Bota
Mojtaba Khamenei: SHBA-të janë një tigër letre, ata nuk mund të mbrojnë as bazat e tyre
Mojtaba Khamenei ka publikuar një mesazh drejtuar Shteteve të Bashkuara, në një kohë kur diskutimet për një marrëveshje të mundshme mes Uashingtonit dhe Teheranit mbeten të pasigurta.
Në një postim të tij, ai e quajti SHBA-në “tigër prej letre” dhe tha se “nuk mund të mbrojë as bazat e veta ushtarake”.
Sipas tij, kjo ngre dyshime për aftësinë e SHBA-ve për të garantuar sigurinë e aleatëve të tyre në rajon.
Këto deklarata erdhën pas një paralajmërimi që Ajatollah Khamenei i kishte drejtuar Shteteve të Bashkuara me rastin e Ditës Kombëtare të Gjirit Persik. Ai foli për një “kapitull të ri” në Gjirin Persik dhe Ngushticën e Hormuzit, duke theksuar se Irani do të garantojë sigurinë në rajon dhe do të ndalojë “abuzimet e armikut”.
Ai gjithashtu tha se prania e SHBA-ve është një nga shkaqet kryesore të pasigurisë në Lindjen e Mesme dhe se stabiliteti mund të arrihet vetëm nëse ato largohen nga rajoni.
Nga ana tjeter,
Presidenti amerikan, Donald Trump, është shfaqur i rezervuar ndaj propozimit më të fundit të Iranit, duke theksuar se, pavarësisht disa hapave përpara, arritja e një marrëveshjeje nuk është e sigurt.
Sipas Axios, Trump deklaroi se pala iraniane duket e gatshme për të arritur një marrëveshje, por përgjigjja e saj nuk përmbush plotësisht kërkesat e Shteteve të Bashkuara.
“Duam të arrijmë një marrëveshje, por nuk jam i kënaqur me përgjigjen e tyre. Kanë bërë progres, por nuk jam i sigurt nëse do të arrijnë ndonjëherë një marrëveshje”, u shpreh ai.
Duke folur për gazetarët, Trump paraqiti dy opsionet që, sipas tij, ka Uashingtoni përballë Teheranit; arritjen e një marrëveshjeje ose përshkallëzimin ekstrem të konfliktit.
Megjithatë, ai nënvizoi se preferon një zgjidhje diplomatike.
“Nga ana humanitare, do të preferoja të mos e shkatërrojmë Iranin, por kjo mbetet një mundësi”, tha presidenti amerikan.
Në të njëjtën kohë, Trump u shpreh i sigurt për kapacitetet ushtarake të SHBA-së, duke deklaruar se vendi disponon rezerva të mëdha armatimesh në mbarë botën dhe është i përgatitur për çdo skenar.
Nga ana tjetër, Irani ka paraqitur një propozim të ri përmes ndërmjetësimit të Pakistan. Sipas agjencisë shtetërore iraniane IRNA, drafti i fundit i është dorëzuar ndërmjetësit gjatë mbrëmjes të së enjtes, pa u bërë publike detaje të mëtejshme.
Zhvillimet e fundit tregojnë se, megjithëse kontaktet diplomatike vijojnë, hendeku mes palëve mbetet i konsiderueshëm dhe e ardhmja e një marrëveshjeje përfundimtare mbetet ende e paqartë.