Politike
Gjokutaj: Korrupsion i përhapur deri tek Rama, hetimi pengohet nga pushteti dhe GJK
Genc Gjokutaj u shpreh se hetimet e fundit janë një “reaksion zinxhir” ndaj korrupsionit në pushtet, ku një dosje nxjerr të tjera, duke krijuar një efekt domino.
Ai theksoi se nuk kemi të bëjmë me një krim ordiner, por me një korrupsion voluminoz që prek çdo qelizë të qeverisë, deri tek kryeministri, dhe që po përballet me pengesa të shumta procedurale dhe politike.
Gjokutaj nënvizoi se hetimi ka një itinerar dhe objektiv të qartë, dhe çdo episod që del nuk bie në kundërshtim me të, por pasqyron rrjetin korruptiv të qeverisë. Ai kritikoi Gjykatën Kushtetuese për pezullimin e çështjes së Belinda Ballukut, duke theksuar se vendimi nuk ishte i bazuar në ligj, por shërbeu si mesazh intimidues për sistemin e drejtësisë dhe shoqërinë shqiptare.
Qëllimi i deklaratës, sipas tij, është të nxjerrë në pah seriozitetin e hetimit dhe dimensionin e gjerë të korrupsionit, si dhe përpjekjet e pushtetit për ta mbrojtur veten dhe për të penguar drejtësinë.
Pjesë nga deklarata:
Të gjitha janë një reaksion zinxhir. Edhe çështja e hetimit, afatet e hetimit, ngutshmëria e veprimeve hetimore në raste të tilla, sepse nuk flitet për një krim ordiner, por për një krim në pushtet, i cili ka të gjitha mjetet dhe infrastrukturën për të vepruar më shpejt se organet dhe agjencitë ligjzbatuese.
Ajo që unë dua të them është fakti që asnjëherë në historinë e hetimit shqiptar dhe të akuzës shqiptare nuk ka pasur çështje kaq voluminoze, si nga rëndësia ashtu edhe nga përmasat. Një korrupsion enorm pritet të zbulohet në ditët në vijim, sepse ky është një efekt domino. Pra, njëra dosje nxjerr tre dosje të tjera, këto tre nxjerrin nëntë të tjera; pra shkohet në progresion.
Sigurisht, nga sa kemi dëgjuar deri tani, flitet për një korrupsion në çdo qelizë të këtij pushteti, deri tek kryeministri i Shqipërisë. Unë mendoj se ky hetim, sado që po pengohet me instrumente dhe kleçka proceduriale, duke përdorur institucionet e drejtësisë dhe duke penguar Kuvendin e Shqipërisë, çfarëdo që të bëhet, ligji i ka instrumentet zgjidhëse në raste të tilla. Kështu që unë mendoj se ky hetim ka nisur seriozisht dhe këto janë hetime që nuk mund të përdoren për media, thjesht për tërheqje vëmendjeje, siç ka ndodhur deri më sot.
Ky hetim ka një objektiv të qartë, ka një itinerar të qartë dhe çdo episod që del çdo ditë nuk vjen në kundërshtim me të mëparshmin, por përkundrazi është në sinkron me këtë itinerar udhëtimi korruptiv të një qeverie, e cila deri tani e ka mbajtur pushtetin me propagandë. Tani po nxjerr dhëmbët, po përdor mediat, siç i ka përdorur edhe më përpara, por nuk i mjafton vetëm media, sepse, siç po shikojmë, kryeministri, i cili është lokomotiva e këtij treni korruptiv, po përdor tashmë të gjitha instrumentet dhe gjithë forcën e pushtetit për ta ndaluar këtë hetim, por sigurisht nuk do t’ia arrijë qëllimit që mendon se do ta zgjidhë në atë formë.
Ne jemi të qartë që nga momenti kur kryeministri Rama firmosi kërkesën për Ballukun, ajo kërkesë u firmos për veten e tij, përmes së cilës përfitonte edhe Balluku. Sepse koha vërteton cili ka qenë qëllimi atëherë, cili është sot dhe çfarë pritet të ndodhë. Ka një arsyetim.
Gjykata Kushtetuese, as më shumë e as më pak, ka qenë në prerjen e Ramës. Ai e ka mbajtur gjatë gjithë kohës në prerje. Kanë rënë disa vendime krejt të parëndësishme për të krijuar idenë e një pavarësie inekzistente dhe, sigurisht, ju e keni parë që Gjykata Kushtetuese, në momentet kyçe, kur duhet të dilte tamam si gjykatë kushtetuese, në mbrojtje të Kushtetutës së një vendi dhe për çështje madhore që mund të ketë një drejtësi në dorë, ka vendosur pothuajse gjithmonë sipas vullnetit të Ramës.
Merrni rastin e marrëveshjes me Melonin, ku flitet për sovranitetin e Shqipërisë. Merrni rastin aktual të Belinda Ballukut dhe plot raste të tjera. Lëreni pastaj çështjen Berisha, me të cilën, siç e kuptoni, kanë bërë cirkun më të shëmtuar të mundshëm. Edhe ju e dini që, në një përqindje shumë të madhe, Gjykata Kushtetuese është rrëzuar në Strasburg, çka tregon se ajo nuk është një gjykatë që udhëhiqet nga Kushtetuta dhe ligji, por një gjykatë politike e quajtur kushtetuese.
Dhe tani vijmë te pika që Gjykata Kushtetuese e ka pezulluar çështjen. E ka pezulluar sepse, sipas saj, Belinda Balluku në zyrë nuk krijoka problem, ndërkohë që SPAK-u, menjëherë pasi ajo ka dalë nga zyra, e ka marrë të pandehur dhe ka dokumentuar intimidimin e dëshmitarit. Kjo tashmë është e dokumentuar dhe është shkak i mjaftueshëm që ajo të ishte subjekt i një mase sigurimi, por përsëri SPAK-u e ka kursyer dhe e ka pezulluar nga detyra.
Ky pezullim, që unë sot e kësaj dite nuk e kuptoj se si nuk pranohet, në emër të ndjekjes së çështjes përmes procedurave penale të zakonshme, ndërkohë që kryeministri, duke e ndier veten ende të fortë, ngrihet dhe firmos një kërkesë drejtuar Gjykatës Kushtetuese, për të cilën ju jeni në dijeni. Dhe Kushtetuesja, pa pasur asnjë arsye, e çon çështjen më 22 janar, sepse duan të pushojnë rehat dhe duan të jenë me pushtetin.
Këta kanë rënë rehat me këtë lloj axhende, ndërkohë që vendi dhe zhvillimet në vend po precipitojnë, gjë që lidhet drejtpërdrejt me stabilitetin politik dhe juridik të shtetit. Por, brenda gjithë kësaj, shikoni se çfarë ka për të zgjidhur Kushtetuesja: a mund të merret apo jo kjo masë. Këtu nuk kemi një kazus me prova që duhen shqyrtuar një e nga një; ky është një gjyq teorik, thjesht teorik, për t’i dhënë përgjigje një pyetjeje proceduriale kushtetuese: a mundet organi, me kërkesë të SPAK-ut, të pezullojë një kryeministër, zëvendëskryeministër ose ministër.
Përgjigjja është krejt e thjeshtë: absolutisht po, sepse është i vetmi organ i ngarkuar me ligj për ta kryer këtë detyrë. Pse nuk vajti në Kuvend? Sepse pezullimi nga detyra nuk është masë që kërkon lejen e Kuvendit.
Tashmë, duke treguar muskujt, Rama, dhe duke shtuar këtu edhe intimidimin e dëshmitares, por edhe kthimin në detyrë, sepse kthimi i Belinda Ballukut në detyrë nuk është thjesht një vendim formal juridik, por një kërcënim i hapur që ky pushtet mafioz i bën gjithë shoqërisë shqiptare dhe të gjitha gjykatave të çdo niveli: ju mund të merreni me gjithçka, përveç bunkerit qeveritar, i cili duhet të mbetet i blinduar, deri edhe te oficerët e BKH-së, të cilëve u kërkohet të dorëzojnë armët.
Nuk po i hyj procedurës nëse lejohet apo nuk lejohet, por nuk kishte pse vendimi i Gjykatës Kushtetuese për rikthimin në punë të Belinda Ballukut të ilustrohej një ditë më pas me çarmatosjen e BKH-së në ambientet pranë Kryeministrisë. E kuptoni çfarë mesazhi kërkohet të jepet? Ky: këtu është një derë ku nuk mund të ndërhyhet.