Bota
Ish-shefi i sigurisë hapësinore në Izrael: Jashtëtokësorët ekzistojnë dhe Trump e di këtë
Një ish-shef izraelit i sigurisë hapësinore pohon se njerëzit kanë qenë në kontakt me jashtëtokësorët nga një “federatë galaktike”.
“Objektet Fluturuese kanë kërkuar që të mos bëhet publike prania e tyre pasi njerëzimi nuk është ende gati,” tha Haim Eshed, ish-shefi i drejtorisë hapësinore të Ministrisë së Mbrojtjes së Izraelit, për gazetën izraelite Yediot Aharonot. Intervista në hebraisht u publikua të Premten dhe mori vëmendje pasi pjesët u botuan në Anglisht nga Jerusalem Post.
Profesor dhe gjeneral në pension, Eshed tha se jashtëtokësorët ishin po aq kurioz për njerëzimin dhe po kërkonin të kuptonin “strukturën e universit”.
Eshed tha se madje janë nënshkruar edhe marrëveshje bashkëpunimi midis specieve, duke përfshirë një “bazë nëntokësore në thellësitë e Marsit” ku ka astronautë amerikanë dhe përfaqësues të huaj.
“Ekziston një marrëveshje midis qeverisë amerikane dhe alienëve. Ata nënshkruan një kontratë me ne për të bërë eksperimente këtu,” tha ai.
Eshed shtoi se Presidenti Donald Trump ishte i vetëdijshëm për ekzistencën e jashtëtokësorëve dhe kishte qenë “në prag të zbulimit” të informacionit, por iu kërkua të mos e bënte këtë për të parandaluar “histerinë masive”.
Shtëpia e Bardhë dhe zyrtarët izraelitë nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesës së NBC News për koment. Sue Gough, një zëdhënëse e Pentagonit, nuk pranoi të komentojë. Një zëdhënës i NASA-s tha se një nga qëllimet kryesore të agjencisë ishte kërkimi i jetës në univers, por që ende nuk kishte gjetur shenja të jetës jashtëtokësore.
Idetë e Eshed përshkruhen më në detaje në “Universi Përtej Horizontit – biseda me Profesor Haim Eshed” nga Hagar Yanai botuar në nëntor.