Connect with us

Politike

Evis Sala konfirmon dorëheqjen: Angazhimi im për Shqipërinë nuk lidhet me një post

Evis Sala ka konfirmuar dorëheqjen nga detyra e ministres së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale. Përmes një postimi, Sala bën të ditur se mbledhja e sotme e qeverisë ishte e fundit për të si anëtare e kabinetit.

Ajo shpjegon se ka pranuar disa angazhime ndërkombëtare në fushën e saj të ekspertizës, e cila përfshin onkologjinë, inteligjencën artificiale dhe inovacionin.

Sala shprehet se një vit më parë mori përsipër drejtimin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, duke e cilësuar këtë detyrë si një përgjegjësi të madhe në një sektor me shumë sfida

Reagim Evis Sala

Sot ishte mbledhja ime e fundit si anëtare e kabinetit qeveritar, pasi kam pranuar disa angazhime ndërkombëtare të rëndësishme në fushën time të ekspertizës: onkolologji – inteligjencë artificiale – inovacion.

Një vit më parë mora përsipër me përgjegjësi të madhe detyrën e Ministres së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, një fushë plot sfida e vështirësi.

I jam mirënjohëse Kryeministrit Edi Rama për besimin dhe mbështetjen, si dhe çdo mjeku, infermieri, profesionisti dhe punonjësi të sistemit të shëndetësisë e mirëqenies sociale që punoi çdo ditë për ta bërë sistemin më të mirë.

Një falenderim të veçantë për çdo qytetar shqiptar që më shkroi, sugjeroi apo kërkoi më shumë prej nesh.

Në këtë vit kemi bërë hapa të rëndësishëm në shëndetësi. Shumë prej tyre janë të dukshëm sot, të tjerë sapo kanë nisur.

Angazhimi im për Shqipërinë nuk lidhet me një post. Ai është pjesë e asaj që jam dhe do të vazhdojë përmes dijes, eksperiencës dhe rrjetit tim profesional ndërkombëtar.

Sepse detyrat kanë një fillim dhe një fund.
Por, përgjegjësia dhe lidhja me vendin tënd nuk kanë kufij!

Advertisement