Connect with us

Kosova

Kisha besim të madh, por…/ Miku i Kosovës tregon fokusin e përqëndrimit

Ish-përfaqësuesi i Bashkimit Evropian për Kosovën, Peter Feith, ka thënë se kishte pritshmëri më të mëdha për shtetin më të ri demokratik të krijuar në Ballkan, Kosovën.

Ai është shprehur se priste që elita politike të bëhej bashkë për të krijuar një plan afatgjatë dhe afatmesëm për ecurinë e vendit, e jo të kishin kaq shumë mosmarrëveshje mes tyre.

Sipas tij, tashmë Kosova do duhet të ndalet në tri pika kryesore në mënyrë që të ecë përpara, pika këto që kanë të bëjnë me unitetin politik, normalizimin e situatës pas luftës dhe mbajtjen pranë të aleatëve dhe miqve. Feith ka thënë gjithashtu se nuk sheh vullnet politik për të rënë dakord mbi prioritetet e vendit.

“Mendoj se institucionet në Kosovë po funksionojnë mirë, por ajo që unë shpresoja është se liderët politikë do bëheshin bashkë. Koha e shpenzuar me mosmarrëveshje mund të kishte qenë kohë e harxhuar në përfitim të Kosovës” –  ka deklaruar ish-përfaqësuesi i Bashkimit Evropian për Kosovën.

“Pika e dytë, është se normalizimi i situatës pas luftës nuk është arritur plotësisht. Por për tango duhen dy. Kosova nuk është e vetmja, nuk po shikojmë mjaftueshëm hapa drejt pajtimit dhe Kosova ende kontestohet nga Serbia, dhe ky është një lloj zhgënjimi për mua” – theksoi  Feith

Sipas tij, në kontekstin dramatik të zhvillimeve gjeopolitike, me influencën që vjen nga Rusia dhe me luftën që po zhvillohet në Ukrainë, prej së cilës po kërcënohen të gjitha palët, duhet të jemi të qartë se Kosova nuk është në top listën e prioriteteve të kancelarive ndërkombëtare sikurse ishte 16 vite më parë.

Vëmendja gjithashtu është edhe në Amerikë ku zgjedhjet po afrohen dhe në pushtet mund të vijë Donald Trump, teksa dhe në pranverë do zhvillohen edhe zgjedhjet për Parlamentin Europian, dhe ka pritshmëri se partite e ekstremit të djathtë të shtojnë prezencën e eurodeputetëve të atij krahu.

Sa për sanksionet ndaj Kosovës, Peter Feith u shpreh se janë të panevojshëm dhe duhet të hiqen, por “Qeveria e Kosovës duhet të veprojë”.

Kujtojmë se në një tjetër reagim më herët, ish-përfaqësuesi i Bashkimit Evropian për Kosovën, i ka sugjeruar qeverisë Kurti që në këtë periudhë të mos bëjë gabime të panevojshme, duke pasur parasysh zhvillimet gjeopolitike.

“E dimë pozicionin e Serbisë ndaj luftës në Ukrainë dhe miqësinë e tij me Putinin, e cila nuk është e mirë pranuar në Bruksel. Vuçic nuk është duke bërë hapa drejt njohjes së pavarësisë së Kosovës, por mendoj edhe se  qasja e Kurtit në dialog ka qenë më nacionaliste krahasuar me liderët e kaluar, por duhet thënë se është treguar edhe konstruktiv” –  ka deklaruar Feith

“Pritshmëritë s’janë shumë pozitive, por s’ka arsye për panik, apo të mendohet se BE-ja do ta ndryshojë pozitën ndaj Kosovës. Vlerësoj se Lajçak ka shfaqur energji të madhe në shtyrje para të procesit. Nëse nuk ka patur shumë progres deri tani, nuk mund të fajësojmë atë” – ka deklaruar Feith

Kosova

“Lajmëtar dhe avokues për pavarësinë e Kosovës”/ Osmani takon ish presidentin amerikan, George W. Bush

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është takuar ditën e sotme me ish presidentin e amerikës George W. Bush ku e cilësojë këtë të fundit si “lajmëtar dhe avokues për pavarësinë e Kosovës”.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Osmani ka njoftuar për takimin me ish-presidentin Bush, duke përkujtuar thënien e tij gjatë vizitës së tij në Tiranë në vitin 2007.

“’Mjaft është mjaft. Kosova është e pavarur’, është fraza paralajmëruese për pavarësinë e Kosovës, e Presidentit George W. Bush në Tiranë më 2007, e cila do të mbetet e gdhendur në analet e historisë si një afirmim i vendosur i të drejtës së Kosovës për të qenë e pavarur dhe sovrane”, shkroi Osmani.

“Kënaqësi që takova lajmëtarin e pavarësisë së Kosovës, Presidentin Bush, i cili ishte një avokues i vendosur për pavarësinë e Kosovës dhe vazhdon të mbetet një mik dhe mbështetës i popullit të Kosovës”, ka shkruar presidentja Osmani.

Continue Reading

Kosova

“Gazetar i supozuar”/ Xhymshiti reagon pas deklaratës së Escobar: Sulm që synon heshtjen e gazetarisë kritike

Gazetari i Kosovës, Vudi Xhymshiti ka reaguar pas deklaratës së Diplomatit Amerikan të Shtetit, Gabriel Escobar i cili e ka cilësuar Xhymshitin si një “gazetar të supozuar”. Në një postim në rrjetin social “X”, Xhymshiti shkruan se kjo deklaratë është një sulm që synon diskreditimin dhe heshtjen e gazetarisë kritike.

Ai shton se termi “gazetar i supozuar” i përdorur nga Escobar banalizon integritetin profesional dhe punën e gjerë të gazetarit, dhe ngjall urrejtje dhe mosbesim, duke nxitur potencialisht armiqësi ndaj gazetarit. Xhymshiti shton ndër të tjera se kjo deklaratë është alarmante kur buron nga një zyrtar qeveritar, roli i të cilit sipas tij në thelb kërkon një angazhim për të mbështetur vlerat demokratike, duke përfshirë lirinë e shtypit.

Reagimi në rrjetin social X:

Kur një diplomat i rangut të lartë nga Departamenti Amerikan i Shtetit, si zëvendësndihmës sekretari Gabriel Escobar, etiketon një gazetar të njohur si “gazetar i supozuar” në përgjigje të akuzave të dokumentuara, nuk është thjesht një sulm ndaj individit, por një shkelje e rëndë. të dekorit diplomatik dhe një fyerje ndaj lirisë së shtypit. Kjo deklaratë, veçanërisht e ardhur nga një figurë e përfshirë në polemika mbi konfliktet e mundshme të interesit, sugjeron një përpjekje të qëllimshme për të minuar besueshmërinë e gazetarit dhe largimin e vëmendjes nga çështjet thelbësore në fjalë. Veprime të tilla janë pjesë e një fushate më të gjerë shpifjeje të Escobar-it , që synon diskreditimin dhe heshtjen e gazetarisë kritike përmes vrasjes së personazheve. Kjo është veçanërisht alarmante kur buron nga një zyrtar qeveritar, roli i të cilit në thelb kërkon një angazhim për të mbështetur vlerat demokratike, duke përfshirë lirinë e shtypit . Termi ” gazetar i supozuar ” jo vetëm që banalizon integritetin profesional dhe punën e gjerë të gazetarit, por gjithashtu ngjall urrejtje dhe mosbesim , duke nxitur potencialisht armiqësi ndaj gazetarit. Është një taktikë që kërcënon vetë themelin e diskursit të informuar dhe llogaridhënies në çështjet publike, duke i bërë jehonë metodave më të errëta të përdorura zakonisht nga regjimet autoritare për të shtypur mospajtimin dhe për të kontrolluar narrativën. Pavarësisht përballjes me sulme ad-hominem që synojnë të minojnë besueshmërinë time, unë mbetem i padekur . Akuzat e dokumentuara për konflikt të mundshëm interesi që rrethojnë Zëvendës Ndihmës Sekretarin Gabriel Escobar kanë çuar në shkarkimin e tij , duke nënvizuar ndikimin e gazetarisë rigoroze investigative. Ky rezultat jo vetëm që justifikon përpjekjet tona të zellshme, por gjithashtu ripohon angazhimin tim për të mbështetur transparencën dhe llogaridhënien kundër interesave të fuqishme.

Continue Reading

Kosova

Vuçiç fut Kinën në Europë, ‘Kommersant’ për arsyet e vizitës së Xi Jinping në Serbi

“Qëllimi kryesor i vizitës së presidentit kinez Xi Jinping në Serbi më 7-8 maj u shënua zyrtarisht si “forcimi i mëtejshëm i miqësisë së çelikut” midis dy vendeve. Kina e sheh Serbinë si një partner të rëndësishëm në zbatimin e projektit të saj strategjik “Belt and Road”, i cili përfshin dërgimin e produkteve kineze në Evropë. Beogradi nuk mbështetet vetëm në kreditë dhe investimet kineze, por edhe në mbështetjen e Pekinit për qëndrimin e Serbisë ndaj Kosovës” – kështu shkruan korrespondenti ballkanik i ‘Kommersant’, Genadi Sosoyev.

Fakti që vizita e presidentit kinez Xi Jinping në Serbi ka për qëllim të “forcojë miqësinë e çelikut” mes dy vendeve u njoftua në Pekin dhe Beograd. Pikërisht kjo formulë – “miqësia e fortë” – është përdorur në të dy vendet prej disa vitesh si karakteristikë e marrëdhënieve dypalëshe.

Gjatë vizitës së parë të Xi Jinping në Beograd në vitin 2016, u nënshkrua një deklaratë për partneritetin strategjik, kurse vjeshtën e kaluar, kur presidenti serb Aleksandër Vuçiç vizitoi Pekinin, u nënshkrua një marrëveshje për tregtinë e lirë mes dy vendeve, të cilën Beogradi e quajti një “ngjarje historike për Serbinë”.

Beogradi mbështetet në radhë të parë në investimet dhe kreditë kineze, duke i preferuar qartë ato ndaj atyre evropiane për shkak të shpejtësisë së zbatimit dhe procedurave më të thjeshta për marrjen e tyre.

Por Serbia nuk është më pak e interesuar për mbështetjen e Pekinit edhe për qëndrimin e saj ndaj Kosovës. Kina nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe voton vazhdimisht në përputhje me këtë qëndrim në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Nga ana e saj, Serbia i përmbahet me vendosmëri parimit të një Kine. “Tajvani është Kina, dhe pikë”, tha Aleksandër Vuçiç në një intervistë në Pekin.

Sipas burimeve të Kommersant nga Beogradi, Vuçiç dhe Xi fillimisht do dakordohen për përfundimin e ndërtimit të hekurudhës së shpejtë Beograd-Budapest në gjatësi prej 350 km, e cila është duke u realizuar nga kompanitë kineze, me mundësi shtrirjeje deri në kryeqytetin maqedonas, Shkup dhe më tej në portin grek të Selanikut.

Sipas planeve të Pekinit, autostrada Selanik-Budapest duhet të bëhet një nga pikat kyçe në dërgimin e produkteve kineze në Evropë në të ardhmen.

Një tjetër temë e rëndësishme diskutimi, sipas të njëjtave burime të Kommersant, duhet të jetë çështja e blerjes së mundshme nga ana e Serbisë të avionëve kinezë të gjeneratës së pestë J-20, të cilët do të zëvendësonin MiG-29 të dorës së dytë që Rusia i transferoi në Beograd.

Continue Reading

Kosova

Përpjekja e ricikluar për të diskualifikuar të dërguarin special amerikan Gabriel Escobar

“Ne gjithmonë do të qëndrojmë krah popullit të Kosovës” – Kështu ka thënë Gabriel Escobar, i dërguari i SHBA-së për t’u marrë me çështje në rajonin në të cilin bën pjesë edhe Kosova.

Krerët e shtetit të vogël ballkanik në disa raste aluduan se ai qëndronte në anën e Serbisë dhe specialisti i diplomacisë nuk e pati të lehtë detyrën e emisarit, duke parë që thirrja e tij e vazhdueshme që Albin Kurti të kordinohej me Perëndimin, këmbehej me fushata sulmesh ndaj tij, dhe të cilat janë ricikluar javën e fundit.

U pa se detyra e të dërguarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor nuk ishte e lehtë as për një specialist të diplomacisë si Gabriel Escobar.

Siç ndoshta nuk do ta ketë pritur diplomati amerikan, disa pushtetarë në Kosovë dhe mbështetës të tyre, në forma të ndryshme, hodhën akuza në drejtim të tij, duke e lidhur atë edhe me Serbinë.

Pothuajse në çdo paraqitje publike, Zëvendës Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit u mundua të argumentonte se SHBA-ja ka bërë shumë gjëra në favor të Kosovës. Thirrja e tij e vazhdueshme për t’u koordinuar këmbehej me fushata sulmesh ndaj tij. Nga Kosova ai priti themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe që s’do ta rrezikonte Kushtetutën apo strukturën ligjore të shtetit. Për një strukturë të tillë vetëmenaxhimi për serbët ishin pajtuar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç në Bruksel dhe Ohër në shkurt dhe mars të vitit të kaluar.

Nëse sulmuesit e Escobarit dhe vetë kryeministri Albin Kurti nuk do të mendonin se i dërguari i SHBA-së e bëri thjesht për ta joshur Qeverinë, mund të konstatohet se Kosova ka humbur mundësi të mëdha për t’u njohur plotësisht ndërkombëtarisht.

Gabriel Escobar, më herët, dhe jo vetëm një here kishte pranuar edhe publikisht se në Washington kanë “problem komunikimi me kryeministrin Kurti”, dhe thoshte se “ky nuk është problem vetëm i Shteteve të Bashkuara”.

Anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, me njohjen paraprake nga pesëshja e BE-së, diplomati amerikan e konsideroi si aspiratën më të lartë të SHBA-së në Ballkanin Perëndimor. Marrëveshja e fundit në dialog, sipas tij ofronte mundësinë më të madhe që nga pavarësia që amerikanët të bashkëpunonin me Qeverinë e Kosovës në një fushatë globale të njohjeve që mund të niste vitin e kaluar.

Kështu thoshte Escobar në Capitol Hill në verën e vitit 2023, në një mbledhje ku Kosova ishte çështje kryesore e diskutimit.

 

Continue Reading

Kosova

Anëtarësimi/ Ja çfarë kërkon Ambasada britanike nga Kosova

Dje dhe sot në Strasburg, zëvendësministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të Bashkimit Europian janë duke bërë përgatitjet e fundit dhe hartimin e agjendës për mbledhjen e ministrave të Jashtëm që do të zhvillohet këtë muaj. Ende nuk dihet me saktësi nëse Kosova do të futet në agjendë, pavarësisht optimizmit që krijoi votimi me shumicë dërrmuese pro anëtarësimit të Kosovës në Asamblenë Parlamentare. Kërkesa e Francës dhe Gjermanisë që të bëhen hapa konkretë drejt themelimit të Asociacionit si kusht për anëtarësim e ka daravitur disi këtë entuziazëm.

Së fundmi, Mbretëria e Bashkuar, perms ambasadës së saj në Prishtinë, ka rekomanduar që qeveria “të bëjë gjithçka” për të siguruar mbështetjen e nevojshme, pavarësisht se nuk i kërkoi Kosovës drejtpërdrejt themelimin e Asociacionit që pastaj të japë mbështetje në mbledhjen e majit.

Kujtojmë se dy ditë më parë në zyrën e Albin Kurti shkuan ambasadorët e vendeve të Quint’it. Kyeministri u përmendi atyre raportin e grekes Dora Bakoyannis, për të cilin tha se u konfirmua nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës dhe se “ka konfirmuar se Republika e Kosovës plotëson standardet dhe kriteret për të qenë anëtare e plotë e kësaj organizate”.

Po ashtu, kryeministri Kurti tha se me vendimin për regjistrimin e tokës Manastirit të Deçanit dhe letrën e dërguar nga tre krerët e vendit – ku zotohen për themelim të Asociacionit – “Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret për anëtarësim, prandaj edhe çdo kërkesë tjetër është në shpërputhje me vetë votimin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës të 16 prillit, të mbështetur në masën 82%.

Si përgjigje për kërkesën e Francës e Gjermanisë, Kurti ka thënë se normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë zhvillohet në Bruksel dhe jo në Strasburg.

Continue Reading
Advertisement

TRENDING