Politike
Berisha: Jeni të gjithë në dorë të Belindës! Rama i frikësuar
Po diskutohet në Kuvend projektligji për akcizën dhe taksat kombëtare. Kreu i PD Sali Berisha, në fjalën e tij u ndal në faktin që kryeministri Edi Rama refuzon në vijimësi interpelancat e thirrua nga opozita, ndërkohë që u shpreh se me çështjen Balluku i është ngulur një thikë procesit të integrimit në vend.
Berisha akuzoi kreun e qeverisë Rama se është autori i aneksimit dhe asgjësimit të Parlamentit.
Më tej nënvizoi se me votën që PS dha për mbrojtjen e ish-zv.kryeministres Belinda Balluku i ‘nguli një thikë pas shpine’, procesit të integrimit europian.
“Nuk ka akt më cinik ndaj 30-40 % të shqiptarëve që jetojnë me djersën e ballit. Vini këtu pasi keni hequr subvencionin për naftën fermerëve në kulmin e krizës për naftë. Nuk ka njeri normal në botë që mund të imagjinojë një vendim të tillë. Nuk vjen në parlament se ka frikë. Është i tmerruar dhe nuk di se çfarë bën. Vini këtu dhe bëni këtë akt të turpshëm. Fshatarëve më të varfër të Europës, kjo është politikë shpopullimi. Është politikë antishqiptarëve, fermeri i Maqedonisë së Veriut e merr me 1 mijë lekë naftën. Vendi është me taksën më të lartë në botë…Në Shqipëri nafta në pompë 2.2 euro. Rroga në Gjermani më e lartë se në Shqipëri, këto janë akte cinike. Ai nuk guxon të vijë këtu dhe ju nuk keni përse e mbroni. Ai refuzon çdo interpelancë. Zonja drejtuese e seancës, absurdi më i madh është injorimi i raportit të Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian. Secili nga ju të kuptojë se me atë votë krimi që ka dhënë për Ballukun i ka futur një thikë pas shpine procesit të integrimit Europian të shqiptarëve. Mediat informojnë se janë bërë mbi 300 ndërhyrje…Nis dhe mbaron sikur ta kishte shkruar opozita, dhe me denoncimet e saj të vërteta. E patë çfarë thuhet për Ballukut që e mbrojtët politikisht imunitetin e saj. E lexuat o ‘lubistë’. Vjedhjet e ‘Lubisë’ shkatërrojnë integrimin”, tha ai.