Connect with us

Bota

Mbi 100 avionë dhe 15 mijë ushtarë/ Fillon ‘Operacioni Liria’ i shpallur nga Trump për Ngushticën e Hormuzit

Një kapitull i ri në tensionet në Lindjen e Mesme është hapur mbrëmjen e së dielës, pasi Donald Trump njoftoi nisjen e “Operacionit Liria për Ngushticën e Hormuzit”, një iniciativë që synon të ndihmojë anijet e vendeve të treta të largohen në mënyrë të sigurt nga kjo zonë strategjike.

Pak orë pas njoftimit, Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) bëri të ditur se në operacion do të përfshihen shkatërrues me raketa të drejtuara, mbi 100 avionë tokësorë dhe detarë, platforma pa pilot dhe rreth 15,000 ushtarë.
Nga ana tjetër, Irani reagoi ashpër, duke paralajmëruar se çdo ndërhyrje amerikane në Ngushticën e Hormuzit do të konsiderohet shkelje e armëpushimit. Kryetari i komitetit të sigurisë kombëtare të parlamentit iranian, Ebrahim Azizi, deklaroi se një veprim i tillë mund të sjellë pasoja të rënda.

Çfarë parashikon “Operacioni Liria”

Sipas Trump, vendimi u mor pas kërkesave të disa vendeve që nuk janë të përfshira në konflikt, por që kanë anije të bllokuara në Ngushticën e Hormuzit. Ai theksoi se bëhet fjalë për mjete lundruese “neutrale dhe të pafajshme”, të cilat përballen me mungesa furnizimesh dhe rrezik të shtuar për ekuipazhet. Operacioni synon të garantojë kalimin e sigurt të këtyre anijeve dhe rikthimin e aktivitetit normal tregtar, duke u paraqitur nga Uashingtoni si një nismë me karakter humanitar.

Megjithatë, sipas mediave amerikane, plani nuk parashikon domosdoshmërisht shoqërim të drejtpërdrejtë nga anijet luftarake të Marinës amerikane. Ato pritet të qëndrojnë në gatishmëri në zonë, ndërsa do të ofrojnë informacion për rrugët më të sigurta detare dhe për zonat e mundshme të minuara.

Zyrtarë dhe ekspertë ndërkombëtarë kanë shprehur dyshime mbi efektivitetin e operacionit, duke kujtuar përpjekje të ngjashme të mëparshme që nuk arritën të ndryshojnë situatën në terren. Pa një shoqërim të drejtpërdrejtë ushtarak, ndikimi i nismës mund të jetë i kufizuar. Nga ana tjetër, ekspertja e sigurisë detare, Jennifer Parker, vlerëson se prania e shtuar ushtarake në ajër dhe det mund të krijojë një ndjenjë sigurie për anijet tregtare.
“Ky operacion synon më shumë të ndryshojë klimën e sigurisë në Ngushticë, në mënyrë që anijet të ndihen të sigurta për të lëvizur”, u shpreh ajo.
Ngushtica e Hormuzit mbetet një nga pikat më të rëndësishme të transportit global të energjisë, dhe çdo zhvillim në këtë zonë ka ndikim të drejtpërdrejtë në tregjet ndërkombëtare dhe sigurinë globale.

Advertisement