Connect with us

Shkrime

Në shahun e radhës, Rama godet me presionin e kohës, që PD të bëj gabime fatale

Nga Sonila Meço 
Në shahun e radhës, pushteti zgjodhi të luajë e kërcënojë kundërshtarin me zeitnot (shahisti mbetet me shumë pak kohë, nën presion për të bërë lëvizje të shpejta, shpesh me rrezik për gabime fatale).

Qëllimi?
Krijimi i perceptimit se opozita është e rrënuar, pa alternativë, pa emra, sërish dekor i një farse, e detyruar të lëvizë në sekondë të fundit, e çoroditur, e shtrënguar, e drobitur.

Dhe deri diku paradoksi ku e ka “shastisur” maxhoranca opozitën ngjan një skenar pa dalje, si një shah mat i përsëritur, madje i freskët nga 11 Maji.
Sepse me logjikë të ftohtë po gjithpranohet se opozita nuk mund të zgjedhë bojkotin, por as garën e zakonshme. Atëherë takohet me zgjidhjen në mes të rrugës, duke mbështetur një kandidaturë të pavarur.

Kur pushteti ka kapur fytazi shtetin me gjithsej, KQZ, gjykata, prokurori, media, pushtet vendor, presidencë, të pretendosh fitore përmes numrave është absurditet. Zgjedhjet jo vetëm nuk janë të barabarta, por nisin me shkelje të rënda kushtetuese dhe po t’i shtosh edhe kasaphanën e 11 Majit janë një çmenduri vetëm t’i mendosh.

Bojkoti nga ana tjetër është vetëvrasje politike.
Të mos marrësh pjesë është t’i japësh pushtetit fitoren më të pastër e më të lehtë. E provuar, me pasoja që rëndojnë edhe sot pas 6 vitesh. Regjimi e do këtë skenar me opozitë të asgjësuar, qytetarë të demoralizuar, lojë të mbyllur. Nuk ka si demoralizimi i përgjithshëm për pushtetin absolut.

Deri këtu ngjan se opozitën e ka shtrirë mirë përdhé në ring pushteti, duke marrë peng arbitrin, rregullat, ligjet dhe pallatin e sportit.

Mirëpo, vërtetë nuk ka ndryshuar asgjë nga 11 Maji, në mungesë edhe të raportit përfundimtar të OSBE-ODIHR, por maxhorancës i është ekspozuar bash mirë mekanizmi i inxhinierisë elektorale, financuesit, sponsorët, kapitali financiar e njerëzor, lidhjet, ato deri para pak kohësh të padukshme, kulisat e brendshme, i janë rrjepur lëkurët në pikat e dobta, i janë shtuar të burgosurit, të sakrifikuarit dhe ka hyrë në garë me një kandidate që më shumë se për Tiranën është për SPAK-un.

Ndaj zgjedhja e strategjisë me kandidat të pavarur, që mbështetet nga e gjithë opozita, duke e shndërruar akt akuze publike pjesmarrjen ne zgjedhje, duket se e gjeti papërgatitur maxhorancën, që mbrëmë hodhi në rrjet, pa asnjë cipë shtetare, ligjore e morale një intervistë në podcast-in e kryeministrit me kandidaten e PS-së për Tiranën.

Kjo intervistë nuk u transmetua rastësisht dje. Ajo është metafora e regjimit, ku gazetaria zëvendësohet nga propaganda, liria e fjalës shndërohet në monolog, institucionet bëhen skenografi e një partie të vetme. Është e njëjta logjikë që i ka shoqëruar zgjedhjet e manipuluara, tenderat klientelistë dhe reformën në drejtësi të përdorur si armë politike.

Por transmetimi i mbrëmshëm, fill pas deklaratës së opozitës, që doli nga cepi i kurthit “të marrë a të mos marrë pjesë në farsën e nisur me shkelje kushtetuese”, dëshmon se tik-tak-u i orës mbi tryezën e shahut nuk bie më mbi opozitën. Zeitnot-i i saj me gjasë i prishi terezinë pushtetit, sepse pasiguritë nga jashtë, përfshi përtej Atlantikun dhe hyrja nga brenda e opozitës në garë me akt akuze i bën zgjedhjet e Tiranës gjyq publik për pushtetin.

Kjo ishte mënyra për të thyer presionin e kohës, për të dalë nga cepi i ringut. Nëse opozita futet thjesht për të qenë, bëhet dekor. Nëse s’futet, zhduket. Por nëse futet si akt akuze, ka një shans të madh të shpëtojë kauzën.

Kandidati nuk është shpresa për kryetar me mandat 1 vjeçar, por simboli i përbashkët që ekspozon farsën. Një figurë qytetare, e pandotur, që mishëron revoltën e Tiranës. Qëllimi i vërtetë nuk është rezultati në kuti, por prova morale se ka një masë qytetarësh që nuk dorëzohen. Se gara është mes narkotrafikut dhe atyre që e duan ende këtë qytet.

Nuk ka rëndësi se kush krijon kurthet tek opozita e sa emra vetshpallen në festivalin e kandidaturave. Sepse opozita, ajo e vërteta ndaj regjimit e di se çdo iluzion për të fituar matematikisht është i shëndetshëm vetëm nëse gara shndërrohet në një akt akuze të madhe publike ndaj regjimit, duke fituar besimin e njerëzve.

Tek e fundit, ai që duket si absurd sot tek opozita që fton kandidatët e pavarur është në fakt i vetmi mekanizëm i mbetur për të dalë nga rrethi vicioz: hapje drejt shoqërisë, jashtë strukturave, tek ekspertiza, morali publik për të mbijetuar si alternativë. Gjë që mund të kish nisur që me zgjedhjet e 11 Majit, kjo po që ishte kohë e humbur për opozitën. Por assesi nuk e ngec në zeitnot për 9 nëntorin.

Advertisement