Kronike
Në sy të nipit 14 vjeçar vrau gruan me thikë, vetëdorëzohet autori 68-vjeçar (FOTO)
Një grua ka humbur jetën pasi dyshohet se u godit me thikë nga bashkëshorti i saj, brenda banesës së tyre në zonën e Zogut të Zi në Tiranë.
Ngjarja është raportuar rreth orës 10:20, kur policia është njoftuar për një plagosje me mjet prerës në rrethana familjare. Në banesë ka mbërritur edhe ambulanca, por Lumturie Patushi është konstatuar pa shenja jete. Sipas të dhënave paraprake, ajo kishte një plagë të thellë në pjesën e djathtë të kraharorit.
Policia dyshon se 58-vjeçarja është goditur me thikë nga bashkëshorti i saj, Hysni Ramadan Patushi. Pas ngjarjes, ai është larguar nga banesa, ndërsa shërbimet e policisë kanë nisur kërkimet për lokalizimin e tij.
Sipas deklarimeve paraprake të mbledhura gjatë hetimit, ngjarja është parë edhe nga një prej nipërve të çiftit, një 14-vjeçar, i cili ndodhej në banesë me vëllezërit e tij më të vegjël dhe gjyshërit. Ai ka deklaruar se kishte parë gjyshërit duke debatuar dhe, pasi ishte larguar për pak çaste, kur ishte kthyer kishte parë gjyshin duke goditur me thikë gjyshen.
Mjeti prerës i dyshuar si armë e krimit nuk është gjetur ende në vendngjarje. Hysni Patushi është vetëdorëzuar më pas në Komisariatin nr. 5 dhe është shoqëruar nga policia.
Grupi hetimor vijon veprimet për të dokumentuar rrethanat e plota të ngjarjes dhe për të përcaktuar motivin. Hetimet do të sqarojnë gjithashtu dinamikën e konfliktit që parapriu ngjarjen.