritjen e barrikadave në rrugë./REL

Kosova

Si kofini pas të vjelit, Isa Mustafa ‘trimëri’ pas luftës, akuzon Kurtin

Për ish-kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa, propozimi i Qeverisë së Kosovës për të dërguar një draft-statut të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe – që nuk është i dakorduar paraprakisht në procesin e dialogut – në Gjykatë Kushtetuese për shqyrtim përveç se është “paradoksal është edhe joserioz”.

Mustafa theksoi se Gjermania, Franca e Italia po kërkojnë nga Qeveria e Kosovës që në Kushtetuese ta dërgojë draft-statutin e Asociacionit që është derivat i Marrëveshjes së Brukselit dhe e Ohrit (e dakorduar më 27 shkurt dhe me 18 mars), i cili në vlerësimin e tij është “një autonomi politike territoriale”.

Mustafa ndër të tjera argumentoi se në Kushtetuese mund të përcillen vetëm dokumente të aprovuara paraprakisht nga Qeveria, e cila fillimisht duhet të jetë e derivuar “nga një pajtim i palëve në proces të dialogut”.

Ndërsa persa i përket transformimit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, nga kundërshtuesi më i madh, te i pari që propozon të dërgojë draft-statut për Asociacion në Kushtetuese, sipas Mustafës flet “qartë për karakterin mashtrues dhe të rrezikshëm të qeverisë”.

“LVV e ka kundërshtuar me dhunë ta paparë ‘Zajednicën’ dhe tani po e ofron autonominë serbe si Zajednicë (Bashkësi serbe) flet qartë për karakterin mashtrues dhe të rrezikshëm të qeverisë e cila iu është shitur qytetarëve si qeveri e shpresës” – potencoi ish kryeministri Mustafa.

Continue Reading

Kosova

Vuçiç gjen armiqtë e jashtëm të Serbisë dhe tregon qëllimet e tyre

Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçic, duke folur për propozimin për rezolutë për gjenocidin në Srebrenicë, ka deklaruar se ajo ka katër qëllime. Sipas presidentit serb, një nga qëllimet është shfuqizimi i etnitetit të Republikës Serbe në BeH.

“Qëllimi i parë i rezolutës për gjenocidin në Srebrenicë është shfuqizimi i RS, sipas dy rishikimeve të aktgjykimit për përgjegjësinë e Republikës së Serbisë, dhe i treti është që dikush të marrë ca para nga Serbia dhe ta padisë për Kompensimi për dëmet e luftës, i katërti është barra shtesë për Serbinë dhe vendosja e gjithçkaje mbi supet e saj, por qëllimi i tyre nuk është të ndërtojnë marrëdhënie më të ngushta, por dëshira për të shkatërruar çdo lloj proteste kundër tyre”- pohoi Vuçic I cili nuk nguroi ti gjente kundërshtarë të Serbisë në Uashington, Berlin dhe Londër.

Gjithashtu ai nuk e ka fshehur pesimizmin se do të miratohet rezoluta për gjenocidin në Srebrenicë.

“Për shtatë ditë përfundon seanca e OKB-së, dhe ata do të fitojnë formalisht, por nuk do t’ju them se për sa vota, por di te them se kemi luftuar”, përfundoi presidenti serb.

Continue Reading

Kosova

Vuçiç dërgon ushtrinë në kufi me Kosovën, ja qëllimi sipas analistit ushtarak nga Beogradi

Aleksandër Radiç, analist ushtarak nga Beogradi, ka folur për praninë e shtuar të NATO-s në Ballkan, ndikimin rus dhe njohjen e heshtur të Kosovës nga ana e Serbisë.

Sipas Radiç, NATO-s i kushton rëndësi të madhe ruajtjes së stabilitetit në territorin e ish-Jugosllavisë, sepse vlerëson se ekziston rreziku i një krize sigurie.

“Forcat e NATO-s në krahun lindor janë forcuar si një masë parandaluese, teksa njësi janë vendosur për të penguar Rusinë nga përpjekjet për të zgjeruar praninë e saj në pellgun e Detit të Zi” – deklaroi Radiç duke shtuar se nuk pritet per momentin që të ndodhë diçka, sepse është dërguar një mesazh i qartë se nuk do të lejohet.

“Ndikimi më i rëndësishëm në dinamikën e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Bosnje-Hercegovinës është politika e Vuçiqit, e cila zhvillohet në dy pista – në njërën, mbahen marrëdhënie të mira me Moskën, dhe në anën tjetër, pelqen bankomatin e Bashkimit Europian”

Analisti ushtarak tha gjithashtu se edhe kërcënimet e Vuçiqit janë vetëm mashtrim ndaj popullit serb dhe Serbisë.

“Beogradi ka kaluar në nivel propagandistik dhe problemi i vërtetë është se si të bëhet opinioni publik serb të pranojë politikën e Vuçiqit për njohjen e fshehtë të pavarësisë së Kosovës” – potencoi Aleksandër Radiç.

Continue Reading

Kosova

Vuçiç qau fshehurazi te Macron për ndalimin e Porfirije

Sipas doktor professor Enver Bytyçi, ambasadorët e SHBA-së, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës dhe Italisë, kanë kritikuar qeverinë e Kosovës pse kjo e fundit nuk lejoi para pak ditësh kryepeshkopin e Serbisë, Porferije, të hynte në territorin e saj.

“E sigurt është se presidenti i Serbisë është ankuar te presidenti Macron për këtë fakt, edhe pse të gjitha këto ambasada e dinë arsyen pse Proferije nuk u lejua në Kosovë. Sepse Patriarkana e Pejës nuk ekziston, ajo është transferuar nga Peja në Serbi para shumë shekujsh. Sepse kjo Patriarkanë ishte dhe mbetet shpikje e Serbisë. Ajo as nuk ishte krijuar në Pejë, por në një fshat afër Kragujevcit, diku në Serbinë e sotme qendrore. Si e tillë, Kisha Ortodokse e Serbisë dëshiron të rikthehet në territorin e Kosovës, pra në Pejë, ndërkohë që është një institucion fetar me qendër në Beograd” – theksoi Bytyçi duke shtuar se “Kreu i Kishës Ortodokse të Serbisë dëshiron të vijë në Kosovë e të thotë se “Kosova është djepi i shpirtit serb”, pra se në Kosovë, praktikisht në Pejë, paska lindur Krishti i serbëve, shën Sava! Këtë të vërtetë ai e pohoi pas kthimit mbrapsht në Beograd kur u zotua se “Serbia do të kthehet në Kosovë”

Sipas deklaratës së ambasadave të QUINT-it, moslejimi i kryepeshkopit të Serbisë të hyjë në Kosovë “është në kundërshtim me Pakon e Ahtisaarit dhe me obligimet për dialogun”.

“Pakoja e Ahtisaarit ka parashikuar njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë dhe sjelljen e Kosovës ndaj Beogradit e kushtëzon me njohjen. Kurse ambasadorët që “e duan Kosovën aq shumë”, i kundërvihen vetëm Kosovës dhe i kujtojnë asaj detyrimet e Pakos së Ahtisaarit, ndërkohë që me Serbinë nuk kanë as vullnet, as dëshirë të sillen me të njëjtin kut. Për këtë arsye ka zhgënjim të madh jo vetëm te qytetarët” – deklaroi Bytyçi

Continue Reading

Kosova

Dështimi i Kosovës në KiE: Reuten: Gjermania, Franca dhe Italia iu përulen Serbisë

Deputeti nga radhët e Aleancës Progresive të Socialistëve dhe Demokratëve (S&D) në Parlamentin Evropian (PE), Thijs Reuten, ka fajësuar Gjermaninë, Francën dhe Italinë për mos anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës edhe pse sipas tij, Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret.

“Shtetet anëtare, fatkeqësisht një rol të spikatur Gjermania, Franca dhe Italia dogjën përsëri besueshmërinë e tyre dhe iu përulën Serbisë. Republika e Kosovës i ka përmbushur të gjitha kriteret, ka fituar mbështetjen e shumicës së madhe të deputetëve të shteteve anëtare dhe bën pjesë në Këshillin e Evropës, fundi i qetësimit të Vuçiçit tani”, shkroi ai në platformën X.

Ndryshe, arsyeja pse Kosova nuk hyri në agjendën e seancës së radhës së Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, ku do të votohej pro apo kundër anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë ndërkombëtare.

Ishte kushtëzimi që Gjermania dhe Franca i bënë Kosovës duke kërkuar nga ajo hapa konkret në raport me Asociacionin – të paktën dërgimin e draft-statutit të këtij mekanizmi në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtim.

Por, Kosova refuzoi të bëjë një gjë të tillë, madje kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se kushtëzimi i bërë nga Franca dhe Gjermania ishte “absurd”.

Autoritetet kosovare argumentuan se Berlini e Parisi kanë ngatërruar dy procese të pavarura, pra procesin e dialogut dhe procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës, sipas tyre ky kusht i ri “nuk përkon aspak me vlerat dhe parimet e Këshillit të Evropës”.

Pak ditë pasi Kosova mbeti jashtë agjendës Qeveria e Kosovës, njoftoi se ka vendosur ta dërgojë një draft-statut për Asociacionin në Kushtetuese brenda majit.

Continue Reading
Advertisement

TRENDING