Connect with us

Politike

Në qëndrën e Vermoshit,në Malësi të Madhe

Vermoshi në Malësi të Madhe është shndërruar tashmë në një destinacioin turistik mahnitës, ku bukurive të pakursyera të natyrës, Rilindja Urbane u ka shtuar infstratukturën lehtësisht të aksesueshme nga turistët, përmes rikualifikimit urban të qendrës.
Qendra e Vermoshit është transformuar tërësisht falë mbështetjes së qeverisë përmes Fondit Shqiptar të Zhvillimit, në vijim të konceptit të Valbonës, ku shtëpitë tradicionale alpine, dikur të rrënuara, sot janë kthyer në bujtina mikpritëse për turistët vendas e të huaj.
 Kryeministri Edi Rama, i cili prej dy ditësh ndodhet në zonat e thella malore të vendit, vijoi vizitën e tij në Qendrën Turistike të Vermoshit, aty ku ndërhyrjet e kryera janë bërë duke ruajtur stilin dhe traditën vendase të ndërthuruara me elementët modernë të ndërtimit. Godinat e transformuara tashmë ofrojnë, jo vetëm informacion për zonën e Malësisë, por edhe akomodim e gastronomi tipike të zonës. Gjithashtu, rrugë aksesi dhe lidhëse janë  realizuar për të lehtësuar mirëseardhjen në një zonë të re dhe paeksploruar.
Ne një takim me banorë të zonës dhe përfaqësues të pushtetit lokal, Kryeministri Rama u shpreh se kjo është dekada e turizmit malor, e cila do ta kthejë Malësinë e Madhe, Tropojën dhe gjithë zonën e verilindjes së Kukësit në një hapësirë të një zhvillimi turistik të panjohur deri më sot, nga pikëpamja e intensitetit dhe e të ardhurave.
“Më vjen jashtëzakonisht mirë që unë kthehem këtu në këtë pikë të largët të vendit dhe në këtë pikë thuajse kufitare të Malësisë së Madhe pas disa kohësh dhe faktikisht ndryshimi që ka nisur është mbresëlënës.
Më vjen jashtëzakonisht mirë që mu dha mundësia së bashku me të tjerët që të vlerësojmë 4 djem të kësaj zone, të cilët pas një periudhe në emigracion kanë vendosur të kthehen dhe të investojnë kursimet e tyre këtu. Janë në sipërmarrje dhe kanë sjellë këtu një vizion komplet tjetër për si duhet parë investimi në funksion të traditës dhe në funksion të cilësisë më të lartë.
Nga ana tjetër, më vjen jashtëzakonshmit mirë që qendra e re turistike e Vermoshit është gati, ashtu si dhe ajo e Valbonës, e cila ka filluar të funksionojë prej disa muajsh me sukses. Është një qendër që është ngritur nga rrënojat e dy godinave, që thjesht qëndronin mbi tokë në pamundësi për të kryer asnjë funksion dhe faktikisht ishin shprehja më e drejtpërdrejtë e braktisjes. Jo vetëm simbolikisht, por faktikisht është një qendër që do të krijojë gravitet për zonën, pasi nuk do të jetë thjeshtë një pikë ku mund të vijnë njerëzit për të fjetur apo për të ngrënë, por do të jetë një pikë ku do të punohet me bashkinë, do të punohet me njerëzit në zonë për të promovuar produktetet e tyre artizanale, do të punohet për të organizuar gjithë sistemin e bujtinave, pasi ajo që po bisedoja me miqtë pak më pare, që kanë ndërtuar këto 4 objekte fantastike, është që sot tendenca globale është vënia në shfrytëzim e shtëpive në kohën kur nuk e shfrytëzon vetë dhe këto shtëpi të dyta që po ndërtohen janë të lindura për të qenë edhe pjesë e këtij rrjeti ku në periudhën që familja, e cila e përdor nuk vjen, jepen në dispozicion të vizitorëve apo turistëve për një natë apo një javë apo dy javë.
Ka një sistem ndërkombëtar për këtë, Airbnb që funksionon kështu dhe qendra do të ndihmojë për këtë, për t’i futur të gjithë në këtë sistem e për t’i ndihmuar që të bëjnë të gjithë proceset e rezervimeve online, e kështu me radhë.
Nga ana tjetër ne kemi përfunduar më në fund dhe procesin për të kaluar pronat, sepse problemi në Malësinë e Madhe, por dhe në Tropojë dhe  në disa zona të tjera në Kukës, por dhe në Shqipërinë e mesme e poshtë, por kryesisht në veri, është që në komunitete të caktuara nuk e kanë pranuar 7501 sepse 7501 i fut në sherr, ndërkohë që nuk kanë asnjë konflikt për pronën pasi janë kthyer vetvetiu tek kufijtë e vjetër dhe kanë mirëkuptim të plotë me njëri –tjetrin, e kështu mund të vënë në shfrytëzim pyllin e gështenjave në Tropojë ku ata faktikisht janë aty dhe e përdorin, por nuk kanë të drejtë pronësie, mund të vënë në shfrytëzim pronat e tyre për t’i zhvilluar, qoftë për prodhim bujqësor, qoftë për prodhim blegtoral, qoftë për turizëm.
Të njëjtën bisedë pata dje në Tropojë me disa që i kanë bujtinat, duan të zhvillohen, duan të zgjerohen, por nuk kanë titullin e pronësisë. Kanë dokumente të 7501 që nuk i kanë futur kurrë në funksionon. Ka qenë një debat i jashtëzakonshëm dhe i gjatë ligjor dhe juridik dhe besoj që është subjekti për të cilin unë kam bërë më shumë mbledhje se për të gjitha subjektet e tjera në këtë periudhë që kam qenë në zyrën e kryeministrit, por e kemi zgjidhur, është kaluar ligji, janë tani në proces aktet nënligjore.
Këshilli Bashkiak i Tropojës do mblidhet për të dorëzuar pyllin e gështenjave në bazë të siç thashë gjithë pranimit të kufijve nga ana e të gjithëve e po kështu, edhe këtu me këshillin bashkiak do të vihet në funksion procesi dhe do të ribëhet gjithë topografia, bazuar tek dakordësia mes familjeve. Aty ku dy familje që janë fqinjë nuk kontestojnë kufirin me njëra-tjetrën, aty  do të vendoset kufiri e do të ndahet prona me letra, në mënyrë që të ketë mundësi të bëjnë dhe aplikime për fondet mbështetëse të Ministrisë së Bujqësisë apo të AZHBR pasi aty ku nuk ka pronë është e pamundur të mbështeten financiarisht.
Këtu është bërë dhe mbrojtja lumore që ka qenë një problem i madh më parë. Edhe në zonën lart po ashtu.
Kështu që besoj që jemi në rrugë të mbarë dhe jam i bindur që kjo dekadë që kemi hyrë do jetë dekada e turizmit malor, pasi turizmi bregdetar ka problematikat e veta, por është gjithsesi i zbuluar dhe është në një zhvillim të vazhdueshëm për shkak se njihet botërisht si një destinacion tanimë. Ndërsa Shqipëria malore është ende e pazbuluar, është ende e panjohur dhe ka filluar të njihet gjithmonë e më shumë nga vetë vendasit, shqiptarët që jetojnë në zona të tjera e që asnjëherë nuk e kanë ditur që këtu mund të vish dhe të gjesh mundësi për të qëndruar e tani po e mësojnë, pasi tani kanë filluar që strukturat e mikpritjes të organizohen e të mos jenë thjesht raste sporadike që nuk kanë munguar asnjëherë, por dhe për të huajt.
Turizmi malor këtu në Shqipëri ka qenë prej vitesh kryesisht i bazuar vetëm tek aventura, tek të rinjtë që vijnë për të hipur nëpër male dhe për këtë arsye dhe dhomat janë shpesh me shumë shtretër sepse vijnë me grupe. Sigurisht që janë të mirëseardhur, por nuk është ky turizmi që ne duhet të synojmë si qëllim final, ky është vetëm një komponent.
Turizmi që ne duhet të synojmë është turizmi i shtrenjtë. Duhet ta ngremë e për këtë arsye për shembull ato 4 shtëpitë që sot jemi këtu për t’i admiruar janë absolutisht struktura që janë për turizëm të shtrenjtë, janë për familje që vijnë dhe paguajnë shumë më tepër për të qëndruar dhe kështu shoh që po zhvillohen dhe struktura të tjera. Besoj që ka bërë punë të jashtëzakonshme dhe angazhimi i bashkisë në radhë të pare, por besoj që ka ndikuar dhe angazhimi ynë i drejtpërdrejtë, edhe si të thuash informimi që kemi mundur të bëjmë. Ndërhyrjet e rilindjes urbane kanë këtë qëllim në thelb. Kur kemi bërë Tamarën, Tamara ka qenë një pike, por është njësoj si ato pikat që prek akupunktura që energjizojnë gjithë trupin dhe duke ardhur njerëzit e duke zbuluar Tamarën, kanë gjallëruar gjithë zonën aty.
Ishim me Tonin dhe Paulinin para ca kohësh tek një pikë që ishte pikë bastesh, kishin humbur lekët e dynjasë dhe ishte kthyer tani që kur u mbyllën bastet në restorant dhe faktikisht po vazhdonin të investonin për shkak se kanë në mënyrë të vazhdueshme njerëz që shkojnë në Tamarë sidomos në fundjavë. Por Tamara shërbeu dhe si çelës për të hapur rrugën për të hyrë më thellë.
Këtu në Vermosh, është një mrekulli e vërtetë nga pikëpamja e natyrës si ka qenë gjithmonë, por është një ndryshim i madh nga pikëpamja e mundësisë për të ndenjur se kur erdhëm herën e parë këtu që qëndruam një natë ishte vetëm një lokal që na priti me gjithë përpjekjet e veta e me gjithë mundimin e vet prej shumë vitesh, por ishte si të thuash si Robinson Kruzoja në aspektin e industrisë. Këtu tani ka filluar të ngrihet një industri e turizmit që do kërkojë kohën e vet, por besoj që kjo dekadë, nuk diskutohet që do ta kthejë Malësinë e Madhe, do ta kthejë Tropojën dhe gjithë zonën e verilindjes së Kukësit edhe me aeroportin e ri, në një hapësirë të një zhvillimi turistik që është i panjohur deri më sot nga pikëpamja e intensitetit dhe pikëpamja e të ardhurave.
Faleminderit shumë për të gjithë njerëzit e Fondit Shqiptar të Zhvillimit që kanë bërë të mundur këtë ndryshim këtu. Sa për dijeni, që të mos habiteni, ndërkohë nga ato shtëpitë atje, deri këtu më është dorëzuar projekti tjetër që kërkon financim Dritan, kështu që projekti tani, fatmirësisht është mësuar që nuk kërkohet me muhabet, por kërkohet me project.  Ma dorëzuan një projekt që ishte nja 4 kilogram,  po ta dorëzoj ty që ta kesh kur të kthehesh për Lëpushën dhe aty duhet të bëjmë një ndërhyrje se edhe aty është një mrekulli tjetër që duhet zbuluar dhe kështu t’i prekim të gjitha pak nga pak për të bërë maksimumin.
Shumë faleminderit!
Advertisement
Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *