Politike
Burime nga Brukseli: Kapitujt e parë mund të mbyllen nën presidencën irlandeze të BE-së
Shqipëria mund të shohë mbylljen e kapitujve të parë të negociatave të anëtarësimit gjatë presidencës së ardhshme irlandeze të Këshillit të Bashkimit Evropian, ndërsa në Bruksel ka nisur puna teknike për tre kapituj që konsiderohen kandidatët më të mundshëm për t’u mbyllur të parët.
Komisioni Evropian i ka dorëzuar Këshillit të BE-së draft-pozicionet e përbashkëta për Kapitullin 25 (Shkenca dhe Kërkimi), Kapitullin 26 (Arsimi dhe Kultura) dhe Kapitullin 30 (Marrëdhëniet me Jashtë), duke hapur procesin formal të shqyrtimit nga shtetet anëtare.
Diskutimet e para zhvillohen në grupin e punës për zgjerimin, COELA, i cili ka futur të tre kapitujt në rendin e ditës së mbledhjes së 5 qershorit.
Megjithatë, sipas burimeve evropiane, procedura nuk pritet të përfundojë menjëherë.
“Është ende herët për të thënë se kur këto diskutime do të përfundojnë me një marrëveshje që do të mundësonte mbylljen e kapitujve gjatë një Konference Ndërqeveritare”, tha një zyrtar i BE-së
Sipas të njëjtit burim, zakonisht nevojiten disa raunde diskutimesh mes shteteve anëtare përpara se të arrihet një pozicion i përbashkët.
“Normalisht kjo kërkon disa raunde diskutimesh në COELA, ndaj do të supozoja se zhvillimet kryesore të ardhshme do të ndodhin gjatë presidencës së ardhshme irlandeze”, tha ai.
Nëse ky vlerësim konfirmohet, atëherë presidenca irlandeze mund të jetë periudha kur Shqipëria do të regjistrojë një tjetër moment historik në procesin e integrimit evropian, duke kaluar nga faza e hapjes së kapitujve në mbylljen e tyre.
Zhvillimi vjen vetëm pak ditë pasi Shqipëria përmbushi benchmark-et e ndërmjetme për Klasterin 1 – “Themeloret”, duke fituar të drejtën për të hyrë në fazën e mbylljes së kapitujve negociues.
Qeveria shqiptare synon të përfundojë negociatat deri në fund të vitit 2027, ndërsa mbyllja e kapitujve të parë do të shërbente si testi i parë praktik i këtij objektivi ambicioz.