Thinking ...
Connect with us

Kosova

Kosova “ngrihet në këmbë”/ Hamza paralajmëron hapa konkretë

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka paralajmëruar konsultime me liderët e partive politike për të diskutuar hapat që mund të ndërmerren në Kuvend lidhur me Gjykatën Speciale dhe aktgjykimet ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së.

Pas mbledhjes së Kryesisë së PDK-së, Hamza tha se çështja duhet të trajtohet në nivel institucional dhe jo si një problem që i përket vetëm një force politike. Ai deklaroi se do të zhvillojë takime me përfaqësuesit e subjekteve politike për të kërkuar një qëndrim sa më të përbashkët.

Sipas Hamzës, situata aktuale mund të shfrytëzohet nga Serbia për të dëmtuar Kosovën, ndaj ai kërkoi që reagimet dhe veprimet politike të jenë të kujdesshme dhe brenda kuadrit demokratik.

Hamza bëri të ditur gjithashtu se PDK ka siguruar 22 nënshkrime për të kërkuar një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit. Ai tha se zhvillimi i kësaj seance do të varet nga situata dhe nevojat që mund të krijohen.

Sa i përket Gjykatës Speciale, Hamza sqaroi se PDK nuk po kërkon zhbërjen e saj, por diskutimin e mundësisë për përshtatjen e saj me situatën e re.

“Ne nuk po flasim për zhbërjen e Gjykatës Speciale, por për përshtatje me një situatë të re”, deklaroi ai.

Kreu i PDK-së theksoi se partia e tij nuk synon të pengojë punën e Gjykatës, ndërsa nënvizoi rëndësinë që ajo të përmbushë mandatin e saj për hetimin dhe verifikimin e gjetjeve të raportit të Dick Martyt, proces për të cilin u krijua.

Hamza tha se hapat e mëtejshëm do të përcaktohen pas konsultimeve me partitë e tjera, me synimin për të arritur një qëndrim sa më të gjerë institucional.

Advertisement