Connect with us

Shkrime

Drejtuesit e Flamingove, socialistët e lodhur nga duartrokitjet për Edi Ramën

Teksa Kryeministri Edi Rama publikoi të enjten një kolazh të mbushur me flamingo dhe silueta personazhesh publike për t’iu përgjigjur debatit mbi Zvërnecin dhe protestën qytetare, vëmendja nuk u ndal vetëm tek mesazhi i tij.
Në rrjetet sociale nisi menjëherë një garë interpretimesh për identitetin e figurave të paraqitura në imazh. Mes influencerëve, aktorëve, moderatorëve dhe aktivistëve që komentuesit pretendojnë se dallojnë në kolazh, disa emra spikasin për një arsye tjetër: ata vijnë nga vetë familja politike socialiste.
Arta Dade, një prej figurave historike të Partisë Socialiste, refuzoi publikisht ftesën e Edi Ramës për aktivitetin e 35-vjetorit të partisë dhe zgjodhi të pozicionohej krah protestuesve. Sipas saj, “socialistët e vërtetë” nuk gjenden në organizimet e pushtetit, por aty ku të rinjtë protestojnë për dinjitet dhe drejtësi sociale.
Vetëm pak orë më parë, edhe ligjvënësja socialiste, Elisa Spiropali, në daljen nga Parlamenti, u ndal për të biseduar me protestuesit, duke deklaruar se “çdo qytetar ka të drejtë të protestojë” dhe se “politika duhet të flasë më pak e të dëgjojë më shumë”.
Edhe Ditmir Bushati, një zë prej kohësh kundër lidershipit socialist, e ka shprehur hapur qëndrimin me protestuesit, duke u bërë madje edhe palë me akademikë nga diaspora, të cilët mbështesin njëzëri protestën e Flamingove. Aty e gjen veten edhe ai sa duket, nga kolazhi i publikuar prej kryeministrit.
Në krah ndërkaq, në mënyrë të pazakontë, gjenden edhe figura të tjera politike, si deputeti i Mundësisë Agron Shehaj. Ashtu si gjenden edhe gazetarë, të cilët i kanë dhënë zë protestës, si Fatma Haxhialiu. Apo deri edhe influencerë si Gerta Shino, Fjoralba Ponari dhe Dea Mishel.
Pra, një kast i pazakontë, pavarësisht se të dytët të pritshëm e të parët, të vendosur si pararojë socialiste e zërave kundër kryeministrit.
Në këtë kontekst, flamingot e Ramës duket se po marrin një kuptim të ri. Sepse mes zërave që kanë ushqyer debatin publik për projektin në Zvërnec, nuk janë vetëm kundërshtarët politikë apo aktivistët mjedisorë. Janë edhe socialistë që kanë zgjedhur të mos heshtin.
Ditmir Bushati, Arta Dade dhe figura të tjera të së majtës kritike kanë artikuluar prej kohësh rezerva ndaj mënyrës së ushtrimit të pushtetit dhe largimit të Partisë Socialiste nga tradita e debatit të brendshëm.
Dhe nëse flamingot janë kthyer në simbol të rezistencës ndaj ndërhyrjeve në zonat e mbrojtura, atëherë frymëzimi i tyre nuk vjen vetëm nga shoqëria civile, por edhe nga një pjesë e socialistëve që kërkojnë rikthimin e zërit kritik brenda së majtës.
Në fund, pyetja që ngre vetë fotografia e Kryeministrit mbetet e hapur: a janë flamingot thjesht një metaforë për kundërshtarët e tij, apo pas tyre fshihen edhe ata socialistë që nuk janë më të gatshëm të duartrokasin? AP

Advertisement