Connect with us

Aktualitet

Prokurori nuk duhet të jetë vula e Policisë – Edmond Petraj: Drejtësia nuk matet me numrin e prangave

Avokati Petraj ngre shqetësimin për mënyrën se si duhet të funksionojë raporti mes Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë, duke theksuar se prokurori nuk duhet të marrë si të mirëqenë versionin e policisë, por ta kontrollojë dhe verifikojë atë në mënyrë të pavarur.

Në një koment të gjatë mbi drejtësinë penale, Petraj argumenton se materiali policor përbën vetëm pikënisjen e hetimit dhe jo të vërtetën e provuar.

«“Prokurori nuk është noter i policisë. Detyra e tij është të kontrollojë, të verifikojë dhe të kërkojë të vërtetën”, është thelbi i qëndrimit të tij.»

Sipas avokatit, informacionet operative, etiketimet apo dyshimet ndaj një personi nuk mund të trajtohen automatikisht si prova. Prokuroria duhet të kërkojë burimin e informacionit, të verifikojë faktet dhe të administrojë jo vetëm provat që rëndojnë pozitën e personit nën hetim, por edhe ato që mund ta shfajësojnë.

Petraj paralajmëron gjithashtu për pasojat që mund të ketë një arrestim i pambështetur mirë në prova.

Sipas tij, edhe kur një person më vonë shpallet i pafajshëm apo çështja pushohet, dëmi ndaj reputacionit, familjes dhe jetës profesionale mund të jetë bërë tashmë.

Një tjetër pikë ku ai ndalet është përdorimi i masave të sigurimit.

“Arresti nuk është provë dhe paraburgimi nuk është dënim”, thekson Petraj, duke kërkuar që çdo masë kufizuese të mbështetet në rrethana konkrete dhe jo në formulime standarde.

Avokati shkon edhe më tej, duke kërkuar përgjegjësi në rastet kur një dosje rezulton e ndërtuar mbi të dhëna të pavërteta, fshehje provash apo shtrembërim të qëllimshëm të fakteve.

Sipas tij, në raste të tilla nuk duhet të mjaftojë vetëm mbyllja e çështjes, por duhet të përcaktohet edhe kush e hartoi informacionin, kush e verifikoi dhe kush e paraqiti atë si fakt.

Petraj e konsideron aftësinë për t’i thënë “jo” policisë një nga provat më të rëndësishme të pavarësisë së prokurorit.

“Një prokuror nuk është i mirë sepse arreston shumë. Është i mirë kur di kur duhet të arrestojë dhe kur nuk duhet të arrestojë”, është mesazhi i tij.

Në përfundim, avokati thekson se prokuroria duhet të jetë filtri që pengon fuqinë e shtetit të kthehet në arbitraritet.

“Drejtësia nuk matet vetëm me numrin e njerëzve që futen në pranga, por edhe me numrin e njerëzve që shteti pati guximin të mos i shkatërronte pa prova.”

#NTV #Drejtesia #Prokuroria #Policia #AvokatiPetraj #Hetimet #ShtetiIDrejtes #Aktualitet

Advertisement