Connect with us

OPINION

Ikja si bjerrje në tranzicion

Nga DOM GJERGJ META

Ishte krejt e kuptueshme se me rënien e komunizmit, regjimit që e izoloi Shqipërinë për 45 vite me radhë, një pjesë e mirë e shqiptarëve, sidomos e të rinjve, do të largoheshin nga Shqipëria. Dëshira për liri dhe afërsia gjeografike e Evropës (nëpërmjet Italisë) në krahasim me vendet e tjera komuniste, e lehtësonte mërgimin e shqiptarëve drejt saj, duke bërë që Evropa të shndërrohej në destinacionin e natyrshëm të shqiptarëve.

Ajo që ndodhi në atë moment fillestar ishte gati e vetvetishme. Po ashtu, edhe ikjet me gomone në vitet 1990 e pothuajse deri në fillim të viteve 2000, janë deri diku të kuptueshme si përzgjatje e eksodit të vitit ‘90-‘91. Kurse ajo që ngjau më vonë, veçanërisht këto vitet e fundit, kur mendohej se Shqipëria po shkonte drejt një stabiliteti shoqëror, duhet të na nxisë të bëjmë ndonjë reflektim pak më të thellë.

Është fjala për rinisjen e largimeve nga Shqipëria, sidomos të të rinjve dhe të familjeve. Në sa pak mundësi ofrojnë këto rreshta, që me siguri kanë nevojë për një shtjellim më të thellë, si dhe për referenca statistikore apo edhe studimore, po mundohem të nxjerr në pah disa arsye pse kjo hemorragji vazhdon edhe sot e kësaj dite.

Mendoj se kërkimi i shkaqeve të kësaj ikjeje është më i ndërlikuar se sa thjesht kërkimi i fajtorëve, të cilët rëndom duam t’i gjejmë në ndërrimet e pushteteve.

Më së pari, më vjen ndër mend kjo shprehje: “Lost in transition”, dhe do ta nisja këtë argumentim pikërisht me të, meqenëse përmbledh ç’ka sollën këto vite tranzicioni, të cilat duket se nuk i përmbushën ëndrrat e thurura në fillim të viteve ‘90. Brezi i të rriturve nuk arriti ta përcillte tek të rinjtë entuziazmin dhe pasionin për ndërtimin e një shoqërie të jetueshme për të gjithë: demokratike dhe të zhvilluar.

Shumë prej tyre u zhgënjyen dhe u strukën disi në atë gjendje, kështu nuk mundën të përçonin tek më të rinjtë ndjenjat e shpresës. Ata nuk ia dolën, kësisoj u shkurajuan dhe herë me fjalë e herë me heshtje, iu lanë të rinjve porosinë: “Ky vend nuk bëhet. Ikni!”

As prindërit, as mësuesit e profesorët e as politikanët, nuk arritën të ngjallnin shpresë. Pak a shumë të gjithë ne dështuam që t’ju trashëgonim brezave pasardhës frymëzim e besim. U borrëm në tranzicion… Së dyti, përkundër mëtimeve revolucionare marksiste, nuk është përplasja apo dialektika midis të pasurve dhe të varfërve ajo që e çon përpara shoqërinë.

Zhvillimet e saj, përgjithësisht i sjellin shtresat e mesme: artistët, arsimtarët, punëtorët e administratës, njerëzit e shkencës, gazetarët, etj. Por kjo shtresë u la në limitet e mbijetesës ose u përdor ekonomikisht a politiksht, duke ua bërë të pamundur prurjen e diçkaje rrënjësisht të re, diçkaje që do të çonte drejt një ndërrimi domethënës nëpërmjet kulturës, shkencës dhe arsimit, të cilat janë nxitëset kryesore të ndryshimeve.

Prandaj, të rinjtë kërkuan universitete, auditore dhe skena të tjera, jashtë vendit, për ta afirmuar vetveten.

Së treti, rregullat e tregut. Në ditët e sotme, fatkeqësisht, edhe arsimi e shkenca janë të orien[1]tuara nga logjikat e punësimit dhe të fitimit. Largimet e këtyre viteve nuk janë më vetëm thjesht çlirim nga zgjedha e diktaturës, por janë të diktuara dhe të cytura nga rregullat e tregut të punës ose/edhe të fitimit. Një shoqëri, e cila përditë e më shumë ka si model njeriun e fortë dhe të pasur, sigurisht që do të ndjekë rregullat e tregut, edhe kur këto rregulla janë më shumë instinkte xhungle se sa lojë e ndershme ekonomike.

Ekonomia informale, pasurimi nëpërmjet trafiqeve, kriminalitetit apo korrupsionit, nxiti shumë të rinj që të kërkojnë rrugët e pasurimit të shpejtë, t’i ëndërrojnë ato dhe të mundohen t’i ndjekin. Ja pse sot vende si Spanja, Hollanda dhe Anglia kanë probleme me kriminalitetin me origjinë shqiptare. Po ashtu, plakja dhe denataliteti i shumë vendeve perëndimore, krijoi tregje pune me rroga të mira, të cilat akoma joshin shumë njerëz edhe kur ata kanë një punë të mirë këtu në Shqipëri.

Së fundmi, dhe me këtë do ta mbyll arsyetimin tim, shoqëria shqiptare nuk ia ka dalë të jetë një shoqëri e rritur (adulte), dhe si e tillë, ajo ende nuk është shkëputur tërësisht, domethënë, nuk është emancipuar nga e kaluara e saj. Një nga gjërat prej të cilave shoqëria jonë duhet të shqitet menjëherë është koncepti i partisë – shtet dhe delegimi te ky koncept i zgjidhjes së problemeve që kanë të bëjnë me të mirën publike dhe me jetën e familjeve apo të individëve.

Kjo është një nga pasojat më të rënda të regjimit komunist, sa i përket demokracisë së vendit tonë, e cila gjithashtu nuk është një demokraci e rritur. Në këto kushte të mosrritjes së shoqërisë dhe të demokracisë, shumë njerëz kërkojnë hapësira të tjera për ta gjetur vetveten dhe për t’u rritur. Me siguri, edhe nga kjo pikëpamje, shoqëritë perën[1]dimore ofrojnë më tepër se sa shoqëria shqiptare.

OPINION

Qeveria që na duhet

Nga Edison Ypi

Të zgjidhen si duhet emrat e përshtatshëm që meritojnë të kryejnë detyrat sa të larta e të vështira të një qeverie që na duhet, teknike, kalimtare, provizore, quaje si të duash, është detyra urgjente që duhet të na preokupojë të gjithëve për të na nxjerrë një minutë e më parë nga kullat e fildishta, guackat familiare, kolltuqet e rehatit, dyshekët e ngrohtë, shtretrit e dafinave mbi të cilët na ka zënë gjumi, dhe t’i futemi punës si turku supës për t’i bërë sa më shpejt realitet ëndërrat në shkop që populli liridashës shqiptar prej shekujsh me sy hapur sheh.

Meqënse, me gjasa, ministrat e qeverisë në fjalë, do jenë më tepër të “asaj” se të “kësaj” bote, do ketë probleme logjistike lidhur me varrosje-çvarrosjen e mishrave të kalbura, skeleteve të hallakatura, kockave të thyera. Megjithatë s’është për tu dekurajuar. Për një qeveri individësh me kontribute të shquara me fakte dhe jo me llogje, me pak dëshirë dhe shumë punë, zgjidhja gjithmonë gjindet

Në mënyrë që edhe populli ynë i lavdishëm i shumvuajtur të ketë më së fundi qeverinë që meriton, ja një listë e mirëmenduar, e vetmja që mund ta nxjerri Kombin nga gjëndja e trazuar ku ndodhet, nga moçali ku është zhytur e mbytur, brenda të cilit moçal lahet, shplahet, krihet, hekuroset, ha, pi, vishet, mbathet, bën qef, udhëton, hedh ickla, por s’dihet, dhe as kuptohet, pse thotë se po lëngon.

Kryeministër, teneqexhiu që ka dhënë edhe jetën nëpër biruca për një qeverisje shembullore sa më demokratike – Koçi Xoxe.

Ministër i Jashtëm, kaurri europian që për ardhmëninë e Shqipërisë dhe iluminimin e shqiptarëve iu nënështrua sakrificës më sublime që mund të imagjinohet, u bë synet – Princ Vidi.

Ministër i Luftës, kush mund ta kryejë më mirë këtë detyrë sa të shenjtë e të vështirë se Haxhi Qamili që e kishte më kollaj të pushtonte Anglinë dhe Gjermaninë se sa Kavajën dhe Ndroqin ?
Ministër i Rendit, e vetmja zgjedhje që nuk guxon ta kundërshtojë askush – Xhaferr Deva.
Ministër i intrigave, Beu qefli me nam i kupacit të gjizës së Shijakut dhe balerinave të Parisit – Esat Toptani.
Ministër i Diversantave – Ekrem Bardha, lum ai që s’e njeh.
Ministër pa portofol, kqyrës i natyrës dhe thurës i vargjeve rrënqethës, ndonjëher edhe tallës deri therës – Lasgush Poradeci.
Ministër i Turizmit Biblik, ai që çudinë mrekulluese frymëndalëse të miliona turistave e ideoi dhe e mundësoi – Shtatlartësia e Tij.
Ministër i tallavasë, urrejtësi më i egër i saj, i vetmi që kësaj katandisje artistike i vjen hakut – Frederik Ndoci.
Ministër i Qënërisë mund të emërohet secili nga legenat e banaqeve, por s’do ishte keq dhe një budalla kok shinik çun oficeri që bën si sapient, si intelektual i ndritur, si aristokrat i thekur, që ja harrova emrin, ama, me apo pa dashje, në rëntë në gojën time, do e ha dhe do e pështyj disa herë si frulatori supën e perimeve.
Ministreshë e shkopave të çadrave, atyre të diellit të plazhit, dhe atyre të shiut të ngatrresave verbale-kuptimore – Olta Xhaçka.
Ministreshë e futjes së dy këmbëve në një këpucë kundërshtarit politik përmes retorikës brilante, ajo që duke ushtruar talentin mahnitës s’kursen askënd – Elisa Spiropali.
Ministër i përdhosjes pa asnjë arsye dhe pa asnjë të drejtë të ambasadorëve, trupave diplomatike, sharjes me libër shtëpie diplomatët e akredituar në Tiranë, ai që këtë turp e ka zanat – Xhahil Sahanlëpirsi.
Ministër fuqiplotë i administrimit Shkumbin e tatëpjetë – Doktori.
Ministër i gjithpushtetshëm Shkumbin e përpjetë – Ilir Meta.
Ministër i Etimologjisë Folklorike, ai që mender shkencën në fjalë e ka nxjerrë nga brima e bythës – Petro Zheji.
Ministër i bijve budallenj dhe nipërve idiotë – Ahmet Zogu.
Ministër i kafshërisë, rrugaçërisë, imoralitetit, ordinerllëkut, spiunllëkut, hajdutllëkut – Azem Hajdari.
Ministëri i Numizmatikës atdhetare patriotike – Artan Lame.
Iniciator, flamurtar, pionier, maratonomak, theror, dëshmor, i përhapjes së arsimit, kulturës, Artit, Letërsisë – Henri Çili.
Ministër i inteligjencës artificiale, urrejtësi congenital i saj – kaurri Aurel Plasari.
Ministër i Rënkimeve, Psherëtimave, Ofshamave, askush më i përshtashëm se madhështori – Piro Kuqi.
Ministër i Antikorrupsionit – Mitat Frashëri.
Ministër i Bejlerllëkut genuin – Rushan Bej Pacomiti.
Ministër i Vigjilencës proletare, nga të parët që prej kësaj vigjilence e pësoi me varje në litar – Hamit Matjani.
Ministër i Kulturës dhe Trashëgimisë Artistike – Karavidh Kacapidhi.
Ministër i operacioneve plastike, goja pridh, pridhi gojë, surrati allçi, bytha llastik – njëri nga të dy, Paris Pordha ose London Kaka.
Ministreshë e Tranzicionit, Moralit, Mallit për Gjyshen, fenomenalja filozofe poliglote që po tund dheun e po gris qiellin – Lea Ypi.
Ministër i Antikomunizmit – Uran Butka ose Çelo Hoxha, dhe pak e kanë, meritojnë më tepër.
Ministër i Pilafit me mish e raki – Pali Miska ose Rita Marko.
Ministër i Intrigave dhe torturave – kurvi ose Kadri Hazbiu.
Zëvendësministrat dhe drejtorët e qeverisë që na duhet do jenë shumica diversanta. Kusuri do jenë pisanjosa nga Uzina e traktorave, Ferma Gjergj Dimitrov, Azotiku i Fierit, Superfosfati i Laçit.

Continue Reading

OPINION

Liria e fjalës e rrezikuar nga media

Nga Lutfi Dervishi

Dita e lirisë së shtypit mbetet një ditë e mirë për të parë hijet që kërcënojnë gazetarinë jo nga jashtë, por nga brenda.

Një nga kërcënimet më të mëdha që kanoset sot është deformimi i prioriteteve gazetareske.

Në vend të përqëndrimit te raportimi objektiv dhe gazetaria hulumtuese, sot në modë është opinioni dhe sensacioni të cilat kanë kultivuar prej vitesh një publik që është edukuar të shfaqë përherë interes për to.

Kjo rokadë ka bërë që miti për gazetarinë këtu të mos jetë te reporteri/gazetari por opinionisti/analisti. (Një gazetar raporton atë që ka parë dhe verifikuar dhe atë që ka ndodhur në terren. Një analist/opinionist flet çfarë ndodh në kokën e tij që mund të jetë edhe krejt boshe.)

Propaganda e veshur si lajm është tjetër kërcënim për gazetarinë.

Është fakt se politikanët dhe qeveritarët tashmë raportojnë vetë nga vendngjarjet, shpejt dhe bukur, njëjtë si në filma.
Madje raportojnë edhe fushatat zgjedhore nga çdo cep i vendit ku përballja e tyre me qytetarët pas katër vitesh transmetohet si të ishte një skenë dashurie, malli dhe gëzimi.

Kjo sepse është koha kur politikani bëhet vetë media dhe media e ndihmon duke shpërndarë propagandë.

Një tjetër trend shqetësues është abuzimi me “objektivitetin”. Ai tha, ajo tha.

Një raportim pa asnjë verifikim mjaft që njëri thotë një budallallëk dhe gazetari në vend që të thotë se cila është e vërteta e ndjen se duhet të balancojë duke kërkuar edhe një budallallkë nga ana tjetër.

Beteja sot më shumë se për sasi është për cilësi. Por në kushtet e cunamit informativ besueshmëria e medias cënohet nga “tufa” e “ekspertëve/analistëve” që paraqiten si autoritete në fushat përkatëse.

Në të shumtën e radhës ke të bësh me njerëz që kërkojnë vëmendje përmes medias dhe që atë të cilën thonë sot e harrojnë nesër dhe atë që thonë nesër e kanë thënë pardje.

Në vend që të ofrojnë analiza të informuara dhe të bazuar në fakte, ata shpesh përhapin opinionet personale, në stilin “kështu ma merr mendja mua” .

Në vend të sqarimit mbjellin konfuzion përmes spekullimeve, thashethemeve, dhe keqinformimit. Nuk mbajnë asnjë përgjegjësi dhe mendojnë se “ky popull këtë meriton”..

Ndërsa “Qershia mbi tortë” janë gjobvëniet të paraqitura si gazetari investigative.

Rreziqet që vijnë nga pushtetet e tjera dhe sidomos ai politik ndaj medias janë evidente dhe nuk thua asgjë të re.

Por rënia e besueshmërisë së medias (15%) ka ardhur edhe si pasojë e minimit të profesionit nga brenda.

Pa vendosur autokontrollin, media nuk mund të bëhet e besueshme në misionin për të “kontrolluar” pushtetet e tjera.

Continue Reading

OPINION

Reagimet e ndërkombëtare thirrje e fundit politik të Albin Kurtit

Nga Hisen Berisha

Raportet ndërkombëtare po thonë me elegancë, se fundi i qeverisë Kurti, i mashtrimeve dhe rrezikut që po i shkaktoni vendit, veç po afron.

Për fitën e “luftës” për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve, (përkundër vlerësimit personal që kam për lëvizjet internacionaliste) u mundova të gjej forcën për tu solidarizuar me kategoritë e diskriminuara të shoqërisë, në të dy sektorët dhe në të gjitha nivelet e administratës shtetërore, gjegjësisht shërbimin civil në vend.

Edhe pse kjo mbështetje ka ndodhur çdo ditë të politkbërjes personale, grupore e partiake, dua të bëj një ndërfutje, duke përkujtuar se nga Rambujeja e me Marrëveshjen e Kumanovës – u detyrua RFJ-Serbia të largoj nga Kosova Ushtrinë dhe formacionet paramilitare, Policinë dhe ADMINISTRATËN.

Pse e theksova këtë? Për të treguar peshën e administratës civil-shtetërore. E cila, sipas Marrëveshjes së kapitullimit të Serbisë, konsiderohet si fuqia e tretë institucionale dhe shtetërore.

Edhe kur u vendos protektorati ndërkombëtar në Kosovë, pas luftës, KFOR u caktua nga KS/KB për të garantuar sigurinë e Kosovës, ndërsa UNMIK për të qeverisur dhe ndërtuar administratën shtetërore.

Pra, krijimi i institucioneve të Kosovës, kishte fokus kryesor ndërtimin e administratës shtetërore / shërbimit civil.

Sigurisht, ka pasur raste korruptimi procedurash, nepotizëm, etj. Por, gjatë 25 viteve të lirisë, është investuar shumë në ngritjen e një administrate shtetërore dhe shërbimi civil profesional të trajnuar për t’u shërbyer qytetarëve kosovarë.

Kjo u realizua në kuadër të partneritetit me PNU&C, që ka mbështetur Kosovën në avancimin e demokracisë institucionale dhe ligjore.

Ketë vrapim nëpër procesin e ndërtimit të vlerave të lirisë, e bëra për të vu theksin te veprimet që po ndodhin sot, që jo vetëm në raportet ndërkombëtare për Kosovën por edhe nga vet pjesëtarët e shërbimit civil, spektrit politik e shoqëria civile, i kanë lexuar veprimet e qeverisë që po qojnë në shkatërrimin e administratës së ndërtuar me kujdes, duke tentuar ta zëvendësojnë me një administratë të pranueshme partiakisht.

Kjo po ndodh në emër të një “reformatimi të spektrit të gjerë”, që filloi me dialogun, marrëveshjet, sistemin juridik, politik, mbrojtjen dhe sigurinë, zhvillimin ekonomik, arsimor, shëndetësor, skemat sociale, dhe statusin e shtetit si subjekt në raportet ndërkombëtare.

Me ardhjen në pushtet të LVV, institucionet dhe administrata shtetërore janë mbushur me militantë partiakë në rolin e komisarëve politikë, detyra e të cilëve është të bëjnë presion dhe shantazhojnë për përshtatshmëri politike, partiake ose vetë/largimin nga puna.

U bë “sh-kapja” që pretendonte përmes propagandës zgjedhore, për të kapur çdo segment shtetëror më pastaj, me nepotizëm, komprometim, korrupsion, krim të organizuar, shantazh, etjnw cdo agjensin shtetror, siç venerojnw edhe raportet ndërkombëtare. Këtë operacion e kanë filluar “revolucionarët me shamia të kuqe”, duke filluar së pari me diplomacinë. Pastaj, ky fenomen ka përfshirë Bordet drejtuese dhe strukturat drejtuese e punëtoret e çdo ndërmarrje publike, dhe jo vetëm. Shumë biznese duke i filtruar në “byronë partiake”, duke i ndalur projektet dhe investimet kapitale, dhe duke i detyruar operatorët ekonomikë dhe punëkryesit ti nënshtrohen partisë-shtet.

Në ditët e fundit, me dokumente/fakte është dëshmuar se punësimet bëhen me “rekomandim nga partia”, si dhe vendime që cenojnë statusin e të punësuarve në shërbimin civil të administratës shtetërore.

Institucionet profesionale, si mbrojtja e shëndetësia, ende po i rezistojnë kësaj agjende kundër funksionalitetit institucional të shtetit. Por këto ditë, përmes “reformatimit” po provohet centralizimi i procesit të menaxhimit e udhëheqjes edhe me këto institucione të ndjeshme.

Derisa në Forcë, kjo është e ndjeshme, ngase do të përballet me rolin e PUN dhe efaktin se profesioni i ushtarakut është art dhe shkencë njëkohësisht, në Drejtësi po e realizojnë agjendën antishtet, përmes ndwrhyrjeve dhe kualifikimit të vendimeve të Gjykataës iterpretuese të Kushtetutës, bllokimit të procesit të emërimit të Kryeprokurorit dhe destruktivizmit të Këshillit gjyqësor e atij prokurorial.

Ndërsa, në SHSUK përkatësisht shëndetësi në nivelin sekondar, me vendimin e Bordit dhe menaxhmentit, po centralizohet çdo gjë në emër të kontrollit partiak. Të parët që pritet të pësojnë janë afër njëmijë punëtor të administratës në nivel qendror dhe atë rajonal.

Pra, në emër të centralizimit me qëllim kontrolli dhe përshtatshmërie politike e partiake, (veti tipike të regjimeve totalitare dhe komuniste), po shkatërrohet administrata shëndetësore.

Në agjencitë tjera të shtetit ku bëhen hetime exofficio të krimeve të karakterit institucional, sic është rasti me Njësinë e Veçantë Hetimore brenda Policisë së Kosovës që trajton rastet e korrupsionit, qeveria gjegjësisht ministria përkatëse, ndërhyri duke i ndalur hetimet dhe larguar nga procesi dhe detyra funksionale të udhëheqësit të kësaj njësie majorit Shemsi Haziri.

Përse u bë kjo? Sepse, Haziri po hetonte disa prej aferave më të njohura të korrupsionit ku ishin të përfshirë Martin Berishaj dhe afera kurruptive me energjinë përmes GEN, e cili aktivitetin po e vazhdon duke hapur një ndërmarrje analoge ne Norvegji, Nagip Krasniqi dhe aferat korruptive në KEK, Ministria e Tregtisë dhe aferat e vjedhjes në rezervat e shtetit, e zyrtarë të tjerë të lartë të pushtetit.

Me largimin e Major Hazirit dhe hetuesve tjerë, që po i trajtojnë këto afera të korrupsionit e krimit te organizuar, synohet bllokimi i hetimit të rasteve ku janë të përfshirë akterët e pushtetit.

Pasojat e propagandës kundër shtetit, që këta qeveritar e vazhduan edhe pas ardhjes në pushtet në çdo forum ndërkombëtarë si metodë e agjendës së tyre politike anti-shtet, tani po sjellin efekte domino.

Kur udhëheqin njerëzit e kqinjë, marrin vendime të gabuara, atëherë populli e paguan çmimin e pasojave.

Kjo po i ndodhë popullit të Kosovës aktualisht. Ata menduan se duke etiketuar dhe denigruar shtetin dhe çdo arritje politike, ekonomike, sociale, të sigurisë dhe integrimeve, do të fitonin një pozicion të favorshëm dhe të besueshëm në arenën ndërkombëtare.

Tani po përballen me mekanizma ideologjik të “revolucionit me shamia të kuq”, mekanizma të cilët vetë i kanë krijuar me propagandë dhe kauza të rrejshme.

Tani ata duhet të shërbehen edhe metej me gjuhë elektorale për të mbijetuar vetë-viktimizimin! Prandaj gjithçka që po bëni e thoni po ngjanë si një reprizë e premtimeve të parealizuara.

Shikoni se si po bëhen investimet në infrastrukturë rrugore, arsim, shëndetësi, çështje sociale dhe për mundësi të barabarta punësimi (me rekomandime partiake), dhe në fushën e sigurisë në veçanti.

Abuzim i pa parë me paranë publike dhe taksat e qytetarëve, i cili duhet hetuar nga organet përkatëse dhe Zyra Kombëtare e Auditimit.

Një qeveri e përgjegjshme, përgatitet gjithmonë për luftë, e ngrit dhe siguron sigurinë e saj, por nuk flasin hapur për luftë.

Propaganda si mjet linçues, paranojat, dhe frikësimi i qytetarëve janë mekanizma për të mbajtur nën kontroll emocionet e qytetarëve, bashkë me varfërimin ekonomik si doktrinë dhe varësina sociale si mekanizëm i regjimeve të majta dhe totalitare, për të udhëhequr/sunduar më lehtë me qytetarët duke i mbajtur të varur nga pushteti.

Qeveria duhet të flasë për zhvillimin ekonomik dhe rritjen e kapaciteteve ushtarake për mbrojtjen dhe sigurinë, si dhe për gatishmërinë luftarake nëse ka sinjale, dhe jo të flasë hapur për luftë.

Kërcënim nga Serbia është i vjetër, sa ekzistenca e dy kombeve tona, dhe asnjë tregues ushtarak ose gjeopolitik nuk është ndryshuar, përveç përparësive të sojit neokomunist që po përhapen dhe po bëhen kërcënim për shfarosjen e qytetarëve, me pretekstin, nëse nuk i rivotojnë ata.

Sa i përket natyrës së qeverisjes sonë, raportet ndërkombëtare për Kosovën, si ai i Freedom House dhe veçanërisht ai i Departamentit të Shtetit të SHBA, flasin me tone tejet shqetësuese.

A nuk e vëren kjo qeveri se veprimet e tyre po e bëjnë Kosovën një pikë të zezë në hartën e Evropës?!

Urdhëroni, tani është rasti të flasim me gjuhen opozitare, për inflacionin, koston e papërballueshme te jetesës ne Kosovë, rritjen e çmimit te energjisë, mungesën e projekteve zhvillimore, korrupsionin serioz në nivelet me të larta të qeverisjes ( gjithmonë sipas të dhënave të institucioneve me kredibilitet ndërkombëtarë si raporti i Departamentit te Shtetit ), ndërhyrjen e qeverise në sistemin e drejtësisë, ngufatjen e lirisë se mediave ( raporti i Freedom House ), asociacionin me kompetenca ekzekutive apo autonomi territoriale politike brenda territorit të shtetit, sanksionet e BE, dobësimi i përgjithshëm i sundimit të ligjit, duke ua përshtatur atë “maliqëve” të qeverisë dhe kuvendit nga soji juaj politik, ku edhe rastet kriminale, të korrupsionit, etj i nënshtrohen apelimeve të përsëritura dhe sistemi i kapur tashme gjyqësor, shkakton parashkrimin.

Prandaj edhe ndër raportimet më të rëndësishme në lidhje me të drejtat e njeriut ishin problemet serioze me pavarësinë e gjyqësorit; kufizimet serioze ndaj lirisë së shprehjes dhe lirisë së mediave, përfshirë edhe nëpërmjet dhunës apo kërcënimeve ndaj gazetarëve; korrupsioni serioz i qeverisë; dhuna në familje; si dhe krimet e dhunshme.

Nëse nuk respektohet drejtësia, çfarë janë qeveritë përveçse banda hajdutesh? Ju po përpiqeni vazhdimisht të bëni biseda inteligjente, e ne jemi përpjekur t’iu durojmë në emër të kostruktivitetit parlamentar e politik, duke provuar të hedhim fjalën, në vend që të hedhim gurë.

Por ju jeni kthyer në një qeverisje për të cilën ndjehet mirë vetëm hasmi, siç thoshte Gjergj Fishta.

Ky raport e shumë të tjera gjatë viteve, vërejtjet tona të vzhdushme e konstruktive, është konsekuenca e politkave të kqija, veprmeve dhe vendimeve të gabuara, për këto vite qevrisje, si dhe propagandës denigruese që keni bërë për gjithë këto 25 vite të qenies suaj në Kosovë.

E që raportet ndërkombëtare po ua thonë me më elegancë, ngase edhe ata e dinë se fundi juaj dhe i mashtrimeve e rrezikut që po i shkaktoni vendit veç po afron.
Prandaj, ju sugjeroj, që të nos e “refuzoni as pjesërisht as plotësisht” raportin. Por, provoni të reflektoni, analizojeni e nxjerrni detyrat e shtëpisë, sepse e ka bërë “Vëllai i madh”.

Continue Reading

OPINION

Dëshmitar i sherrit/ Përplasje Veliaj-Baton: Jep dorëheqjen

Nga Andi Bushati

Përplasja e fundit mes Baton Haxhiut dhe Erion Veliajt më ndriçoi në mënyrë të papritur një nga enigmat që më mundonte prej kaq kohësh, atë se pse në bashkinë e Tiranës kanë vjedhur kaq trashë. Unë isha, në një farë mënyre, dëshmitar i “sherrit”. Ose, më mirë të thuash, rastësisht prezent, në vendin ku ai nisi. Gjendeshim në studion e Çim Pekës. Tema e diskutimit ishte thirrja në SPAK e Veliajt dhe skandali i “5D”, drejtorëve të bashkisë që akuzohen se ngritën një kompani private, për të grabitur paratë publike që tenderonin me firmën e tyre.

Ashtu sikurse ndodh rëndom në debatet tona, mbështetësit e qeverisë ishin përballë nesh, kritikëve të saj. Pyetja që u shtrua ishte: Qoftë dhe moralisht, pas skandaleve të zbuluara, a duhet të jepte Veliaj dorëheqjen. Me shumë vështirësi, duke dredhuar disa hërë, kolegu Lorenc Vangjeli, tha më në fund, me gjysëm zëri, se ai duhet të respektonte mandatin e atyre që e kanë votuar majin e shkuar.

Edhe Baton Haxhiu tentoi të mos përgjigjej, provoi të rëshkasë dhe më në fund, si pa shumë dëshirë, gjeti një formë elegante për të mos u bërë njësh me hajdutët: “Në kushte të tilla unë do të jepja dorëheqjen”, guxoi të thotë. As nuk e akuzoi Erionin si vjedhës, as tha e meriton burgun, as pretendoi se ka prova kundër tij. Madje, madje, as i kërkoi që të ikte. Këtë e la thjeshtë në moralin e tij. Dhe ky qe krimi i madh që bëri.

Të nesërmen e emisionit, të njëjtën ditë kur Veliaj duhet të shkonte në SPAK, portretin e Batonit e pashë në një fotomontazh të shpërndarë nga propogandistët e bashkisë, ku bashkë me mua dhe të tjerë, renditeshin armiqtë e Lalit. Kur doli nga Prokuroria e Posaçme, Veliaj e futi edhe Haxhiun në listën e “llumit”, “interesaxhijve”, “maskarenjve”, të cilën e kishte përpiluar vetë. Dhe pse? Pasi siç shpjegoi, kishte parë një natë më parë debatet politike. Pikërisht atë ku Batoni nuk e konsideroi dorëheqjen si një sakrilegj.

Pyetja që më lindi teksa ndiqja këtë dalldi ishte: a i interesonte ish kreut të 99-shave, ky reagim kaq asimetrik, në këtë moment? A i voliste të hapte një konflikt me një gazetar që njihet si mbështetës i forcës së tij politike dhe i kryeministrit Rama? A nuk përçonte kjo mesazhin se ai po braktiset edhe nga krahu i tij? A nuk i rikujtonte kjo njerëzve faktin se, që kur i kanë rënë në burg drejtorët, askush nga ish përkrahësit publikë, nuk përbetohet më me zë të lartë për ndershmërinë, profesionalizmin, apo zotësinë e Lalit?

Pra, qoftë edhe taktikisht, nëse do të kishte konsultuar një specialist të vërtetë mardhëniesh publike, ai do ti’a kishte shkëshilluar Veliajt konfiktin me Batonin. Jo thjeshtë sepse ky nuk bëri ndonjë herezi, por sepse atij vetë nuk i interesonte. Po ashtu, ai me siguri nuk do ti kishte rekomanduar ndërprerjen e quravitjes qesharake kundër emisioneve politike, ndërkohë që ai kontrollon mbi 90% të audiencës televizive. Mbi të gjitha do ta porosiste që të mos krijonte armiq të rinj, tani që është me një këmbë në varr.

Por, Veliaj ndoqi rrugën e kundërt. Ai prodhoi një zinxhir gafash që iu kthyen në boomerang, fiks ashtu siç bëri kur u përpoq të manipulonte me fletëthirrjen nga SPAK. Tha se do të shkonte vetë, por i botuan dokumentin e kërkesës së prokurorëve. Nxitoi të paraqitej dy orë përpara kohës së paracaktuar, për të mos u kapur nga kamerat e reporterëve, por ato e fiksuan duke pritur i shpërfillur te vendi i dezhurnit të prokurorisë. I trajtoi miqësisht si kolegë ata që do e pyesinin, por të njëjtët nuk e lëshuan për plot tetë orë.

Po çfarë i bën bashkë dy gjëra që duken kaq të largëta: incidentin me Batonin dhe përpjekjen për të manipuluar me fletëthirrjen e SPAK-ut? Ajo është një e vetme: lëhtësia e padurueshme për tu sjellë si një fëmijë i parritur. Përpjekja për të gënjyer duke përdorur marifete të një nxënësi filloreje. Veprime të pakuptimta që kthehen në boomerang.

Kjo është në fakt një karakteristikë e mbarë bandës së bashkisë.

Vetëm kur e sheh se sa të lehtë, naivë, çiliminj janë në komunikimin publik, në mënyrën si prodhojnë konfliktet dhe reken të manipulojnë debatin, e ke më të kollajshme për të kuptuar se me po të njëjtën mënyrë idiote dhe debile kanë tentuar të na vjedhin. E bënë pa u lodhur fare, duke ngritur një firmë të tyre, për ti kaluar direkt paratë e buxhetit të bashkisë.

Këtu qëndron, në të vërtetë, veçantia e Lalit dhe enturazhit të tij, ajo e njerëzve bazikë, me 200 fjalë fjalor, që tregëtojnë gënjeshtra të trasha dhe që grabisin pa qenë në gjendje të fshehin as gjurmët. Ata i vërsulen Batonit, me të njëjtën shpërfillje mendjelehtë si arkës së shtetit. Ata nuk janë në gjendje të kuptojnë se, qoftë dhe për të qenë manipulator apo hajdut, duhet një lloj talenti. Për fatkeqësinë e tyre ata kanë qenë të bindur se e kishin me bollëk atë. Pushteti i madh që i’u ra në krye si dhuratë, çantat e zeza që u dërgonin pronarëve të TV-ve, i yshtën ti besonin projektimit fallco të vetes, në kronikat e gatshme që dërgonin në ekrane. Ata imponuan fabulën e një qyteti më të gjelbëruar duke ngritur kulla, e një Tirane më të pastër duke vjedhur me inceneratorin, e një ajri më të përmirësuar duke zhdukur matjen e tij. Ata i ngjanin atyre grave të dëshpëruara, që pasi janë rindërtuar nga kirurgu plastik, fillojnë e imagjinojnë se ashtu i ka pjellë nëna. Ky vetëbesim i bëri edhe më arrogantë edhe më mendjelehtë, aq sa arritën deri këtu.

Pikërisht në këtë rrugë po vijojnë edhe tani, duke tërhequr përmes sherreve të kota vëmendjen tek vetja dhe duke harruar instiktin e gjithë mëkatarëve, që presin në heshtje të qetësohet fortuna, me shpresën se me kalimin e saj edhe mund të harrohen. Jo. Veliaj dhe banda e tij vazhdojnë naivisht të shpikin armiq, duke mbetur në qendër të vëmendjes dhe duke ia hequr edhe një SPAK-u që reket ti amnistojë, mundësinë për të mos u marrë me ta.

I tillë qe dhe sherri në fillimin e të cilit qëllova prezent dhe unë. Lali krijoi një përplasje pa shkak dhe të panevojshme, pa u merakosur që kështu mund të forconte, më kot, perceptimin se po sulmohet edhe nga krahu i Ramës. As këtë herë ai nuk e humbi rastin për t’u treguar halldup në komunikim, njësoj si në grabitje.

/Lapsi

Continue Reading

OPINION

Kosova një pikë e zezë në hartën e Evropës

Nga Hisen Berisha

Pasojat e propagandës kundër shtetit, të këtyre qeveritarëve para dhe pas ardhjes në pushtet, tani po sjellin efektet domino.

Kur udhëheqin njerëzit e këqinj, marrin vendime të gabuara, atëherë populli e paguan çmimin e pasojave. Kjo po i ndodhë popullit të Kosovës aktualisht.

Ata menduan se duke etiketuar dhe denigruar shtetin dhe çdo arritje politike, ekonomike, sociale, të sigurisë dhe integrimeve, do të fitonin një pozicion të favorshëm dhe të besueshëm në arenën ndërkombëtare.

Tani po përballen me mekanizma ideologjik të “revolucionit me shamija të kuq”, të cilët vetë i kanë krijuar me propagandë dhe kauza të rrejshme. Tani ata duhet të shërbehen edhe mëtej me gjuhë elektorale për të mbijetuar vetë-viktimizimin!

Shikoni se si po bëhen investimet në infrastrukturë rrugore, arsim, shëndetësi, çështje sociale dhe për mundësi të barabarta punësimi (me rekomandime partiake), dhe në fushën e sigurisë në veçanti. Abuzim i pa parë me paranë publike dhe taksat e qyetarëve, i cili duhet hetuar nga organet përkatëse dhe Zyra Kombëtare e Auditimit.

Një qeveri e përgjegjshme përgatitet gjithmonë për luftë, e ngrit dhe siguron sigurinë e saj, por nuk flasin hapur për luftë.Propaganda si mjet linçues, paranojat, dhe frikësimi i qytetarëve janë mekanizma për të mbajtur nën kontroll emocionet e qytetarëve, bashkë me varfërimin ekonomik si doktrinë dhe varësinë sociale, si mekanizëm i regjimeve të majta dhe totalitare, për të udhëhequr/sunduar më lehtë me qytetarët duke i mbajtur të lidhur me pushtetin.

Nga Serbia, pritet gjithmonë luftë hibride dhe jo vetëm, por edhe konvencionale, në rastin e parë historik dhe politik, po t’iu jepet.Serbia ka vazhduar të angazhohet në luftë hibride në Kosovë që nga çlirimi në vitin 1999, duke filluar me organizimin e “Rojeve të Urës” deri te rasti i “Banjes”.

Qeveria duhet të flasë për zhvillimin ekonomik dhe rritjen e kapaciteteve ushtarake për mbrojtjen dhe sigurinë, si dhe për gatishmërinë luftarake nëse ka sinjale, dhe jo të flasë hapur për luftë.

Prandaj, ky është një kërcënim i vjetër, sa ekzistenca e dy kombëve tona, dhe asnjë tregues ushtarak ose gjeopolitik nuk është ndryshuar, përveç përparësive të sojit neokomunist që po përhapen dhe po bëhen kërcënim për shfarosjen e qytetarëve, me pretekstin, nëse nuk i rivotojmë ata.

Sa i përket natyrës së qeverisjes sonë, raportet ndërkombëtare për Kosovën, si ai i Freedom House dhe veçanërisht ai i Departamentit të Shtetit të SHBA, flasin me tone tëjet shqetësuese.

A nuk e vëren kjo qeveri se, me propaganden e revolucionit me shamija të kuqe dhe veprimet e tyre politike, po e bëjnë Kosovën një pikë të zezë në hartën e Evropës?!

Continue Reading
Advertisement

TRENDING