Pinknews
Dhuna ndaj gazetarit Elton Tozaj/ Reagon UGSH: Tronditëse, akt kriminal
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë ka reaguar lidhur me dhunën ndaj gazetarit Elton Tozaj, një ngjarje e raportuar nga media dhe e konfirmuar nga familjarët e tij ditën e sotme.
Ky akt dhune është cilësuar nga UGSH si një krim i papranueshëm dhe kërkohet zbardhja e plotë e ngjarjes dhe ndëshkimi i autorëve të saj. Unioni u bën thirrje institucioneve përgjegjëse që të ofrojnë një sqarim zyrtar dhe të plotë të këtij episodi dhe të sigurojnë drejtësi për të dënuar autorët.
Reagimi i plotë:
Deklaratë e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë Dhuna ndaj gazetarit Elton Tozaj, akt kriminal që duhet zbardhur dhe autorët të ndëshkohen UGSH ndan me shqetësim dhe tronditje lajmin e publikuar nga shumë media dhe familjarë të gazetarit Elton Tozaj, për dhunimin barbar që persona të identifikuar kanë kryer mbi kolegun. Ngjarja e ndodhur në autostradën Tiranë-Durrës, e vërejtur nga dhjetra kalimtarë, përbën një akt kriminal dhe dhunues. Gazetari Tozaj për këtë arsye, sipas familjarëve, ndodhet në gjendje të rënduar shëndetësore dhe në luftë për ruajtjen e shikimit. UGSH kërkon sqarimin zyrtar të këtij episodi dhe ndëshkimin e dhunuesve, sikundër i urojmë kolegut shërim të shpejtë dhe të plotë!
Sipas familjarëve Tozaj ndodhet në gjendje të rënduar shëndetësore dhe po merr trajtim intensiv mjekësor, ndërsa situata është shumë delikate. Ata kanë njoftuar gjithashtu se gazetari po lufton për të mos humbur shikimin, duke bërë apel për mbështetje dhe kujdes mjekësor.