Aktualitet
Apeli i GJKKO padit Ministrinë e Financave dhe Thesarin në Gjykatën Administrative
Një përplasje institucionale mes pushtetit gjyqësor dhe atij ekzekutiv lidhur me pagat e magjistratëve të GJKKO-së ka kaluar në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë në Tiranë.
Më 11 shtator 2026, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, përmes Zëvendëskryetarit Dhimitër Lara, ka depozituar padi ndaj Ministrisë së Financave dhe Degës së Thesarit Tiranë. Në proces janë përfshirë edhe Avokatura e Shtetit dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor si person i tretë.
Shkak i padisë është bërë bllokimi i ekzekutimit të pagave për muajin gusht 2026. GJKKO e Apelit kërkon shfuqizimin e shkresës së Ministrisë së Financave, e cila pezulloi urdhër-shpenzimet e dërguara për ekzekutimin e pagave.
Në kërkesën drejtuar gjykatës, Apeli i GJKKO-së kërkon që organet financiare të ekzekutojnë listëpagesat e miratuara në bazë të vendimit të KLGJ-së dhe urdhrit të Zëvendëskryetarit të Gjykatës, pa e kushtëzuar pagesën me rikthimin e parametrave të pagave të muajit korrik.
Pjesë e padisë është edhe kërkesa për masë sigurimi, me qëllim pezullimin e efekteve të aktit të Ministrisë së Financave dhe zhbllokimin e sistemit të Thesarit.
Sipas argumentimit të GJKKO-së, përllogaritja e re e pagave është mbështetur në vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe aktet pasuese të Këshillit të Lartë Gjyqësor. Në padi argumentohet se kontrolli financiar i ekzekutivit duhet të kufizohet brenda kompetencave ligjore dhe nuk mund të shndërrohet në pezullim të akteve të organeve të vetëqeverisjes së sistemit gjyqësor.
GJKKO ka ngritur gjithashtu shqetësimin se bllokimi i pagesave ka prekur edhe administratën gjyqësore, për të cilën, sipas padisë, nuk ka pasur një debat lidhur me ligjshmërinë e përfitimit të pagave.
Ndërkohë, në argumentet e saj, Gjykata ka pretenduar se ekziston një mospërputhje mes mbajtjes së detyrimeve fiskale dhe shoqërore mbi bazën e pagave të reja dhe bllokimit të ekzekutimit të vetë pagave.
Në zhvillimin më të fundit të çështjes, Gjykata Administrative ka vendosur që gjyqtarët e GJKKO-së të paguhen, duke ndërhyrë kështu në ngërçin e krijuar mes institucioneve financiare dhe sistemit gjyqësor.