Aktualitet
Dosja ‘Balluku’/ Kontrolle te familjarët, sekuestrohen celularë e dokumente, SPAK dërgon letërporosi jashtë vendit
SPAK ka urdhëruar kontrolle të reja lidhur me hetimet për dosjen e Belinda Ballukut, e cila është marrë e pandehur për shkeljet me tenderin e Llogarasë dhe është nën hetim për shkeljet me 7 lotet e Unazës së Madhe.
Burime bëjnë me dije se me vendim të GJKKO-së janë miratuar të paktën 15 kontrolle në kuadër të dosjes së ish-numrit 2 të qeverisë, përfshirë edhe tek familjarë të saj.
Mësohet se është ushtruar kontroll në banesën e Mired Recit, djalit të tezes së Belinda Ballukut, por edhe personave të tjerë të lidhur me të, në kuadër të hetimeve që po kryhen edhe në drejtim të pasurisë. Mired Reci rezulton ortak me 50% në shoqërinë XL Market (aktualisht me status të pezulluar në QKB), ndërsa 50% të aksioneve i zotëron Meland Qirko, kunati i ish-zv.kryeministres Balluku.
Po ashtu, ata rezultojnë bashkëpronarë edhe në një tjetër shoqëri, Hippo Tregu Elektrik, sërish me status të pezulluar në QKB. Në kuadër të hetimit, mësohet se prokurorët e posaçëm kanë kërkuar informacion jashtë vendit, përmes letërporosive. Po ashtu, janë sekuestruar celularë dhe dokumente.
Belinda Balluku është e pandehur për tenderin për ndërtimin e tunelit të Llogarasë dhe nën hetim për lotet e Unazës së Madhe që kapin vlerën e qindra miliona euro. Ndaj ish-numrit dy të qeverisë janë në fuqi dy masa sigurie: ndalim për të dalë jashtë vendit dhe pezullim nga ushtrimi i funksioneve. Ndërkohë që më herët maxhoranca socialiste e rrëzoi kërkesën e SPAK për leje për arrestimin e Ballukut. Nisur nga kontrollet e fundit dhe fazën e re në të cilën kanë hyrë hetimet, mbetet për t’u parë nëse prokurorët e posaçëm do ta ripërsëririn kërkesën për leje për të arrestuar ish-numrin dy të qeverisë